Qendra e Vizitorëve Theth, model për t’u ndjekur

Qendra e Vizitorëve Theth, model për t’u ndjekur

on Wednesday, 23 January 2019. Posted in Kronika

është një ndërtesë moderne, por larg stilit tradicional të ndërtimeve në malet e veriut të Shqipërisë

Qendra e Vizitorëve Theth, model për t’u ndjekur

Natyra dhe njeriu. Mbi këto dy shtylla është ngritur Qendra e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Theth, që u përurua të Premten e 2 Nëntorit 2018.
E konceptuar si një ekspozitë me 4 pavione, Qendra e Vizitorëve në Theth është e pajisur me një maket të territorit të Parkut Kombëtar në shkallën 1:10.000, një set prej rreth 10 tabelash informative, rafte, tavolina dhe stola tradicionalë të zonës, të gjithë të punuar me dru, si dhe një oxhak të thjeshtë, gjithashtu traditë e atyre anëve.

Në disa qendra vizitorësh, gati gjysma e tabelave informative përmban të dhëna për dukuri natyrore si krijimi i maleve, cikli i ujit etj, njohuri bazike këto që merren kryesisht në shkollën fillore. Madje ka raste kur vizitorëve nuk u jepet asnjë informacion për njerëzit që jetojnë brenda territorit të një Parku Kombëtar. Por Qendra e Vizitorëve Theth është një model që duhet ndjekur së paku për qendrat e reja që do të hapen. Krahas informacionit të hollësishëm dhe konkret për florën, faunën, pasurinë e madhe ujore, monumentet natyrore, si dhe historikun e Parkut Kombëtar të Thethit, tabelat e kësaj qendre vizitorësh ofrojnë të dhëna ekskluzive për njerëzit. Kështu, traditat, mënyra e jetesës, monumentet kulturore e madje edhe banesa popullore, tipike e Alpeve Shqiptare u ofrohet vizitorëve përmes tabelave informative përkatëse, maketeve të ekspozuara, por edhe përmes disa ideve kreative të realizuara me shumë përkujdesje.
Përveç maketit dhe hartës, që plotësojnë më së miri funksionin e një qendre të tillë vizitorësh, dy janë veçantitë që e dallojnë Qendrën e Thethit nga afro 10 të tilla sa janë hapur deri tani: një triptik për Eposin e Kreshnikëve, i qëndisur me dorë mbi tekstil, si dhe një mobilim druri i krijuar nga stilizimi i fjalës THETH.
Në triptik janë paraqitur tri skena nga kënga “Fuqia e Mujit”, si dhe shkrimet përkatëse në gjuhën shqipe dhe angleze: “Eposi i Kreshnikëve” dhe “Songs of the Frontier Warriors”.
Kujtojmë se Eposi i Kreshnikëve u përkthye dhe u botua në anglisht në vitin 2004 nga albanologu Robert Elsie, i cili u shua vitin e kaluar dhe sipas amanetit të tij, tashmë prehet pikërisht në Luginën e Thethit.
Një tjetër informacion i dobishëm për vizitorët dhe eksploruesit e këtij Parku Kombëtar është harta gjigante e detajuar e Thethit, ku janë përfshirë të gjitha informacionet e mësipërme, shtigjet për ecje malore dhe gjatësia e tyre në kilometra, e madje edhe vendndodhja e mullinjve mesjetarë që ende përdoren nga banorët e fshatit.
Projekti i interierit të Qendrës së Vizitorëve Theth u realizua nga Organizata GO2, me mbështetjen e GIZ Shqipëri dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Në ceremoninë e përurimit të kësaj qendre ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej, Koordinatorja Kombëtare e Akademisë “100 Fshatrat” Elva Margariti, përfaqësuesit e GIZ Berthold Schirm dhe Shpresa Smajli, stafi lokal i Zonave të Mbrojtura, banorë të fshatit etj. Mirëpo edhe pse qendra menaxhohet nga Bashkia Shkodër dhe Administrata e Zonave te Mbrojtura të Qarkut Shkodër (AdZM), asnjë përfaqësues i Bashkisë nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni.
Krahas informacionit të hollësishëm dhe konkret për florën, faunën, pasurinë e madhe ujore, monumentet natyrore, si dhe historikun e Parkut Kombëtar të Thethit, tabelat e kësaj qendre vizitorësh ofrojnë të dhëna ekskluzive për njerëzit.
Qendra e Vizitorëve në Theth është një ndërtesë moderne, por larg stilit tradicional të ndërtimeve në malet e veriut të Shqipërisë. Ndërtimi i saj filloi në vjeshtën e vitit 2016 me synimin për të përfunduar në Janar 2017, mirëpo ky proces zgjati rreth 7 muaj përtej këtij afati. Për disa muaj të tjerë, ndërtesa qëndroi e mbyllur e më pas nisi të presë vizitorë, por pa u ofruar atyre informacion të plotë dhe as mjedisin e dëshiruar.

Thethi është i pari Park Kombëtar i Alpeve Shqiptare. Ai është shpallur pikërisht më 21 Nëntor 1966 dhe aktualisht bën pjesë në (projekt) Parkun Kombëtar Alpet Shqiptare. Sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Thethit është 2630 ha. Parku shquhet për biodiversitet të larmishëm, pasi është habitati i rreth 1500 llojeve të florës dhe i mbi 100 llojeve të faunës. Në të njëjtën kohë, për shkak të frekuentimit të tij të hershëm nga disa udhëtarë të huaj që në mesin e shekullit XIX, Thethi është ndër fshatrat më të pasur me histori dhe tradita kulturore në krejt zonën e Dukagjinit. Një vit më parë, Thethi u shpall Qendër Historike nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, si dhe u përfshi në listën e 100 Fshatrave.

Revista Travel, nr. 27

4.8/5 rating (4 votes)

Hits

11293

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.