Karaburuni ose “Hunda e zezë” - gadishulli i vetëm i Shqipërisë

Written by Ilirjan Gjika on Thursday, 12 July 2012. Posted in Destinacione

Një përshkrim historik për bukuritë e brigjeve më shkëmbore të Vlorës

Karaburuni ose “Hunda e zezë” - gadishulli i vetëm i Shqipërisë

Çdo verë në shpatet e gadishullit të vetëm të Shqipërisë shikon zjarre, të cilat i ndezin barinjtë e Dukatit për ti kthyer ato në kullota për bagëtitë e tyre. Kështu vazhdon ky proçes i vjetër i shkatërrimit të pyjeve në Karaburun, i cili u ndërpre vetëm gjatë viteve të komunizmit kur ky gadishull, Sazani, dhe rajoni përreth, u shpallën zona ushtarake, të “denja” për emërtimin që i kish vënë Enver Hoxha si: “ Çelësi i Otrantos”.

Ndërkohë që vetëm 5000 lekë kushton një udhëtim nga Vlora në Karaburun. Mjafton një skaf turistik për të shkuar, ku plazhet e mrekullueshme dhe natyra e virgjër të bëjnë të harrosh realitetin i cili nga vjen.

 

Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. I shtrirë në pjesën jug-perëndimore të vendit ai ndodhet midis gjirit të Vlorës dhe detit Jon. Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis deteve Adriatik dhe Jon. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si: gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Në morinë e tyre mund të përmendim gjiret me emra të çuditshëm si ai i Ariut, Dafinës, Raguzës së parë, Raguzës së dytë, Ravenës, Shën Janit, Shën Vasilit,etj.

Interesant është edhe relievi i këtij gadishulli, i cili në të gjithë gjerësinë prej 4.5 km paraqitet me format e të larmishme të relievit. E çuditshme është se ai vjen duke pësuar një ngritje nga skajet drejt qendrës. Maja më e lartë e bllokut malor të Karaburunit është Koreta me lartësi 826m, ndërsa përballë saj në vijë të drejtë ndodhet maja tjetër, ajo e Ilqes me lartësi 733 m. Midis tyre ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200 deri në 300 m, në lartësinë e të cilës, dikur sovjetikët mendonin të instalonin raketat e tyre.

Studimet gjeografike e klasifikojnë Karaburunin si pjesë të zonës tektonike të Sazanit. Së bashku formacionet e tyre gjeologjike përbëhen nga gëlqerorë të Kretakut, Paleogjenit dhe mergele të Miocenit. Kjo gjë shpjegon edhe dukurinë aq të përhapur të ‘’Karstit’’, e cila e bën gadishullin të pabanueshëm për shkak të mungesës së ujit të pijshëm. Në Karaburun evolucioni natyror ka krijuar një sërë kepesh, si ai i Gallovecit, Gjuhëzës, etj. Pikërisht kepi i Gjuhëzës që ndodhet në veri-perëndim të tij përbën edhe pikën më perëndimore të Shqipërisë, nga ku nis edhe kanali iOtrantos.

Ashtu siç e theksuam edhe më sipër, përhapja e dukurisë gjeografike të tretjes së gurit gëlqeror nga ujërat rrjedhëse ( karstit ), ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave. Janë gjithsej 20 të tilla, përgjatë gjithë vijës bregdetare nga ku mund të përmendim shpellën e Haxhi Aliut, atë të Dukë Gjonit, shpellën e gjirit të Ariut, shpellën e pëllumbave, shpellën e Inglizit, shpellën e Thellë, etj.

Por më e madhja dhe më interesantja nga shpellat e Karaburunit është ajo e Haxhi Aliut, të cilën studjuesi i mirënjohur Moikom Zeqo e konsideron “si një nga më të mëdhatë dhë më të bukurat në Shqipëri”. Ndërsa e shikon me vëmendje të duket se shpella ka formën e një kulmi me lartësi 60 m dhe thellësi 40 m. Brenda saj ndodhet një liqen i vogël, ndërsa në mure vihen re shenja bloze, dhe gjurmë zjarresh, fakt që dëshmon se shpella ka qenë e banuar në të kaluarën.

Sipas legjendës shpella dikur është përdorur nga pirati i njohur i shekullit të XVII-të, Haxhi Ali Ulqinaku. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjeve të anijeve napolitane, turke, veneciane, apo dalmate. Në folklorin popullor ekziston edhe një këngë për këtë pirat të famshëm, ku midis të tjerave thuhet:

Haxhi Alia me të birin

porsi mbreti me vezirin…

Te Liketa, te Sazana,

Çpo luftojnë dy tartana!

 

Pasi u vra nga venecianët në rrethana të panjohura Haxhi Aliu u varros së bashku me të birin në Sazan, megjithëse varret e tyre nuk janë gjendur asnjëherë.

