“Messe Shtutgart 2017” - Një telenovelë shqiptare për publikun gjerman

“Messe Shtutgart 2017” - Një telenovelë shqiptare për publikun gjerman

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 22 March 2017. Posted in Fokus

Për herë të parë Shqipëria u bë vend partner në një panair turizmi të përmasave botërore

“Messe Shtutgart 2017” - Një telenovelë shqiptare për publikun gjerman
Kur një gazetar ndjek nga afër një aktivitet ose ngjarje të caktuar, detyra e tij është të pasqyrojë me vërtetësi e madje edhe me sy kritik ngjarjen, të shohë se çfarë nuk shkoi, ku ishin problemet dhe nëse aktiviteti ka një cikël përsëritës, të evidentojë se çfarë mund të bëhet më mirë në të ardhmen. Mirëpo kur kjo ngjarje dikton vetvetiu edhe një përfshirje emocionale, siç ishte fjala vjen Panairi i Shtutgartit që u zhvillua në datat 14-22 Janar 2017, është e vështirë të qëndrosh i ftohtë, asnjanës, raportues apo edhe kritik, në një aktivitet ku jo thjesht prezantohet vendi yt  dhe ku dëshira për të qenë i pëlqyer nga vizitorët është shumë e madhe, por edhe sepse aty brenda është  shpirti i tij i trupëzuar në imazhe, këngë, valle, tradita, kulinari, veshje popullore e njerëz që përpiqen ta përfaqësojnë atë me dashuri. Kështu pra, thirrja e brendshme e gazetarit për të qenë kritik, u mbyt paksa nga dëshira e ethshme e njeriut, për të përcjellë sa më shumë shpirt nga vendi i tij, por duke u përpjekur njëkohësisht për të qenë sa më i vërtetë.

