"Falja e gjakut”, fitues i tre çmimeve botërore

Written by Irena Kanani on Saturday, 17 March 2012. Posted in Intervista

Andamion Murataj: Filmi, si guidë turistike për Shqipërinë e sotme

“Falja e gjakut” është një nga filmat më të suksesshëm deri tani në guhën shqipe. Në shkurt të vitit 2011 ky film u vlerësua me “Ariun e Argjendtë” ne Festivalin e Filmit në Berlin, ndërsa para pak kohësh u nderua me çmimin e parë për skenarin më të mirë në Festivalin e Filmit në Chicago, si dhe çmimin special të juries në Festivalin e Filmit në Hampton të New York-ut. Edhe pse më parë, Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Tiranë, zyrtarisht e zgjodhi këtë film për të prezantuar Shqipërinë në seksionin Foreign Language të çmimeve Oscar, po kjo qendër e tërhoqi këtë kandidaturë, por jo të drejtën e filmit për të kandiduar e për të përfaqësuar tashmë – vetëm artin. Kur u mësua se “Falja e gjakut” i regjisorit Joshua Martson do të konkurronte në emër të Shqipërisë, mediat botërore e cilësuan këtë film si favorit për Oscar, edhe për faktin se më parë, Martson ka fituar “Ariun e Artë” me filmin “Maria full of Grace”, me të cilin gjithashtu ishte pretendent për Oscar. Ndoshta kjo ishte mundësia më e mirë e Shqipërisë për të konkurruar në nivele të tilla.

Andamion, prej sa kohësh jetoni në Amerikë dhe si e keni parë Shqipërinë prej atje?

Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1996, fillimisht emigrova në Greqi për 1 vit, më pas  vendosa të shkoj në Amerikë, ku jetoj edhe sot - prej 7 vitesh. Gjatë tetë viteve të mosardhjes sime në Shqipëri kam humbur zhvillime dhe ndryshime radikale, humba kapërcimin e shekullit.  Vitin 1997 e kam përjetuar  nga ana mediatike. Pas ‘97 gjithçka e mirë do të vinte, une e humba këtë pjesë pasi kam ikur në fund të ‘96. Gjithçka ishte në ngritje pas ‘97 që u quajt pika e deprersionit, një ngritje që u reflektua jo vetëm në mirëqënie, por edhe në  mënyrën e jetesës, në mendimet, në arte. Nga bota shqiptare dolën shumë artistë. Një sërë filmash interesantë.  Dolën Anri Sali, Faci, Xhafa- në  artet vizuale. Në kinematografi Xhuvani, Koçi.

Andej nga isha e ndiqja Shqipërinë nëpërmjet gazetave, vetëm se ajo nuk është Shqipëria reale. Ajo çfarë gjetëm këtu ishte tjetër gjë, gjeta një vend vital. Një vend që përditë është në këmbë dhe e rigjen vetveten. Ka absolutisht të meta dhe gjëra për t`u ndryshuar,si mentaliteti i brendshëm, por kemi gjithmonë optimizëm për t`i përmirësuar gjërat. Shqipëria edhe pse ka ende vështirësi, ka vetëm dëshirë të përmirësohet. Kjo është gjeneratë e re, gjeneratë civile që ndryshon mentalitetin, mënyrën e të punuarit. Psh, në  kërkimet që bëmë, ne takuam mbi 3 mijë të rinj, përshtypja ishte prirja për të bërë diçka. Brezi që  lashë unë pas, ishte një brez i  papunë, që  jetonte nga firmat piramidale. Brezi i sotëm, të rinjtë 16 –vjeçarë duan të hapin një  internet -kafe, agjensi turistike – dihet se jo gjithmonë janë të  suksesshëm, por është një  vend me ëndrra të mëdha, vend piktoresk, por është  një vend-realitet.

Me realizimin e filmit "Falja e gjakut"  ju angazhuat një ekip të tërë prej Amerikës, përfshi regjizorin, skenografin etj. Ishte e vështirë t'i bindnit të vinin në Shqipëri?

