Kenia mes bukurise dhe skamjes

Kenia mes bukurise dhe skamjes

Written by Kastriot Faci on Tuesday, 06 November 2012. Posted in Outgoing

Udhëtim në zemër të kontinentit afrikan

Kenia mes bukurise dhe skamjes
Një përvojë e re që natyrisht nuk e kisha përjetuar më parë, udhëtimi për në Kenia, më emocionoi shumë kohë para se të nisesha për atje, aq më tepër që do të merresha shumë me disa gjëra të cilat s'mund t'i neglizhoja, si psh vaksinimi nga një sërë sëmundjesh që mund të gjenim në Afrikë.
Erdhi dhe dita e shumëpritur. Gjithmonë i kam qenë mirënjohës kësaj pune që bëj, e cila ndër të tjera më bën të udhëtoj shumë.
9 Mars, ora 04.50 me orën lokale, një mesazh në celular nga SafariCom, më uronte mirëseardhjen dhe qëndrim të këndshëm në Kenia. Shoh një tufë zogjsh të mëdhenj që fluturonin mbi një avion të ndalur në anën e majtë të avionit tonë, këtë gjë nuk e kisha parë kurrë më parë në ndonjë aeroport tjetër. Shërbimi i vizës së Kenias ofrohej nga autoritetet e aeroportit, pas skanimit të shenjave të gishtërinjve dhe pagesës prej 40 Euro për person. Rruga nga aeroporti për në Kiambu, ku ne do të qëndronim, kalonte nëpër Nairobi, kryeqytetin e vendit, qytet ky me rreth 9 milion banorë. Automjetet lëviznin në krahun e majtë të rrugës, pasojë e kolonizimit anglez në Kenia. Mësoj prej James, guidës tonë, që Kenia kishte fituar pavarsinë në vitin 1963.  Megjithëse në muajin Mars, temperatura ishte e lartë, krejtesisht ndryshme nga temperaturat e ulëta të Marsit tek ne. 
10 Mars. Pas hëngrëm mëngjes, mora tabletin kundër malaries. U nisëm për në qytetin Mathare, i cili ka rreth 700 mijë banorë. Trafiku ishte i rënduar, automjete, karroca që tërhiqen nga djem të rinj, furgonët e autobusët. Këta të fundit transportonin me dyer të hapura pasagjerët dhe ndalonin vend e pa vend njerëzit, që kërcenin nga mjetet, vetëm pasi shoferi kishte ngadalësuar paksa shpejtësinë. Megjithë varfërinë, disa shenja pozitive viheshin re, rrugët kishin filluar të ndërtoheshin nga qeveria keniane e cila për këtë kishte kontraktuar firma kineze.
Mbërrijmë në Mathare. Befasohem nga varfëria, e cila i kalonte caqet e imagjinatës. Më ka qëlluar të vizitoj shpesh familje në nevojë, por këtu ishte diçka tjetër. Kishim blerë ushqime për familjen e Beatriçes, e cila ishte një grua e re që vuante me hiv aids. Futemi në një rrugicë të ngushtë mes barakash, të cilat ishin të gjitha të ngjitura me njëra-tjetrën. Në mes të saj kalonte një kanal i cekët ujrash të zeza me kthesa gjarpëruese. Era e rëndë e tij, na shoqëron gjatë gjithë kohës. Hapim një derë, para së cilës na u desh të përkulemi për të hyrë. Kalojmë nëpër një koridor, i cili ishte i ndarë me plastmas dhe ku ndodheshin tre dyer. Në mes të disa rraqeve dalloj një foshnje ngjyrë kafe të errët në një legen rrobash që kishte kryer nevojat personale. Prindërit e tij u bënë kureshtarë dhe sapo dëgjuan dolën në derë për të na parë. Këtu banonte Beatrice, nëna e Alfës. Një divan dysh ishte e vetmja mundësi për tu ulur në “dhomën e ndenjes”. Mbi kokat tona kalonin telat e korentit, ku ishin lidhur një televizor i vjetër dhe një llampë. Televizori dhe komodina ku ishte vendosur, ishin të vetmet pajisje në këtë “shtëpi”. Një perde e hollë, e cila dukej se nuk ishte larë asnjëherë, shërbente si ndarje me dhomën e gjumit, ku në anën e shtratit qëndronte një grumbul i madh me rroba. Beatrice është pjesë e projektit të ndihmës së Kredive nga Norwegian Aid. Ajo kishte marrë me qera një kioskë me sipërfaqe 6 metër katror, ku ishte vetëpunesuar për të mbajtur familjen.