Për Shqipërinë, jehona e Panairit të Turizmit "Messe Shtutgart 2017" natyrisht që nuk do të zgjasë vetëm sa dhjetë ditët e zhvillimit të tij. Përveç efektit të pritshëm që mendohet e shpresohet të ketë në këtë sezon turistik, vlen shumë që të flitet për këtë eveniment të rëndësishëm edhe për mënyrën se si Shqipëria u prezantua në të. Investimi i bërë në këtë panair ka qenë vërtet i frytshëm, sepse edhe jehona e pranisë së Shqipërisë ishte e ndjeshme dhe prekshme. Për herë të parë Shqipëria ishte vend partner në një panair të përmasave të mëdha, i cili për nga shifrat dhe statistikat, vjen i dyti në Gjermani pas Panairit të Berlinit por është gjithashtu një panair i rëndësishëm edhe në rang botëror. I konceptuar plotësisht si një panair i konsumatorit, ky aktivitet të jep mundësinë të takohesh drejtpërdrejt me turistin e mundshëm që do të vizitojë vendin tënd nesër dhe të kuptosh se çfarë kërkon ai, me qëllim që të përmirësosh ose të specifikosh ofertën sipas kërkesave që ai ka. Dhe në fakt, vizitorët në stendën e Shqipërisë ishin të shumtë dhe kërkesat e tyre ishin gjithashtu të larmishme. Pjesa më e madhe e interesit ishte e përqendruar tek udhëtimet në natyrë, qëndrimi në Shqipëri me kampera ose karavanë, udhëtimet me motor por edhe me biçikleta. Por jo i pakët ishte interesi edhe për kulturën dhe traditat shqiptare.
Kishte shumë gjëra që në këtë panair ndodhën për herë të parë dhe jo vetëm fakti i të qenit vend partner, gjë që e bëri panairin vërtet një ngjarje jo vetëm për t`u mbajtur mend por edhe për të analizuar në të ardhmen se si Shqipëria duhet të prezantohet në një panair turizmi. Si asnjëherë më parë në stendën e madhe të Shqipërisë u këndua, u kërcye, u zhvilluan takime e prezantime të rëndësishme, u prit e gjithë media audio-vizive dhe e shkruar e Shtutgartit dhe jo vetëm, u gatua kuzhinë shqiptare dhe u shkëmbyen përvoja të vërteta. Një Shqipëri e vogël do të thoje, erdhi e u ul këmbëkryq në vendin më të dukshëm të hollit nr 4, e pamundur të mos vihej re prania e saj, jo vetëm për shkak të përmasave të stendës por në radhë të parë për shkak të gjallërisë së pashoqe që kjo stendë përcolli për dhjetë ditë me radhë. Që në ceremoninë spektakolare të hapjes, ku më shumë se 1500 të ftuar i kishin sytë nga Shqipëria, nga ky vend i vogël që pothuajse nuk e njihnin, ku përveç fjalëve të ndjera të ministres Ekonomi dhe drejtorit të AKT-së Çollaku që nuk bënë thjesht “detyrën”, fjalës pasionante të mikut të Shqipërisë Z. Rezzo Schlauch, fjalës dashamirëse të ministrit gjerman Guido Wolf, ajo që ndezi jo vetëm interesin por edhe admirimin dhe shpirtin e gëzueshëm të të pranishmëve, ishte Vallja e Tropojës dhe vallet e gjithë Shqipërisë, ekzaltuar nga tupanat e Malcisë, hiret e vashave tona të bukura, virtuoziteti i mjeshtrit të valleve e sidomos prania aq domethënse dhe përcjellëse e traditës, e vogëlushit kërcimtar, me të cilin u dashuran të gjithë. Ajo që vijoi më pas ishte thjesht një përvojë turistike që çdo turist mund ta prekte me dorë, para se të vinte në Shqipëri, për të shijuar më pas qëndrimin e vërtetë. Bukuritë e vendit tonë që kalonin gjatë të gjithë ditës nëpër vëmendjen e vizitorëve përmes videoprojeksioneve, nuk mbetën thjesht imazh, që përcillej përmes ekraneve dhe fletëve të shtypura të broshurave promovuese. Jo, oferta turistike shqiptare mund të shihej e të përjetohej, përmes këngëve me shpirt brenda, të Grupit Polifonik Karakteristik të Himarës, këngëve e valleve të grupeve të shumta që shfaqën më të mirën e tyre në stendën e Shqipërisë dhe në skenën e madhe të panairit, tradita e Shqipërisë mund jo vetëm të shihej përmes