Filmi “Falja e gjakut”  ishte një eksperiencë e paharrueshme, ishte e shkëlqyer që nga mënyra se si filloi dhe se si mabaroi. Për hir të së vërtetës unë u njoha në New York me regjizorin e filmit dhe nuk e dija se kush ishte. Ishte nje takim i rastësishëm në një klub teatri dhe filluam të shkëmbenim disa ide. Ai kishte lexuar diçka për Shqipërinë, dhe unë nuk e dija kush ishte. Në këto momente vetëm i flas se kisha një  projekt për gjakmarrjen. Joshuas - që kishte lexuar për Shqipërinë nga disa gazeta kryesore të Amerikës - i ngjallën interes temat për rininë që është e izoluar për arsye të gjakut dhe në atë kohë unë erdha në Shqipëri për projektin tim. Producenti  i thotë Joshua-s, se nëse donte të bënte një film në shqip, duhet të shkonte për disa kohë atje. Ke Andamionin atje! Dhe kështu e vendosëm nisemi në Shqipëri,jo për të bërë një film, por  për një udhëtim njohjeje. Shkojmë nga Saranda në Tamarë e në vende të ndryshme, atje ku jetohej jeta në Shqipëri. Ishte një udhëtim zbulimi dhe për mua vetë gjithashtu. Shumë shpejt e kuptuam se  kishte një ngjarje për t’u treguar, pra këtu kishte një histori dhe kështu kthehemi mbrapsht. Ishim plot emocione, kishim linjat kryesore për të filluar një histori jete, një life story. Vendosëm një plan pune se si do procedojmë dhe erdhëm që të gjenim mishin dhe gjakun e filmit në Shqipëri. Me grupin e xhirimit u përpoqëm të bënim një film autentik shqiptar. Mënyra se si punonim ne me drejtorin e fotografisë ishte se  e ndërtonim skenën që ta shihnim, por kjo mënyrë pune nuk ishte e përshtatshme për të gjithë ata që erdhën, pra nuk përshtateshin Kështu filluam të kërkonim në gjithë botën dhe gjetëm një sipërmarrje që gjeti interes tek ky projekt në Shqipëri. Fillimisht i ka tërhequr historia.

Cilat ishin përvojat e këtij ekipi kineastësh nëpër Shqipëri, meqënëse ju keni qëndruar gjatë për audicionet, e pastaj edhe për vetë xhirimet e filmit?

Kishte gati një vit e gjysëm që Joshua - producent dhe regjizor e unë, bëmë udhëtimet dhe kërkimet nëpër Shqipëri. Filluam të njiheshim me krahina të ndryshme, kemi shkuar nga Saranda, në Pukë, Shkodër e qytete të tjera, në Tiranë. Kemi parë shumë vende, ne nuk e vendosëm që në fillim se ky film do të ishte për Shkodrën dhe gjakmarrjen, por  për mënyrën e jetesës së rinisë shqiptare kudo që është. Filmi është  autentik, në kuptimin e lokalitetit ku është xhiruar, por mënyra e jetesës së rinisë shqiptare, është kudo njëlloj, psh në Himarë, me celular, facebook, përplasje e konflikteve për punë toke, prone apo biznesi. Kështu ishte kudo në Shqipëri. Kjo nuk është një ngjarje specifike e Shkodrës. Mënyra e jetesës ishte ajo që ne na interesonte dhe ne takuam të rinj nëpër stadiume, adoleshentë nëpër plazhe. U interesuam për elemente apo detaje nga mënyra e jetesës së këtyre të rinjve, mënyrën se si argëtoheshin. Ajo çka ne na pëlqeu ishte pikërisht rinia. Unë mendoj se filmat janë porta vizuale e një vendi. Nuk janë guidat turistike ato që e prezantojnë një vend, dmth ajo çka dimë ne për Italinë dhe ajo çka dimë për Amerikën apo për Francën nuk  i kemi mësuar nga guidat turistike apo nga dokumentarët turistikë, por nga filmat. Në film prezantohet  mënyra e jetesës, aty mësohet komunikimi, mënyrat e sjelljes në një marrëdhënie shoqërore.

A gjeti ky ekip në Shqipëri atë çka ju apo të tjerët u kishin thënë se do të gjenin?

E vërteta e pastër është se mendoja se e njihja Shqipërinë. Në vitin 2009-2010 që kam ardhur për herë të parë në Shqipëri - ‘96 ishte një Shqipëri e harruar tashmë. Unë u kisha përshkruar atyre një Shqipëri me tulla, klishe etnografike mbi Shqipërinë, sepse siç thashë, njohja ime me Shqipërinë ishte nëpërmjet shtypit, ndërsa këtu gjeta një Shqipëri ndryshe. Para se të ikja, kisha punuar nja 2 vjet mësues në disa shkolla në periferinë e Tiranës. Dhe  gjatë shëtitjes sonë nëpër Tiranë unë i thoja Joshua-s: këtu ka qenë shkolla ku unë kam dhënë mësim. Ku më thoshte ai, dhe unë i thoj: prit se tani nuk po e gjej më. Kam dhënë mësim në dy shkolla të Tiranës dhe asnjëra nuk ishte më. Folëm për ‘91, këtu ka qenë fushë sporti, këtu ka qenë një kafe, dhe ata që qeshnin e më thoshin: Andamion, stop se tani është një Shqipëri. Kjo pasi unë e zura veten disa herë mat. Shqipëria kishte ndryshuar. Pra Shqipërinë që prezantuam në filmin e ri, e zbuluam, e rigjetëm.