Një tjetër shpellë e Karaburunit është edhe ajo që quhet e ‘’Inglizit’’. E mori këtë emër gjatë viteve të Luftës së Dyrë Botërore, kur SOE, Drejtoria e Operacioneve të Posaçme me qendër në Kajro, krijoi një bazë detare për misionet e saj që vepronin në Shqipëri për të mbështetur rezistencën antifashiste. E quajtur Seavieë (riviera,) ajo shërbeu për misione të ndryshme në këtë rajon që nuk kontrollohej nga gjermanët. Në Karaburun midis gjireve të shumtë të bie në sy edhe ai i Gramatës. Gramata në greqisht do të thotë “shkrime”. Me këtë emër njihet ky gji i vogël qe ndodhet në pjesën perëndimore të tij. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet, të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu, udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve, që janë përdorur edhe si gurore. Mbishkrimet më të vjetra nisin që nga shekulli i III-të pk., dhe vazhdojnë gjatë periudhave të mëvonshme, duke shkuar deri në shekullin e XIX. Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Ndërsa në të tjera mbishkrime përmendet figura historike të Romës si Pompeu, Dolabela, Mark Antoni apo Konsulli Tit Statit Tauri. Ndërkohë që interes paraqet edhe një mbishkrim i vitit 1396, i cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog.

Mbishkrimet janë bërë kryesisht në gjuhën antike greke, latine, dhe greqishten Bizantine. Shpesh herë ato shoqërohen edhe me vizatime të ndryshme dhe simbole nga më të larmishmet.

Studimi i mbishkrimeve të Gramatës ka tërhequr vëmendjen e studjuesve qysh herët. Ato janë vizituar nga arkeologë e historianë, ku mund të përmendim Leon Hezein, Paolo Sestierin, Karl Paçin, Hamondin, etj.

 Ndërkohë që pari ishte humanisti Italian, Çiriaku i Ankonës i cili u befasua me mbishkrimet e Gramatës, pas vizitës që bëri këtu në vitin 1435.

Në periudhën antike një nga burimet e mira të të ardhurave të Orikut, qytetit që u themelua në rrëzë të gadishullit vinte nga shfrytëzimi i guroreve të shumta të Karaburunit, që kontrolloheshin prej tij. Rëndësia e guroreve solli rivalitet midis Polisit të Apolonisë dhe Koinonit të Amantëve, i cili shtrihej në kufi me Orikun. Në shekullin e II-pk,  ndodhi edhe ndeshja finale, ku Apoloniatët e thyen qytetin amant të Thronit dhe vunë nën kontroll Orikun. Për rëndësinë e tij strategjike ky qytet do të jetë dëshmitar i shumë operacioneve ushtarake të zhvillua në kohë të ndryshme nga epirotët, ilirët, maqedonasit dhe romakët. Për tu përmendur ndër to janë luftimet midis Çezarit dhe forcave të Pompeut gjatë luftës civile të vitit 48 pk. Kështu në 5 Janar të vitit 48 pk., Çezari u nis me shtatë legjione nga Brindizi dhe zbarkoi pa probleme ne Palasë, duke ju shmangur flotës së Pompeut, e cila ishte më superiore në numër dhe kontrollonte bregdetin e Adriatikut që nga Lisi deri në Karaburun. Pasi iu ngjit Llogarasë ku dhe sot ruhet emri Qafa e Çezarit, strategu romak pushtoi pa luftë Orikun dhe iu drejtua Apolonisë.

Interesante është për lexuesin përshkrimi që i bën Çezari dorëzimit të qytetit në librin e tij Lufta Civile, ku midis të tjerave thotë: “Çezari zbarkoi ushtrinë po atë ditë u nis për në Orik. Këtu Luç Torkuati që sundonte në qytet me urdhër të Pompeut mbylli portat dhe u mat të mbronte qytetin, duke urdhëruar grekët të hipnin në mure, dhe të rroknin armët. Por këta nuk donin të luftonin kundër Romës, bile qytetarët përpiqeshin të pranonin Çezarin vullnetarisht. Atëherë Torkuati çeli portat dhe u dorëzua tek Çezari me gjithë qytet”.

Kështu në mesjetën e mesme në vitin 1081 nën drejtimin e udhëheqësit norman Robert Guiskardit, nisi fushata e parë e shteteve latine (perëndimore) ndaj territoreve shqiptare, që ishin pjesë e Perandorisë Bizantine. Tokat shqiptare shiheshin prej normanëve si “urë” kalimi për ekspansionin e tyre drejt Ballkanit. Në vijim të kësaj politike në pranverën e vitit 1081 ushtritë normane të komanduara nga Robert Guiskardi dhe i biri i tij, Boemundi zbarkuan në bregdetin shqiptar, duke pushtuar njëra pas tjetrës territorin e Vlorës, Kaninës, Orikumit, Bylisit (Gllavinicës), Butrintit, etj.

