Himara e bukura e (Mes)Dheut

Written by Flora Xhemani Baba on Monday, 03 September 2012. Posted in Destinacione

Vendi i qetësisë dhe bukurive të çuditshme

Himara e bukura e (Mes)Dheut

Ndër përvojat më të bukura  por edhe më të frikshme përgjatë viteve ndërkohë që realizonim njohjen e Shqipërisë, ka qenë ajo e zbulimit të Rivierës shqiptare. Njëqindepesedhjetë kilometra rivierë e mrekullueshme dhe e rrezikshme, ku për të parë cilindo plazh të mahnitshëm, duheshin çarë akoma kilometra, i vetmi vend ku më në fund e ndjeje parajsën në pëllëmbë të dorës, ishte qyteti i vogël i Himarës. Himara është një vend i çuditshëm e vazhdimisht i aftë të bëhet qendër bisedë për shumë arsye, ku nuk dihet nëse duhet ta quash një qytet të vogël apo një krahinë të madhe, një vend të afërt apo të largët (është buzë rrugës, po aq sa buzë detit), një qytet grek apo shqiptar, mollë sherri e vazhdueshme e politikës por edhe e njerëzve, vend me emër të bukur femëror, e ngjashme me Helenën dhe e aftë të shkaktojë luftëra. Por Himara është gjithashtu edhe një vend me natyrë të mrekullueshme e me një det për tu pasur zili, që gjithkush ia dëshiron e që na kishte sjellë edhe neve deri aty për të kundruar hiret e saj. Himara është e bukur edhe për shqiptarët, edhe për grekët, edhe për italianët, dhe për të gjithë kombësitë e tjera që vijnë ta vizitojnë e ta shijojnë muajve të verës, kur hiret e saj shtohen e ajo bëhet më joshëse e lozonjare. 

Rruga nacionale Vlorë-Sarandë përbën aksin kryesor të komunikimit i cili përshkon gjithë krahinën e Himarës. Porti i Himarës përbën portën kryesore që lidh Himarën me ishullin e Korfuzit dhe që andej me gjithe Evropën. (gjatë muajve të veres, çdo të mërkurë e të shtunë ka lidhje të rregullt me hidroboat me Sarandën dhe Korfuzin). Agjenci të ndryshme turistike në kryeqytet ofrojnë udhëtime të organizuara për në Himarë. Në të gjithë vijën bregdetare të Rivierës e nëpër fshatrat turistikë të zonës, mund të shijoni ushqimet e freskëta, frutat e stinës e po të doni edhe kuzhinën popullore që gatuajnë restorantet e tavernat, apo mund t’u kërkoni kuzhinë shtëpie amvisave të shtëpisë ku jeni strehuar. Himara do t’ju befasojë këndshëm me bukuritë e saj arkitektonike e kulturore të cilën do ta hasni në të gjitha fshatrat e monumentet e ndërtimet historike, kulturore e fetare por dhe në banesat 2-3 katëshe të ndërtuara me gurë të skalituur me shumë merak e mundim nga dora e mjeshtërve himariotë. Mjafton të përmendet se shumë nga shtëpitë e familjeve të mëdha të Dhërmiut janë ndërtuar me gurë të skalitur që është sjellë nga gurorja romane Gramata që ndodhet në brigjet e Karaburunit, për të kuptuar dëshirën e merakun e himariotëve për të ndërtuar shtëpitë  tyre të cilat kanë elemente ndërtimi që i bëjnë ato të ngjasin me kullat e gurit të ndërtuara në Mani të Peloponezit siç janë frëngjitë. Në disa ndërtime përreth kalasë së Himarës, në fshatin e vjetër të Qeparoit e  Kudhësit, gjejmë elemente  të arkitekturës veneciane (në banesa më të hershme) të huazuara nga ishulli i Korfuzit, siç janë dritaret e larta, suvatimi i banesës nga jashtë dhe ndërtimi me dy ose më shumë kate si në Dhërmi, Gjilek e Palasë. Nuk janë vetëm monumentet e ngritura nga dora punëtore e himariotit që i japin asaj vlera të pashtershme por dhe natyra ka qenë bujare me të duke krijuar monumente  natyrore (disa prej tyre të shpallura e të mbrojtura si të tilla nga shteti), Delta e Kserrollakut në Dhraleo, Shpella e Piratëve në Dhërmi, Bokërimat e Vunoit, Kanioni i Gjipesë, pylli i Shën Kollit në Pilur, etj. Për të gjithë ju që ende nuk keni qenë në këtë vend të bukur, që ende nuk keni kaluar bri Kimerës së hijshme e që nuk e keni provuar freskinë e ujrave të saj, bëjeni një udhëtim në Jugun e Shqipërisë dhe ndalesën e fundit lëreni për në Himarë, ku mikpritja dhe bukuria e natyrës nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, ashtu sic nuk kanë dallim kombësitë, në sheshin e vogël të qytetit, që në verë ofron gjithcka, aragostat e shijshme të Piazzës, shtypin ndërkombëtar, bicikletat me qera, banderolat “Welcome to Himara”, shëtitjet e orëve të vona në bulevardin  e ri buzë detit, madje edhe koncertet verore të DJ-ve të famshëm që rëndom i gjen verës nëpër plazhet shqiptare. Himara është e Bukura e (Mes)Dheut, që nuk mund të mos e admironi teksa hidhni hidhni sytë nëpër ujrat e kaltra të Rivierës Shqiptare.

4.0/5 rating (4 votes)

Hits

19545

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.