Edhe diçka tjetër krejt të veçantë ka në Shqipëri: në asnjë aeroport në Evropë nuk ka internet si në Rinas. Në aeroportin tonë unë komunikoj shumë mirë me miqtë e mi, mund të flas me skype me gjithë botën. Në Itali nuk e bëje dot, ky është një fakt që ne nuk e përmendim në guidat tona turistike, kjo është shumë e rëndësishme. Çdo i huaj që vjen në Rinas duhet ta dijë se ka edhe internet, psh. në Festivalin e  Berlinit nuk ka internet, ndërsa ne sallat e festivaleve të Shqipërisë ka internet. Këtu internetin e gjen kudo, bashkë me kafenetë. Kjo është një gjë e mirë, të cilën duhet ta themi.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje kineastëve amerikanë gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri?

Ajo që ne pamë si shumë interesante është se ne kemi xhiruar në Shkodër dhe Shkodra është shumë interesante, pra është midis malit dhe detit. Një turist që vjen në Shkodër e ka shumë të lehtë të shkojë një natë në Mal të Zi, një natë në Valbonë, në kalanë e Lezhës, një natë në Tiranë; i ka të gjitha shumë afër: Velipojën, Shëngjinin. Pra është vlerë e këtij qyteti, po edhe Saranda e njëjta gjë përveç objekteve, përveç plazheve, kishte mundësi të shkoje një natë në Korfuz, në Greqi, në Gjirokastër, pra diversiteti është i shumtë. Vjen nusja e Joshua-s dhe më pyet: ku është liqeni i Komanit, dhe unë u habita, pasi ne nuk jemi të interesuar për vendin tonë.

Shqipëria ka ende mundësi ta ruajë turizmin aventuresk dhe grupi ynë pati mundësi ta prekte dhe ta shijonte. Një tjetër favor që kemi ne  janë njerëzit miqësorë. Kjo nuk ndodh për vendet e tjera, psh Greqi, Kroaci, ndërsa në Shqipëri ne bëmë miq në facebook. Grupi ynë i xhirimit u bë miq me disa nga banorët e vendeve ku ne xhiruam. Shqipëria është vend që bën miq.

Nga salla e Berlinales, Joshua Martson ia dedikoi çmimin “Ariu i Argjendtë” Shqipërisë. Çfarë efekti pati në sallë kjo deklaratë dhe më pas, a e ka justifikuar Shqipëria këtë përkushtim?

 Filmi “Falja e gjakut” një histori e shkëlqyer e eksperiencës shqiptare mori çmimin “Ariu i Argjendtë”, është çmimi i parë për skenarin, më i lartë, më prestigjiozi, që në sens do të thotë se historia e Shqipërisë  është nderuar me çmimin e pare. Është çmimi më i lartë  që është marrë nga një film shqiptar në historinë e Shqipërisë. Nuk ka çmim tjetër që e tejkalon e këto janë thjesht fakte historike.  Filmi mund të kishte marrë çmim për çfarëdo lloj kategorie, për aktorin më të mirë, regjizorin më të mirë. Ajo që na lumturon specifikisht për skenarin, për këtë histori esencialisht shqiptare, është se filmi ishte në gjuhën shqipe. Është shumë e vështirë të komunikosh me një publik gjerman apo amerikan me një gjuhë të dytë, ashtu siç do të na dukej ne një gjuhë e Uzbekistanit - aspak miqësor. Filmi, jo vetëm që komunikoi në mënyrë të shkëlqyer, por fitoi pikërisht për gjuhën, u prit shumë mirë dhe pikërisht për skenarin mori çmimin. Çdo kategori do ta nderonte filmin, por kategoria që e nderonte Shqipërinë ishte skenari, sepse esencialisht e bënte filmin kulturalisht shqiptar.

Jeni shprehur se po punoni mbi disa projekte të tjera kinematografike në Shqipëri dhe në Kosovë. Do të keni përsëri ekip të huaj?

