Gjergji Mano: 14 punonjës menaxhojnë 100 000 vizitorë dhe gjysmë milioni dollarë

Gjergji Mano: 14 punonjës menaxhojnë 100 000 vizitorë dhe gjysmë milioni dollarë

Written by Irhan Jubica on Saturday, 17 October 2015. Posted in Intervista

Flet drejtori i parkut Kombëtar të Butrintit

Gjergji Mano: 14 punonjës menaxhojnë 100 000 vizitorë dhe gjysmë milioni dollarë
Butrinti është siti kulturor më i rëndësishëm i Shqipërisë. E megjithatë, ai mirëmbahet dhe u ofrohet turistëve nga një staf prej vetëm 14 punojësish. Drejtori i parkut Kombëtar dhe Natyror, flet për revistën Travel, për problemet por edhe planet e menaxhimit të parkut që pret rreth njëqindmijë vizitorë në vit.
 
1. Z. Mano! Jeni njeriu i vetëm në Shqipëri që administroni drejtpërdrejt një Pasuri të   Trashëgimisë Botërore të mbrojtur nga UNESCO, çka për shumë arsye nuk është njësoj me të qenit kryetar i Gjirokastrës apo i Beratit, apo edhe studiues i Isopolifonisë. Përveçse si njeri me shumë fat, a e keni menduar ndonjëherë se kjo përgjegjësi kombëtare nuk mbaron me mandatin tuaj si drejtor?
Duke qenë se jam një njeri që besoj se asgjë në këtë botë nuk është rastësi, më lejoni t’ju them që edhe kjo mundësi që më jepet si drejtor i Zyrës së Administrim Koordinimit Butrint të komunikoj me lexuesit e shumtë të kësaj reviste me emër tashmë në tregun e mediave të shkruara nuk është thjesht çështje fati apo rastësie. Që në çastet e para kur unë u ngarkova me këtë detyrë të rëndësishme unë e ndieva peshën e një sfide që jeta ta rezervon vetëm një herë. Edhe pse fatlum se unë isha lindur dhe rritur në rrethinat e Butrintit për të njohur vlerat dhe rëndësinë e tij, edhe pse i angazhuar edhe më parë në sektorin e turizmit të rajonit të Sarandës ku Butrinti është pjesa kryesore e paketës së ofertës turistike që ky rajon ofron për vizitorët vendas dhe të huaj, njëditor apo shumëditor, edhe pse kam qenë edhe në pozicione të tjera administrative për të qenë pjesë e politikave zhvillimore vendore, gjatë të cilave parku Kombëtar i Butrintit mori statusin e veçantë që ka sot dhe mori formë baza ligjore dhe struktura menaxheriale që ai ka sot, prapëseprapë isha i ndërgjegjshëm që në fillim që Butrinti do të përbënte të veçantën e jetës për mua, kurse unë për Butrintin një përpjekje modeste në kontributin kolektiv për këtë vlerë të paçmuar.
2. Kanë kaluar më shumë se 18 muaj që kur ju morët detyrën si drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit. Çfarë keni ndryshuar dhe çfarë keni vazhduar nga puna e mirë që është bërë, sidomos nga paraardhësi juaj?