13 Mars, ora 06.30. Sot fillon aventura e vërtetë për ne. Do të udhëtojmë për në Nosikitok rreth 150 km larg nga Kiambu. Më saktë, destinacioni ynë është parku natyror i Amboselit, njërit prej parqeve natyrorë të Kenias. Parku ndodhet në afërsi me Namanga, qyteti i cili u nda në dy pjesë, në mes të Tanzanisë dhe Kenias në vitin 1960. Do të udhëtonim me James, shoferin që ishte edhe guida jonë, natyrisht me një makinë 4x4.  Çatia e saj hapej në mënyrë që të lejonte pasagjerët të shikonin nga afër bimësinë e kafshët e egra. Më vonë mësova se është e ndaluar të lëvizësh brenda hapësirave të këtyre parqeve në këmbë. James na prezanton me krenari familjen e tij. Ai ka 12 vëllezër dhe 19 motra, sepse i ati, kishte patur 5 gra. Rrugës me ne në makinë është dhe Mersi Ndungu, agjentja e zyrës turistike, e cila mban emrin e saj dhe zotëron këtë biznes. Ajo më habiti shumë kur më tha që e dinte se ku bie Shqipëria, madje më foli edhe për shtetin më të ri shqiptar, për Kosovën. Mersi më thotë se hyrja në Parkun e Ambuselit kushton 80 Usa $ për person. Do të jemi me fat sot, pasi koha e mire na lejon të shijojmë peisazhet natyrore, ku vlen të përmendet mali i Kilimanxharos. Pasi lëmë Nairobin rruga jonë vazhdon për në drejtim të aeroportit Jomo Kennyata, lideri i parë i Kenian pas sundimit kolonial anglez. Në të dy anët e rrugës sonë ndërtesat janë rralluar tashmë dhe na shfaqen fusha të gjera me ngjyrë të verdhë. James herë pas here më tregon tufa zebrash e antilopash.  Mua më bëjnë përshtypje tabelat me mbishkrimin në gjuhën angleze "toka nuk shitet", gjë që tek ne shpesh herë shikojmë të kundërtën.
Vazhdojmë të ecim tashmë prej dy orësh dhe nuk kemi parë akoma ndonjë urë poshtë së cilës kalon ndonjë lumë apo përrua. Kjo përsëri me përballjen time me këtë vend më sjell ndër mend Shqipërinë e vogël plot lumenj e liqene, e sidomos qytetin tim Shkodrën, e cila është shumë e pasur me burime ujore të pazakonshme me lumejtë Drini, Kiri dhe Buna dhe liqenin e bukur e madhështor të Shkodrës.
Më në fund përballë nesh shfaqet hijerëndë mali i Kilimanxharos me lartësi 5838 metër. Ai zbardhon nga dëbora, e cila nuk është normale në muajin mars. Nga James mësojmë  që ai zbardhet vetëm në muajt Korrik dhe Gusht. Ky fakt më bën të mendoj se jam në një botë tjetër, sidomos kur kujtoj se si Korriku ashtu dhe Gushti tek ne janë muajt më të nxehtë. James më tregon që kjo është Tanzania, ndërkohë që duke iu referuar hartës e kuptoj që ne i jemi afruar jugut të vendit e njëkohësisht parkut të Ambuselit.
Ndalojmë dhe bëjmë një fotografi grupi në sfond me malin hijerëndë Kilimanxharo. James Mashari, shoferi ynë,thotë që jemi me fat pasi mund të shikojmë majën e malit. Lartësia e tij është shkaku që të në shumtën e kohës ai mbulohet nga re të mëdha me ngjyrë të bardha e me formë të pambuktë. Unë qesh me shoferin duke i thënë qe tre ndër pesë afrikanet që janë me ne në makinë quhen James. Ndërkohë që buzëqeshja ime e ngrin pak, pasi njëpostobllok policie ka shtrirë në rrugë vargje me gozde të mëdha. Këtë gjë e kisha parë vetëm në TV.  Jambo, i përshëndet shoku im i udhëtimit Bjorni në gjuhën svahili policët,  të cilët thjesht na bëjnë me shenjë që të vazhdojmë udhëtimin….
Retë që i kanë qëndruar mbi shpatulla “Gjigandit të Afrikës” nga ana e Tanzanisë, duken si shkumë sapuni, sikur ai po bën banjë në këtë të nxehtë të muajit mars. Jemi tashmë në park e ndalojmë për të bërë foto një çifti qafëgjatë xhirafash, të cilat po ushqehen qetë-qetë me majat e një peme. Parku është i ndarë me rrugë makine ku në cdo qoshe ka tabela, që tregojnë se çfarë kafshësh ndodhen në atë zonë. Këtu zonat ishin të ndara sipas strukturës dhe bimësisë së tokës. Elefantët ishin të pozicionuar në këneta dhe ushqeheshin me barin e freskët të saj. James shoferi më thotë që një elefant konsumon sasinë prej 300 kg bar të fresket në një ditë, ndërkohë që ne po sodisnim e fotografonim një elefant që nuk ishte më shumë se 70 metër largësi nga makina jonë.