kostumeve të mrekullueshme popullore e zbukurimeve të tjera tradicionale, të sjella nga Artizanët e Krujës dhe Grupi i Himarës, apo nga kostumet e grupeve të valleve por mund të përjetohej drejtpërdrejt, me punimin e qeleshes, realizuar nga djemtë e grupit të Artizanëve të Krujës. Kuzhina e Shqipërisë, nuk u përcoll vetëm nga imazhet e bukura nëpër foto e video por u shijua çdo ditë, sjellë nga duart e arta të mjeshtrit të kuzhinës Sokol Prenga. Ushqimet e pastra shqiptare, mjalti, vaji i ullirit, djathrat, gatimet aq të shijshme, i lanë pa fjalë gjermanët, shumica e të cilëve nuk e njihnin fare Shqipërinë. Viset e bukura shqiptare erdhën aq të gjalla, nën përshkrimin e ngrohtë të grupit të GIZ, që ka bërë një punë aq të madhe për evidentimin e fshatrave të Jugut, më projektin “Misterious South”, duke nxjerrë në pah bukurinë e pashoqe të tyre, përzier me bukurinë e natyrës së Bregut.
Aventurat që turisti mund të përjetonte në Shqipëri nuk mbetën më pas, duke pasur si përfaqësuese dinjitoze të tyre Federatën e Aeronautikës dhe Shoqatën Dajti Alpino Turistik, duke ofruar kështu mundësi për pushime të paharruara të interesuarve të shumtë por edhe fotot mbresëlënëse të Fation Plakut nga çdo cep i Shqipërisë.
Por thelbi i një panairi zakonisht është komunikimi i drejpërdrejtë që shpjegon me detaje dhe që u jep përgjigje pyetjeve të shumta që lindin nga kureshtarët vizitorë, sidomos për një vend si Shqipëria, thuajse i panjohur për banorët e Shtutgartit. Dhe për këtë komunikim dhanë më të mirën vajzat dhe djemtë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe operatorët turistikë, të cilët nga mëngjesi deri në mbyllje të çdo dite shpjeguan pa u lodhur gjithçka në lidhje me Shqipërinë turistike. Por po kaq të palodhur e kontribues u treguan të gjithë, ashtu si i kudondodhuri Xhimi Begeja që dha shpirtin bashkë me vajzat dhe djemtë e shoqatës së tij të alpinistëve, jo vetëm në prezantim dinjitoz por edhe në logjistikë. Po kaq të pakursyer u treguan edhe shqiptarët e Shturgartit, ata që ndajnë të përditshmen e tyre me popullin gjerman por që shpirtin e kanë padyshim në trojet shqiptare.
Ky panair nuk do të kishte qenë i përmasave të tilla nëse nuk do të kishte pasur mbështetjen e madhe të Zyrës së Bashkëpunimit Teknik Gjerman GIZ, e cila shpeshherë në mënyrë të heshtur por gjithaq edhe të dukshme, ka bërë një punë kolosale në mbëshetje të zhvillimit të turizmit shqiptar, sidomos në zonat e pazhvilluara që kanë potenciale turistike. Bukurinë e panairit e shtuan gjithashtu shfaqjet e Grupit të Valleve të Tropojës, prania e të cilit u mundësua aty nga Z. Kadri Morina, president i grupit INSIG-EUROSIG, ashtu siç prania e Artizanëve të Krujës, u bë e mundur nga mbështetja e Fondacionit Shqiptaro-Amerkian për Zhvillim. Ishte vërtet një numër i madh njerëzish që kjo festë doli aq e bukur.
A kishte mangësi e gjëra për të bërë më mirë ky panair? Kishte plot. Por ne nuk do të merremi me këtë pjesë, së paku jo kësaj radhe, aq më tepër që problemet që dolën, kishin të bënin më shumë me organizimin e brendshëm dhe nuk u pasqyruan aspak në prezantimin që iu bë publikut. Ne do të përpiqemi të shijojmë, të analizojmë e të shqyrtojmë efektin e dukshëm që pati kjo ngjarje e madhe turistike dhe do shpresojmë rezultatin e pritshëm në verë, duke u përpjekur fort që ta menaxhojmë sa më mirë e që të mos na kthehet në bumerang, në këtë Shqipërinë tonë me shumë probleme, por me një turizëm që po ecën për lart. Shqipëria duhe ta përsërisë Shtutgartin dhe jo vetëm në Gjermani por sidomos në vendet e Europës Lindore, nga ku numri i turistëve që vijnë në Shqipëri, po rritet dita-ditës.