Në fakt, unë tashmë jam veçse në muajin e dhjetë në detyrën e drejtorit të Parkut Kombëtar. Me sipërfaqen që zë ky park dhe me rëndësinë jo vetëm historike dhe kulturore, por edhe mjedisore dhe ekonomike që ai ka, 10 muaj nuk është se janë një periudhë e gjatë kohe për t’i “vënë gjërat në vijë”. Unë jam drejtori i katërt që vij në këtë detyrë që prej vitit 2000 që Butrinti mori statusin që ka sot dhe padyshim kontributi i të tre paraardhësve, marrë parasysh edhe kontekstin dhe periudhën kohore që kanë drejtuar, është një vlerë dhe përvojë që do të më shërbejë edhe mua, edhe drejtuesve dhe ekipeve menaxheriale që do të vijnë më pas. Ndihmuar edhe nga struktura e re organizative e Zyrës së Administrim Koordinimit Butrint, miratuar nga qeveria në korrik të vitit 2014, e cila e ndan atë në tre sektorë: të Arkeologjisë dhe Menaxhimit të Trashëgimisë, të Administrimit të Muzeut dhe të Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, janë bërë përpjekje që të përcaktohen më qartë detyrat për çdo sektor dhe individ, të ngrihet në një nivel tjetër menaxhimi i përditshëm i punëve që shkojnë përtej menaxhimit të fluksit të vizitorëve, mirëmbajtjes së itinerarit turistik, pastërtisë, higjienës dhe cilësisë së shërbimeve pritëse. Rritja e kapaciteteve planifikuese, projektuese dhe menaxhuese tek specialistët e fushave te ndryshme si monumentet, arkeologjia, mjedisi, etj, ka marrë shumë vëmendje dhe del në plan të parë, pas ndryshimit të skemës së financimit të Butrintit në një raport pothuajse të përmbysur me atë të mëparshmen. Qysh prej vitit 2013 90% e të ardhurave që Butrinti gjeneron nga biletat dhe forma të tjera shkojnë në buxhetin e Butrintit për t’u përdorur për investime për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e sitit arkeologjik dhe parkut në tërësi.
3.  Gjatë vitit të kaluar, Parku u përball me probleme që u denoncuan në media, e që kulmuan me shembjen e një pjese të një muri. Çfarë masash konkrete janë marrë që këto problem të mos përsëriten?
Butrinti është vazhdimisht në fokusin e kamerave dhe objekt i shënimeve të gazetarëve dhe iu ofron atyre mundësine që, në varësi të optikës së shikimit dhe nivelit të frymëzimit, të shkruhet pareshtur. Në kushtet e sotme të teknologjisë dixhitale që e kthen çdo visitor në një gazetar të mirëfilltë të përdorimit të imazhit dhe tingullit, edhe Butrinti si siti më i vizitueshëm në vend për nga numri i vizitorëve në vit, është kthyer në vendin më të reklamuar dhe ekspozuar në media dhe rrjete sociale, për mirë apo për keq. Fati e desh që në vetëm 2-3 muaj në detyrë, periudhë kur çdo drejtues i ri e kalon si fazë njohjeje të problematikës dhe menaxhimi të situatave për të kaluar në një rend të ri të gjërave, në disa media të amplifikohen probleme të menaxhimit të mjedisit dhe të mirëmbajtjes së monumenteve. Projektet për menaxhimin mjedisor dhe për mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme në qendër të vëmendjes dhe vetëm për këtë vit ne kemi në proces hartimi, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë, projektet e restaurimit për 3 monumente, të cilat në gjysmën e dytë të vitit do të fillojnë të zbatohen. Rasti që ju përmendni shërbeu edhe si një kambanë alarmi për nevojën e bashkëpunimit më të madh mes institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e trashëgimisë dhe mëse një herë ekipe të përbashkëta të Institutit të Monumenteve, DRKK-së dhe ZAK Butrintit kanë bërë inspektime të përbashkëta për të konstatuar gjendjen e monumenteve dhe parashikuar ndërhyrje në çdo monument.
4. Sa është realisht i mundur kontrolli dhe siguria e kësaj hapësire gjigante prej 8600 hektarësh? A ekzistojnë burimet njerëzore dhe mjetet financiare për këtë?
Realisht sot Parku Kombëtar i Butrintit kap një sipërfaqe prej 9424.4 ha duke filluar pothuajse që nga Kanali i Çukës dhe përfunduar në kodrat e Stillos, kështu që edhe pas ndarjes së re territoriale, ai përfshihet brenda tri njësive të reja vendore, Sarandës, Konispolit dhe Finiqit. Një subjekt i kontraktuar në mënyrë të përvitshme ofron shërbimin e rojeve në gjithë këtë territor, me nivel sigurie më të lartë me sistem kamerash dhe numër më të madh postesh roje në pjesën e sitit arkeologjik. Sidoqoftë, duke shpresuar që ndarja e re territoriale dhe riorganizimi i qeverisjes vendore do te rris bashkëpunimin me drejtuesit vendore dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve vendase për rolin që duhet të japin në menaxhimin e kësaj pasurie me rëndësi botërore për trashëgiminë, por edhe për mjedisin, stafi modest prej 14 vetësh i Butrintit do të gjejë mbështetjen e duhur për të minimizuar rastet e ndërhyrjeve të paligjshme në mjedis, mbrojtjen nga zjarret dhe ndotjet, si dhe ndalimin e veprimtarive të paligjshme në bujqësi dhe akuakulturë në Liqenin e Butrintit dhe rrethinat e tij, ne Gjirin e Alinurës, Ishujt e Ksamilit, Kepin e Stillos, etj.