Ky film nuk u bë me ekip të huaj,  70%  ishin pjesëmarrës shqiptar, disa role ishin të huaja, producent, kameramani, kostumet, asistentë-kamaremani; aktorët janë shqiptarë.Të gjithë filmat që bëhen sot në Shqipëri janë grupe ndërkombëtare. Shumica e kinemasë së botës është e integruar dhe nuk mund t’i shpëtojnë vendet e vogla siç është dhe Shqipëria. Ajo çka mësojmë ne nga ata dhe ata nga ne, vetëm pozitivitet mund t’i sjellë kinemasë shqiptare. Kjo nuk ndodh vetëm me kinemanë, kjo ndodh me arkitekturën, me muzikën, është njësoj si arkitektët  e huaj, që po restaurojnë sheshin e Tiranës, apo parlamentin. Kjo në thelb është në pjesën e integrimit, kjo është një shenjë më tepër  për integrimin perëndimor të Shqipërisë, nga kjo pikëpamje kur të bëhet pyetja për filmin tjetër, është e vështirë ta imagjinosh një film në Shqipëri ekzkluzivisht shqiptar, në kuptimin puritan të fjalës. Ato do të jenë integrime të një fushe. Psh do të merren kamerat nga jashtë, ndriçimi, teknologjia. Filmat shqiptarë nuk na i bën teknologjia dhe stafi, por historitë, ngjarjet, sepse teknologja shkon e vjen. Ajo çka është vitaliteti i një Shqipërie që ndërtohet në vendet shqiptare, çfarëdolloj teme është temë esenciale. Filmi jonë edhe sikur të kishte 100% autorë të huaj, është absolutisht shqiptar pasi në thelb është mënyra e jetesës, shpirti, energjia.. Në projektet që kam qoftë në Kosovë, apo Shqipëri kryefjala është integrim, sepse ke integruar dy vende, një komb e ke rintegruar kulturalisht në një projekt filmik. Integrimi është i qartë. E njëjta gjë ndodh edhe në biznes.

Ndërkohë që ju keni realizuar me shumë sukses një film artistik, që po bën xhiron e botës, të tjerë shqiptarë po realizojnë dokumentarë turistikë mbi Shqipërinë. Cila është pikëpamja juaj mbi efektivitetin e këtyre dy zhanreve - gjithmonë në funksion të imazhit të Shqipërisë?

Siç e kam përmendur edhe më lart filmat janë pasaporta vizuale e një kombi, siç dikur ishin librat. Vlen për t’u theksuar se asnjëra nuk mund t’ia zërë vendin njëra-tjetrës. Elementi i diversitetit është edhe në media, sa më shumë lloje të ndryshme prodhimesh vizuale për Shqipërinë, aq më mirë është. Kjo vlen për artet, vlen për filmat dokumentarë. Psh. revista Travel ka vëndin e vet në atë media që prezanton Shqipërinë, ku bëjnë pjesë revistat  artistike, revistat kulturore. Nëse do më tregoje një revistë për Toskanën, unë do të kisha interes dhe do të thoja: Sa bukur! Do të doja të shkoja edhe unë atje. Por nuk më tregon për  toskanin, njeriun e thjeshtë. Prandaj, më pas them: prit se kam parë dhe një film shqiptar, se vërtet është ky vendi me këtë detin blu, që e gjej dhe në Greqi apo me malet si Zvicra, por se kur vij në Shqipëri, unë vij sepse këtu gjej drama jetësore, drama të mëdha, nuk ka guidë turistike që i kap këto drama As dokumentarët nuk mund ta kapin gjënë që ka lëng. Vetëm në filma i kap këto. Jam i sigurtë se ju keni një revistë turistike me audiencë, edhe dokumentarët gjithashtu, por me anë të filmit dramatik për Shqipërinë, ti nuk shikon vetëm kostumin. Por kryesisht të huajt nuk vijnë në Shqipëri vetëm se është vend me bukuri natyrore. Ne jemi me male dhe dete po aq sa edhe vendet tjera, mirëpor ata vijnë për të zbuluar dhe ajo çka ne kemi të pazbuluar është shpirti ynë. Ajo çka ne kemi të veçantë është ndjenja vitale e të qenit njeri shqiptar.

1.0/5 rating (1 votes)

Hits

3334

About the Author

Irena Kanani

Gazetare, ka mbaruar studimet e larta pergazetari ne Elbasan, aktualisht gazetare ne revisten Travel

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.