Shqipëria turistike, pjesë e panairit ndërkombëtar të turizmit në Madrid
Panairi më i madh që zhvillohet në Gadishullin Iberik

Nga Adela Alla - 23/01/2019
TIRANË, 23 janar /ATSH/ – Shqipëria merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, Spanjë.
Ky panair zhvillohet në datat 23-27 janar, dhe është i rëndësishëm pasi ofron mundësi të mira kontaktimi me operatorë, media dhe vizitorë potencialë nga Spanja dhe Portugalia.
Njëkohësisht është një pikë shumë e mirë kontakti edhe për tregje të largëta të Amerikës Latine, të cilat mund të rriten në të ardhmen.
Ky panair është më i madhi që zhvillohet në Gadishullin Iberik me rreth 10190 kompani ekspozuese nga 165 vende/rajone, 140120 pjesëmarrës tregtarë dhe 110860 njerëz nga publiku i gjerë.
Shqipëria prezantohet nëpërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit me 8 operatorë turistikë që operojnë në tregun spanjoll. Gjatë ditës së parë ka pasur një interesim të lartë të publikut, medieve ku janë realizuar disa takime të rëndësishme. /a.a/ /a.g/
Burimi: www.ata.gov.al