5. Sa gjen zbatim Plani i Menaxhimit të Parkut?
Per fat të keq, edhe pse në dy fazat e para të menaxhimit zhvillimet në Butrint u orientuan duke pasur si busullë Planet e Menaxhimit të Përgjithshëm 2000-2005 dhe 2007-2012, një përpjekje me ndihmën dhe financimin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për hartimin e Planit të Ri të Menaxhimit 2013-2020, i cili do të integronte brenda edhe çështjet e mjedisit, pas përfundimit këtë vit të Planit të Zhvillimit Mjedisor 2007-2015, u la në mes për arsye të pashpjegueshme. Ndër prioritetet tona për këtë vit është rifillimi i punës për hartimin dhe miratimin e këtij plani në kushtet e reja të krijuara pas ndarjes së re territoriale dhe ekipeve të reja të administrimit të këtyre territoreve dhe komuniteteve që do të dalin pas zgjedhjeve të qeverisjes vendore.
6. Për shkak se shtrihet në një zonë tepër të gjerë e të larmishme natyrore, brenda së cilës është edhe qyteti antik, a ka në organikën e Parkut specialistë edhe të mjedisit, të mirëmbajtjes, të restaurimit e të hulumtimit të gjithçkaje që gjendet në këtë zonë?
Siç e përmenda edhe më sipër, organigrama e Zyrës së Administrim Koordinimit të Butrintit është tashme më e plotë dhe më e mirëstrukturuar me specialistë për mjedisin, turizmin, arkeologjinë, monumentet, muzeun, financën, por praktika dhe problematika që ka shoqëruar ka nxjerrë në pah nevojën për një arkitekt me profil restaurator për t’u marrë me projektet restauruese dhe mirëmbajtjen e monumenteve. Krijimi i një strukture të vogël të përbërë nga punëtorë të specializuar të mirëmbajtjes dhe restauratorë do të ishte shumë efikas për të menaxhuar problemet e vogla të përditshme të mirëmbajtjes dhe konsolidimit të strukturave. Megjithatë, dua të shtoj se sado qoftë numri i të punësuarve në administratën e Butrintit, asnjëherë nuk do të mund të jetë në gjendje të përballojë peshën e ngarkesës së një siti dhe parku me vlerë të tillë, pa ndihmën e aktorëve dhe faktorëve të tjerë vendorë, prandaj edhe vitin e shkuar filluam promovimin e dy inisiativave të rëndësishme për ndërgjegjësimin e komuniteteve vendase dhe angazhimin e tyre në mbrojtjen, pasurimin dhe promovimin e Butrintit: Bëhu “Mik i  Butrintit’ dhe “Partner i Butrintit”.
7. Përveç vizitorëve që ndërrohen përditë dhe ciklit biologjik të florës e faunës, çka tjetër gjenerohet në Butrint?
Një gjë që ne nuk e harrojmë dhe përpiqemi ta motivojmë është energjia dhe dëshira për punë e banorëve të komuniteteve që jetojnë në rrethinat e Butrintit. Butrinti përbën një potencial të jashtëzakonshëm për gjenerim të ardhurash edhe për ekonomitë familjare të banorëve të zonës. Harmonizimi më i mirë me administratat vendore do të sillte shfrytëzimin e mundësive që lindin nga industria e turizmit në qendër të të cilës është siti arkeologjik i Butrintit, si dhe mundësi të tjera të shfrytëzimit të burimeve natyrore të zonës me veprimtari komplementare në bujqësi, blegtori, akuakulturë, apikulturë, etj. Nëpërmjet mini-panaireve të kulinarisë gjatë sezonit jemi përpjekur t’u japim mundësi amvisave të zonës dhe në planet tona është organizimi i panaireve agrikulturale dhe festave tradicionale për të rijetëzuar disa nga monumentet që mund të shërbejnë për këtë qëllim, siç është Kalaja Trekëndore matanë Kanalit të Vivarit.
