Sikur...         T'i bënim një vizitë Ismail Qemalit...

Sikur... T'i bënim një vizitë Ismail Qemalit...

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 14 March 2012. Posted in Destinacione

Sikur...         T'i bënim një vizitë Ismail Qemalit...

Me këtë ndajfolje të gjuhës shqipe, e cila për të shprehur dëshirën tonë, vazhdon me një folje në lidhore, ne kemi vendosur qysh nga numri i kaluar e në vazhdim, t'ju propozojmë një destinacion në formën e një pelegrinazhi, për të transmetuar vlerat e atij vendi që përmendim, e për të sensibilizuar grupe të ndyshme interesi për këto vlera. E, në përgjithësi e dimë se shumicën e këtyre vendeve që propozojmë, shqiptarët i njohin pak ose aspak, diku duke i dëgjuar si shprehje gjuhësore e diku duke i përmendur për arsye krejtësisht jashtë kontekstit të turizmit pelegrin.

Për të kuptuar se sa pak shqiptarët dinë për vendin që do t'ju ofrojmë të vizitoni këtë herë, mjafton të përmendim batutën e famshme të ish-ministrit të turizmit “Po negociojmë për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Ismail Qemalit”. Eshtrat në fakt kanë dekada të tëra që prehen në zemër të Vlorës por këtë shumë shqiptarë nuk e dinë, përfshi këtu edhe ish-ministrin e turizmit dhe kulturës. Shqiptarët nuk e dinë këtë fakt shumë të thjeshtë; që ky burrë i njohur edhe në botë, ka një varr monumental, vetëm 10 metra larg Monumentit të Pavarsisë, simbol me të cilin Vlora identifikohet dhe që është i pranishëm në pothuajse të gjitha kartolinat turistike. Varri është ndërtuar në vitin 1932, kur eshtrat e tij u zhvendosën këtu nga Kanina. Sipër varrit qëndron skulptura e Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali. Rreth e rreth monumentit lulëzojnë pemë dhjetëravjecare, dhe

 një lulishte e pasur që lulëzon gati gjithë vitin e që sigurisht mirëmbahet nga bashkia. Bëjini një pyetje vetes: Sa prej jush që do të lexoni këtë shkrim dhe që keni qenë të paktën njëherë me pushime në Vlorë gjatë verës, keni kthyer apo e dini se ku ndodhet varri i Ismail Qemalit? Përgjigjen po e lemë t'ia jepni vetë vetes.

Cdo vit, me dhjetëra autobusë me nxënës që mbyllin vitin shkollor, i drejtohen Sarandës, për të vizituar Butrintin, Syrin e Kaltër (me shumë të drejtë) dhe kjo fatkeqësisht ndodh jo aq për të pasuruar njohuritë e shkollës sesa ngaqë janë vende të mrekullueshme që kur i viziton të japin kënaqësinë e të bukurës. është e pamundur që të gjithë këta autobusë të mos ndalojnë në rrafshin e sheshtë ku fillon e zbritet Llogoraja, aty ku deti i Palasës poshtë të bën të biesh në dashuri me natyrën. Dhe dyndja për të dalë nga autobusi e për të shkrepur aparatin është e madhe. Dhe nuk ka asnjë dyshim që kjo është e natyrshme, përsa kohë natyra shqiptare në atë zonë është mahnitëse.

Por a nuk do të ishte e drejtë, sikur të gjithë këta autobusë, të drejtuar nga mësuesit (që më parë janë kujdesur të bëjnë pazare të leverdisshme me shoferët për kostot e udhëtimit), të bënin edhe një ndalesë në hyrje të Vlorës, pikërisht tek sheshi famshëm i Flamurit, e t'i drejtonin nxënësit për nga trotuari në të djathtë, për të vendosur një lule të thjeshtë (ndoshta edhe nga lulishtja) në varrin e njeriut që ka afro 100 vjet që na ka bërë me shtet, e që secili shqiptar duhet t'i jetë minimalisht mirënjohës?

A nuk do të ishte vërtet për t'u respektuar, sikur secili prej nesh (përfshi edhe autorin e shkrimit), ta drejtonte një mik apo mysafir që donte të dinte për Shqipërinë, fillimisht në monumentin e atij njeriu që bëri Shqipërinë, për të vazhduar më pas me pjesën tjetër të asaj që Shqipëria ofron?

Mirë do të ishte që jo vetëm vendprehjen e Ismail Qemalit, por edhe shumë të tjera të njerëzve që dhanë për vendin, ta dinim edhe jashtë konteksteve historike, të cilat harrohen sapo lë bankat e shkollës. Që të mos vijmë pastaj në nivelin total të padijes ku mendon se duhet negociuar për të sjellë këtu dikë që ka dekada që prehet në gjirin e tokës mëmë... E dini edhe sa shqiptarë të tjerë shqipëridashës prehen në Shqipëri? Me qindra...

Sikur t'i dinim se ku janë.... ndoshta do t'ua bënim ndonjë vizitë....

Vlorë Qershor 2011

1.0/5 rating (1 votes)

Hits

16660

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.