Milva Ekonomi: Shqipëria e meritoi plotësisht partneritetin në Shtutgart

Me një këndvështrim njerëzor, gati-gati jashtë pozicionit të saj si ministre e Turizmit, Milva Ekonomi tregon jo pa emocion se Shtutgarti ishte një përvojë mbresëlënëse

Vetë fakti që për Shqipërinë është hera e parë që vjen si “vend partner” ishte me të vertete emocionuese. Është gjithmonë mallëngjyese të jesh i pranishëm në momente historike për vendin tënd, dhe unë e konsideroj veten me të vërtetë me fat që kam kam pasur mundësinë të ndjek për një periudhë një-vjeçare të gjitha hapat e zhvillimit të këtij përfaqësimi, që nga ftesa dhe vendimmarrja e deri tek kurorëzimi i tij.
Në përgjithësi pjesëmarrjet në panairet e turizmit janë përgjegjësi. Merret përsipër të prezantohet oferta turistike eventit tënd, i ndërgjegjshëm që pas asaj oferte është puna e palodhur e komunitetit të industrisë së turizmit dhe nuk duhet të harrojmë që për Shqipërinë ky sektor është relativisht i ri. Pjesëmarrjet në panaire kërkojnë energji, mund dhe burime financiare.
Shtutgarti ishte ndryshe! Pas shumë vitesh përpjekje e mundi të komunitetit të turizmit për të sjellë në vëmëndjë vendin tonë, më në fund erdhi dita të ndjeheshim të barartë mes të barabartëve. Vëmendja që na u kushtua si vend partner ne panair ishte mbresëlënëse! Të qëndroje në qendrën e një eventi kaq të rëndësishëm dhe të merrje vëmendjen e plotë të një auditori me plot 1500 persona, ekspertë ndërkombëtarë, bën pjesë në ato arritje që na bëjnë krenarë të gjithëve. Pas të tilla arritjeve janë muaj punë dhe politikash të vëmëndshmë në të gjithë sektorët e zhvillimit të vendit,
Është shumë bukur të shohësh gëzimin në sytë e përlotur të bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë Shqipërise tek të falenderojnë për dinjitetin që i jep vendit tënd duke e prezantuar me profesionalizmin e duhur Shqipërinë tonë të dashur dhe traditën tonë të pasur. Është shumë bukur kur sheh që stenda jonë me një sipërfaqe si kurrë ndonjëhërë nuk ka vënd mjaftueshëm për ata të huaj që vijnë qëllimisht ta vizitojnë. Shtutgarti këndoi shqip, hodhi valle shqip dhe i dha jehonën e duhur dhe të merituar ndryshimeve të mëdha dhe përmirësimit të ndjeshëm të ofertës turistike që Shqipëria është tashmë e gatëshme ta promovojë.
A u ndjeva mirë? Patjetër që po!
Me shumë krenari ndava me auditorin një nga opinionet e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë: U tregova se.... “Në Shqipëri e nis vizitën thjesht si udhëtar, si turist, dhe më pas e përfundon si mik e si mysafir, pasi në Shqipëri, njerëzit janë shumë të dashur, por veçanërisht me miqtë. Ata i ofrojnë mikut gjithçka që kanë. Ndajnë me miqtë historinë, natyrën, aventurat, njohuritë e tyre dhe mbi të gjitha ushqimin e shijshëm”.
Po ashtu u përpoqa të ndaj me ta se pse Shqipëria në të vërtetë është kaq interesante, sesi tri zonat kryesore: bregdeti, fushat dhe malet mund të shijohen dhe vizitohen të gjitha së bashku brenda një fundjave. Ndava me kënqësi me ta, se ne jemi një vend me trashëgimi të Unesco-s, vende këto me shumë rëndësi pasi tregojnë se kemi histori shumë të lashtë, e cila nis që nga periudha romake, bizantine, më pas periudha turke otomane e deri të gjithçka që është ndërtuar gjatë regjimit komunist. Po ashtu mjaft kurioze për të gjithë ishte elementi i bashkëjetesës paqësore dhe tolerancës fetare në vend. I ftova të vijnë dhe të përjetojnë se si njerëzit e respektojnë njëri tjetrin pavarësisht nga përkatësitë e tyre fetare duke bashkëjetuar prej shekujsh në paqe me njëri tjetrin.
Ishte mbresëlënës interesi që pati për vendin tonë. Ishte emocionuese të shikoje se si të gjitha gazetat kishin për kryefjalë Shqipërinë. Gjermanët ndër të tjera janë mjaft të interesuar për turizmin e aventurës në vendin tonë, prandaj i ftova të vizitojnë zonat e Shqipërisë ku mund të bëhet ngjitje në mal, shëtitje me biçikletë , rafting, veçanërisht në juglindje të Shqipërisë ku kemi zona shumë të bukura, lumenj të egër, që po përdoren për sportet e aventurës.
Mjaft me interes ishte fakti se në Shqipëri për herë të parë në 2017 ne do të organizojmë edhe kampionatin e parë Botëror të “Paragliding” .
Po ashtu me mjaft krenari duhet të them se ajo çka u përpoqa të transmetoj është se turizmi në Shqipëri, në fakt po ecën në të njëjtin hap me zhvillimin ekonomik të vendit. Ekonomia e Shqipërisë aktualisht po ecën me ritme me të shpejta se në vendet e tjera të Ballkanit. Sipërmarrja vendase tashmë po e orienton aktivitetin e saj aty ky janë dhe vlerat tona më të mira duke prodhuar dhe tregtuar disa produkte shqiptare që tashmë janë regjistruar si marka dhe që mund të tregtohen në tregjet e tjera të Evropës duke promovuar produktet lokale, si djathrat, zarzavatet, verërat, rakia, dhe shumë produkte të tjera artizanale.
Veç kësaj mjaft interes pati për muzikën polifonike shqiptare që është e mbrojtur nga UNESCO. U përpoqa të ndaj me ta se kultura e kësaj muzike transmetohet nga brezi në brez, pasi njerëzit e duan dhe e ruajnë atë dhe nëse je turist në Shqipëri, njerëzit ju ftojnë të këndoni me ta.
Po ashtu ftova miqtë gjermanë të vizitojnë muzetë e “turizmit të errët” duke pare atë se çfarë ka bërë komunizmi në vendin tonë dhe vizituar dy muzeumet, Bunkart 1 dhe Bunkart 2, të cilat tregojnë imazhe dhe fakte të asaj kohe, të cilat janë publike tashmë.
Mendoj se impakti i pjesëmarrjes në Panairin Ndërkombëtar të Shtutgartit do të jetë i menjëhershëm dhe mjaft i ndjeshëm. Po punojmë dhe do të punojmë që nisma të tilla të jenë të përhershme, që tani e tutje edhe vendi ynë të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare të turizmit dhe jo vetëm, ashtu siç në të vërtetë i ka hije.