8. A ka diçka të re që mund dhe duhet ta bënte një vizitor të kthehej përsëri në Butrint?
Midis të gjitha qendrave arkeologjike klasike të Mesdheut, Butrinti dallohet për ndërthurjen që ka me natyrën dhe Butrinti për shumicën e vizitorëve nuk është thjesht një vizitë, por është një përvojë, një përjetim personal. Kthimi në Butrint për njeriun është njëlloj nga natyrë me kthimin tek dashuria e parë, kthimin në vendlindje, nostalgjinë për fëmijërinë e ndjenja të tilla të papërsëritshme në jetë.
9. Përveçse një nga krenaritë e Shqipërisë, Butrinti rekomandohet vazhdimisht nga media botërore duke qenë njëkohësisht në çdo tur serioz të operatorëve turistikë vendas e të huaj. A keni konstatuar fluks të menjëhershme turistësh pas këtyre rekomandimeve?
Promovimi i Butrintit në media prestigjioze botërore, siç ishte edhe rasti i fundit kur radhitej në një nga 10 sitet më të vizitueshme në botë, pa dyshim që ka ndikuar në rritjen e fluksit të vizitorëve. Për herë të parë në vitin 2014 numri i vizitorëve në Butrint kaloi shifrën prej 100 000 vizitorësh dhe sivjet në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar kemi një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve. Ajo që bie në sy gjithashtu është zgjerimi i gjeografisë së vendeve nga vijnë këta vizitorë që do të thotë promovimi i Butrintit ka kaluar caqe të imagjinueshme përtej kufijve të Europës, deri në Japoninë apo Australinë e largët.
10. A përmban organika e stafit të Parkut guida (udhërrëfyes) të mjaftueshme turistike për të përballuar fluksin e vizitorëve?
Ne kemi në dispozicion të vizitorëve që dëshirojnë udhërrëfyes përgjatë itinerarit 2-4 guida, duke pasur përveç guidave profesioniste të trainuar dhe liçensuar me programin e ri të liçensimit nga Ministria e Turizmit, edhe një numër të rinjsh vullnetarë nga filiali i universitetit dhe shkollat e Sarandës, njohës të mirë të gjuhëve të huaja. Nga ana tjetër, jemi duke përgatitur me një projekt të veçantë audio-guida dhe guida interaktive në gjashtë gjuhë për përdorim në rast nevoje.
11. Për çfarë janë më së shumti të interesuar vizitorët e Butrintit? Sa përqind e tyre kanë interes vetëm për biodiversitetin dhe peizazhin natyror të Parkut?
Vizitorët në Butrint janë kryesisht të interesuar për historinë dhe arkeologjinë sepse, në fund të fundit, kështu shitet në ofertat e agjensive turistike dhe tour-operatorëve. Biodiversiteti dhe peizazhi natyror mbeten akoma fusha pak të eksploruara, sidomos për vizitorët shqiptarë, edhe pse kemi pasur studime dhe botime për këto fusha dhe madje edhe fletë-palosje dhe broshura me shtigje mjedisore për të apasionuarit pas natyrës dhe kafshëve përgjatë brigjeve të liqenit, në drejtim të Diaporitit, të Kepit të Stillos, të Alinurës, malit të Sotirës, etj.
12. Cilat janë burimet e financimit të Parkut të Butrintit dhe sa është shuma e fondeve vjetore të Parkut, qoftë nga buxheti i shtetit apo edhe nga donatorë të ndryshëm? Sa është shuma e përgjithshme e paràve që qarkullojnë brenda vitit në llogaritë e Parkut?