E bija e Perandorit Bizantin Aleks Komnenit, historiania Ana Komnena në librin e saj “Aleksiada”, na jep këtë dëshmi interesante mbi sulmin norman në Vlorë. “Boemundi pushtoi Kaninën, Jerihon (Orikumin) dhe krahinën përreth. Më pas ai u nis në Butrint ku takoi të atin. Dhe kur të dy u nisën drejt Durrësit, Boemundi me tokë dhe Roberti me det, në vëndin e quajtur Gjuhë (Karaburun), stuhia e goditi keq flotën normane. Pas kësaj Guiskardi u strehua në Gllavinicë ku qëndroi shtatë ditë dhe pasi priti përforcimet u nis drejt Durrësit”.

Pikërisht kjo dëshmi historike nxiti qysh në vitin 1986 Moikom Zeqon, një nga njerëzit më aktivë në kërkimet nënujore në Shqipëri për të hedhur hipotezën: A do gjendet vallë anija e Princit Boemund Guiskardit në Karaburun? Megjithëse gjirin e Dafinës dhe atë të Ariut, Zeqo i ka konsideruar si “Muze të begatshëm të relikeve antike e mesjetare”, ku janë gjetur me qindra anfora, enë, spiranca e objekte të natyrave të ndryshme që i përkasin periudhës së antikitetit dhe mesjetës.

Fare pranë Karaburunit ndodhet edhe ishulli i Sazanit i vetmi ishull i madh i Shqipërisëi, me një sipërfaqe prej 5.5 km2. I ndodhur në hyrje të gjirit të Vlorës, vetëm 16 km larg kësaj të fundit, ai ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë. Ndërsa largësia e tij nga kepi i triportit është 8.5 km. I përbërë nga dy kodra pothuaj “binjake”, Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit, ku ndodhet edhe porti ushtarak i Sazanit. Ky ishull ka edhe një të kaluar historike interesante dhe të pasur me dëshmi e ngjarje nga më të ndryshmet.

Në antikitet autorët grekë dhe romakë e quanin me emrin Sason. Njëri prej tyre Ptolemeu jep edhe koordinatat e tij gjeografike prej 44o51’. Kurse Plini e përmend ishulllin si qendër piratësh. Si pjesë e Perandorisë Romake e më vonë asaj Bizantine Sazani nuk do të ketë ndonjë rëndësi të madhe. Ndërsa gjatë mesjetës do të bjerë nën sundimin e Venedikut. Në shekullin e XV ai do të pushtohet nga turqit, të cilët në vitin 1815 kur do t’ja dorëzonin atë Anglisë, që e mbajti deri në vitin 1864, vit kur Mbretëria e Bashkuar do t’ja kalojë Greqisë

Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913 mori vendimin që t’ja dorëzonte Sazanin shtetit të sapokrijuar Shqiptar. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore pikërisht në vitin 1915 ishulli u pushtua nga Italia, e cila e mbajti atë deri në 8 Shtator të vitit 1943, kur Sazani u pushtua nga Gjermanët, të cilët u larguan që aty në 14 Tetor 1944. Që prej kësaj kohe e deri tani Sazani është pjesë e pandarë e shtetit Shqiptar, i cili e përdori atë vetëm për qëllime ushtarake.

Gjatë viteve të komunizmit këtu u ngrit një bazë ushtarake detare dhe një qytezë ku banonin familjet e ushtarakëve. Ato u larguan nga ishulli kur baza u braktis në vitin 1992 nga ushtria shqiptare, e cila më vonë e vuri Sazanin në dispozicion të Natos.

Interesant është fakti se Sazani ka qenë dikur i banuar. Kjo dëshmohet gjatë zbarkimit të flotës veneciane në Vlorë në 26 Shtator 1690, ku banorët e fshatit Shën Koll të Sazanit të quajtur kryezinj u bashkuan me venedikasit.

Fakt interesant është se në Sazan rritet edhe një lloj lepuri i egër, i cili u soll në ishull midis dy luftërave botërore nga italianët. I quajtur lepuri i gropave, për shkak të relievit karstik të ishullit ai ka ardhur duke u shtuar dhe është bërë i lakmushëm nga gjuetarët për mishin dhe gëzofin e tij.

Këto resurse natyrore dhe turistike ofron gadishulli që së bashku me Sazanin dhe bregun përballë formojnë fjirin e Vlorës, një nga më piktoreskët e Shqipërisë dhe pse jo dhe të Mesdheut.

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

19182

About the Author

Ilirjan Gjika

Gazetar, historian, studiues. Nje nga bashkepunetoret e pare te Revistes Travel, mjaft aktiv ne shtypin e perditshem dhe botues i disa librave ne fushen e histori-arkeologjise. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.