Ardit Çollaku: Shtutgarti, një përvojë për t`u përsëritur

Ndonëse pjesëmarrja nëpër panaire është detyra kryesore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, drejtori i saj Ardit Çollaku, me përvojën e Panairit të Shtutgartit, pohon se ky nuk ishte një panair i zakonshëm

Ishte hera e parë për Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Shqipërinë, të përfaqësohej si vend partner në një panair ndërkombëtar turizmi dhe kjo falë vëmendjes dhe përkushtimit që qeveria shqiptare i ka përkushtuar së fundmi sektorit të turizmit duke e vendosur atë si një ndër sektorët prioritarë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Vendi partner përveç vëmendjes dhe interesit maksimal, që merr nga vizitorët e shumtë, ka gjithashtu edhe një sërë detyrimesh kundrejt organizatorëve dhe partnerëve të tjerë pasi përfaqësimi duhet të jetë në nivelin më të lartë.
Dhe pikërisht pjesëmarrja e AKT-së me stendën e saj në panairin e Shtutgartit arriti vlerat maksimale përsa i përket jo vetëm promovimit të potencialeve turistike shqiptare por gjithashtu edhe prezantimit të traditës folkloristike nëpërmjet Grupit të Valleve të Tropojës, të mundësuar nga kompania e sigurimeve Eurosig, Grupit Polifonik Karakteritik të Himarës, Grupit të Pukës dhe disa grupeve të tjera valltarësh që u mundësuan nga shoqata “Pavarësia” në Shtutgart dhe Bashkëpunimi Teknik Gjerman në Shqipëri GIZ.
Një tjetër interes të madh pati edhe prezantimi që një nga Master Shefat shqiptarë Z. Sokol Prenga i bëri gatimeve tradicionale shqiptare duke sjelle para vizitorëve të shumtë një seri pjatash me gatime nga zona të ndryshme të vendit , për t`i shijuar, të cilat, për disa ditë rresht pati radhë të gjata pranë stendës së Shqipërisë jo vetëm vizitorësh por edhe gazetarë dhe reporterë të huaj.
Ishte me të vërtetë një ngjarje e madhe pjesëmarrja në këtë panair pasi për herë të parë Shqipëria ishte në vëmendjen e çdo gazete apo televizioni gjerman dhe jo vetëm pasi një jehonë të gjerë kjo pjesëmarrje bëri edhe në mediat shqiptare.
Për herë të parë , patëm mundësi të kishim në stendën e Shqipërisë një ndërthurje elementesh turizmi nga treva të ndryshme shqiptare dhe kjo u vlerësua shumë edhe nga vizitorët e shumtë të pranishëm. Një tjetër element suksesi ishte edhe shpërndarja e suvenireve të dedikuar për këtë panair si edhe performanca e artizanëve nga Kruja, të cilët shpalosën drejtpërdrejt ushtrimin e profesionit të tyre me prodhimin e qeleshes, për të pranishmit e shumtë gjatë ditëve të panairit.
Nisur nga fakti që Gjermania është një ndër tregjet kryesore jo vetëm nga i cili ne kërkojmë të tërheqim turistë por edhe shkëmbime tregtare dhe investime në fushen e turizmit. Ne do të bëjmë çmos të jemi në të njëjtën linjë dhe për panairet e tjera në këtë shtet dhe të vijojmë bashkëpunimin e mëtejshëm, duke filluar nga panairi i radhes ITB Berlin, bashkëpunim të cilin do ta kërkojmë edhe me sektorin privat, siç janë operatoret turistikë, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e mediave dhe revistes Travel, si një ndër revistat që nepërmjet Zj. Flora Xhemani Baba, dha mbështetjen eskluzive në Shtutgart. Vetëm kaq shumë bashkëpunëtorë të përkushtuar mund të prodhojnë një rezultat spektakolar si Panairi i Shtutgartit.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

9539

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.