Siç thashë edhe më parë, tashmë Parku Kombëtar i Butrintit ka një skemë të rë të përdorimit të të ardhurave, pas interesimit të vazhdueshëm të partnerëve pranë qeverive shqiptare ndër vite për të rritur pavarësinë e institucionit në administrimin e fondeve dhe rritjen e garancisë që të ardhurat e Butrintit shkojnë ne investime dhe projekte mirëmbajtjeje për të. Vitin qe kaloi parku gjeneroi kryesisht nga shitja e biletave rreth 410000 dollarë dhe për vitin 2015 synohet që të ardhurat të kapin shumën prej 500000 dollarësh.
13. Parku i Butrintit nisi ta kryesonte listën e siteve turistike shqiptare për të ardhurat nga biletat gjatë drejtimit të paraardhësit tuaj, e sigurisht që ju do ta përmirësoni edhe më shumë këtë raport. Meqë është kështu, e mendoni se janë të bazuar zërat që flasin për korrupsion me fondet e Parkut në të kaluarën?
Butrinti gjithmonë ka qenë i pakrahasuar me ndonjë nga sitet dhe muzetë në Shqipëri, qoftë për mënyrën e funksionimit, qoftë për vizitueshmërinë dhe madje vazhdon të merret si shembull i veçantë për mënyrën se si duhet menaxhuar fluksi turistik, trashëgimia, por edhe mjedisi. Në shifra Butrinti gjithmonë ka qenë i krahasueshëm vetëm me vetveten me një rritje spektakolare nga rreth 14 milion lekë në 2006 në rreth 41 milion lekë në 2014, nga rreth 40 mijë vizitorë në 2006 në mbi 100 mijë vizitorë në 2014. Butrinti, ashtu si edhe çdo institucion tjetër që gjeneron të ardhura  nga flukse të tilla vizitorësh, ka qenë vazhdimisht i përfolur, prandaj kjo është edhe arsyeja pse unë, me të marrë detyrën, bëra të gjitha përpjekjet për të rivënë në punë biletarinë elektronike, e cila i vë fre abuzimeve dhe rrit transparencën, po ashtu edhe ngre në një nivel tjetër menaxhimin e fluksit gjatë sezonit.
14. Parku i Butrintit, e sidomos Teatri janë gjithmonë të lakmuara për aktivitete të ndryshme të kulturës e spektaklit. Si funksionon ligjërisht dhe financiarisht kjo? A i kanë sjellë ndonjëherë dëme të çfarëdoshme objekteve të Parkut punimet apo vetë organizimet e këtyre aktiviteteve?
Është e vërtetë që me këtë fluks vizitorësh aktual dhe tendencës gjithnjë e në rritje të vizitueshmërisë së sitit, ka ardhur koha që të flasim për kapacitetet pritëse të sitit për t’u kujdesur për ekuilibrat e ndjeshëm që duhen ruajtur për të mbajtur nën kontroll efektet negative që mund të kenë mbi monumentet dhe mjedisin. Në këtë sens edhe përdorimi i monumenteve për veprimtari të ndryshme të kulturës dhe spektaklit është bërë me kujdes dhe në mënyrë selektive me qëllim promovimi të Butrintit dhe jo për qëllime fitimi dhe për të gjeneruar të ardhura nga dhënia me qera e mjediseve për aktivitetete dhe evente të tilla. Një event i tillë për promovimin e Butrintit ishte aktiviteti i organizuar në 9 maj nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri me rastin e Ditës së Europës me pjesëmarrjen e sopranos së shquar Inva Mula dhe Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit.
15. Si janë marrëdhëniet e Parkut me institucione si Ministria e Turizmit, e Kulturës, e Mjedisit, të Financave, Kontrollin e Lartë të Shtetit? Po me Fondacionin Butrinti?
Ministria e Kulturës është ministria e linjës nga varet Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, kurse marrëdhëniet me institucionet e tjera që ju përmendni janë marrëdhënie të rregulluara sipas ligjeve në fuqi apo akte të tjera nënligjore, në disa raste të veçanta për Butrintin. Me Fondacionin Butrinti, i cili tashmë është kthyer në një institucion që jep grante për projekte të caktuara studimi, restaurimi, mirëmbajtjeje, përmirësimi mjedisor, etj, të hartuara nga individë dhe subjekte të interesuara, marrëdhëniet janë të rrregulluara me një marrëveshje bashkëpunimi të firmosur nga palët e interesuara, kurse Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit mbetet shumë aktiv në vizionin e tij për të kontribuar në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, ashtu si edhe në qytete të tjera në Shqipëri.
16. Ju erdhët në krye të Parkut nga një parti politike. Po aktualisht, ç’marrëdhënie keni me politikën dhe politikanët në përgjithësi?
Pozicioni që unë mbaj nuk është një pozicion politik dhe, nëse unë nuk do të kisha kualifikimet e duhura që kërkon ky pozicion, me siguri që as nuk do të isha përzgjedhur dhe as që do të kisha pranuar për të ushtruar këtë detyrë. Kur unë jam emëruar në këtë detyrë, kam marrë vlerësimin nga bashkëqytetarët si njeriu i duhur në vendin e duhur dhe kaq më mjafton për të mos kursyer as kohën, as energjitë për t’iu përgjigjur kërkesave të detyrës. Si qytetar i përgjegjshëm marrëdhënia ime me politikën nuk fillon e mbaron me votën, si intelektual asnjëherë nuk i jam shmangur detyrimit moral dhe shoqëror që t’i shërbej komunitetit, qytetit dhe vendit tim. Politikanët janë frekuentues të rregullt të Butrintit dhe tani përpiqem që, sa herë i kemi vizitorë, të kërkojmë kontributin e tyre për planet dhe projektet tona për të ardhmen.
17. A mendoni se fushata dhe vetë zgjedhjet ndikojnë negativisht në turizmin shqiptar? A e ndjen edhe Butrinti këtë?
Fushatat ashtu si edhe angazhime të tjera të njerëzve kanë ndikim në planet e tyre për pushimet. Megjithatë, për shqiptarët të cilët zakonisht zgjedhin muajt korrik dhe gusht për pushimet e tyre, fakti që politika ka vendosur t’i organizojë zgjedhjet në muajin qershor çdo dy vjet nuk interferon shumë me planet e tyre të pushimeve, me përjashtim të atyre që merren drejtpërdrejt me administrimin e tyre. Sa për të huajt, të cilët janë vizitorët kryesorë në Butrint, fluksi i tyre në të shumtën e rasteve nuk ndikohet as nga ndryshimet e motit, pale më nga ndryshimet politike.
18. Cila është pritshmëria juaj për sezonin veror, e në përgjithësi për krejt vitin 2015, sa i takon vizitorëve në Butrint dhe turizmit shqiptar në përgjithësi?
Nga trendi, por edhe nga shifrat e 5-mujorit të parë të vitit 2015 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, me nje rritje prej 35% te numrit te vizitoreve dhe 55.5% te te ardhurave, ne presim një vit të suksesshëm për turizmin shqiptar, në përgjithësi, dhe atë në Butrint dhe rajonin e Sarandës, në veçanti. Jemi të bindur që të ardhurat e këtij viti do të kalojnë nivelin e 500 000 dollarëve dhe numri i vizitorëve do të kalojë shifrën prej 130 000 vizitorëve. Sivjet agjensitë turistike filluan të sjellin grupe vizitorësh shumë më shpejt se vitet e tjera dhe nuk është më risi por është rritur ndjeshëm numri i kruazierave që prekin portin e Sarandës.
19. Për çfarë do të donit të kujtoheshit si drejtor i kësaj pasurie unike të shqiptarëve?
Unë gjithmonë i lutem Zotit që të më japë kohë të mjaftueshme për të bërë gjërat që jam thirrur për të bërë. Besoj se Ai do të më japë kohë të bollshme edhe në Butrint për të bërë gjërat e duhura në kohën e duhur për të realizuar ambicjen për ta kthyer Butrintin në një sit arkeologjik dhe një park kombëtar të konkurrueshëm për nga cilësia e shërbimit ndaj vizitorit dhe për nga eksperienca e vizitës me simotrat në rajon dhe në botë.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

1916

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.