Parku i Ambuselit ndodhet në afërsi të malit të Kilimanxharos, një paradoks i vërtetë ky mal me kësulë të bardhë, që sfidon të nxehtit afrikan. Fiset Massai, dhe gjallesat e parkut, përbëjnë banorët e kësaj zone të Kenias.
Një shqiponjë u ndalua në anë të rrugës, ndaluam dhe ne duke u bërë pa dashur dëshmitarë të ciklit zhinxhir  të jetës. Shqiponja po hante vezët në një fole e ndërkohë nëna, një grifshë, mundohej të  mbronte vezët e saj. Ajo thjesht vetëm sa e bezdisste shpendin grabiqar duke fluturuar në drejtim të tij.
Gjatë drekës bufe në ambientet e resortit të vetëm turistik në parkun Ambusili, çmimi i të cilit full-board shkonte 200 USD, u bezdisëm pak nga majmunët dhe zogjtë, të cilët kërkonin të “hanin qyl” nga pjatat tona. Ne na ruanin dy djem të rinj Masai. Djemtë mbanin stoli të shumta në qafë, nga një çarçaf të mbështjellë rreth trupit e në këmbë kishin mbathur nga një palë sandale të bëra me gomë motorri. Veshët e shpuar e të kthyer dhe dhëmbët e poshtëm të hequr, ishin tipare dalluese që ata ishin massai. Në dorë mbanin nga një shkop të gjatë e në brez një tjetër, i cili ishte më i shkurtër e në majë të tij kishte një formë të rrumbullakët, si topuz.
Është pasdite e ne jemi larguar tashmë nga parku. Me mendje bëj “bilanc” mbi llojet e kafshëve të egra që kisha parë. Kisha parë e fotografuar nga afër e nga larg strucë, xhirafa, antilopa, zebra, derra të egër, majmunë, rinocerontë, hipototamë, elefantë, shqiponja e një numër të madh shpendësh të tjerë, por nuk pata fatin të takoja mbretin luan.
Ora 18.00 kemi hyrë tashmë në Namanga, qytezën kufitare me 2000 banorë. Ndryshe nga qytetet e tjera kufitare, këtu rruga është e pashtruar, çdo kioskë shet karta celulari, gra me tuba vijnë dhe kërkojnë që të blesh punimet e tyre me rruaza të bëra me dorë. Blejmë ujë të pijshëm  për sonte dhe lëpirëse për fëmijët e familjes së vëllait të James, ku do të flemë sonte. Një djalë i ri me një motor të madh të markes “China Ranger” na pyet nëse kërkojmë motor taksi, një shërbim shumë i veçantë që edhe këtë nuk e kisha hasur asnjëherë më parë në asnjë nga vendet e shumta që kisha vizituar. 
Aventura jonë do të vazhdonte me akomodimin në Manjatën e të vëllait të James “guidës”. Për të shkuar atje, tashmë rruga jonë kalon në asfaltin e saposhtruar nga firmat Kineze ku një  tjetër postobllok policie bën kontrollin rutinë. Tashmë kordoni i gozhdëve të vendosura në rrugë nuk më bën shumë përshtypje. Pasi lëmë rrugën në të dy anët e saj na shfaqen dy fshatra të vegjël ku në qendër të tyre shoh njerëz në radhë të cilët mbushin ujë me bidona dhe që e transportojnë atë me dorë apo me karroca. Më me fat janë ata që kanë ndonjë gomar. Çmimi për një bidon ujë 20 litërsh është 10 KSH, më thotë njëri nga tre James-at, miqtë tanë kenianë. Ka nga ata që duhet të ecin deri në 10 km për të arritur në shtëpi. Këtu në këto fshatra mungon energjia elektrike, uji dhe televizori është diçka që akoma nuk ka depërtuar ndër familjet e massai.
Naima Paradiyio 32 vjec është kryefamiljari i familjes së përbërë prej 2 fëmijësh Tanchu, 1 vjec i biri, Ropian e bija 8-vjeçare dhe Tupere 25 vjec, bashkëshortes së tij. Ai na fton në kasollen e tij, pas darkës në shtëpinë e James guidës sonë nga Nafanga. Zakoni i nxjerrjes ujë nga nusja më e re e shtëpisë për larjen e duarve dhe këmbëve ishte një shenjë mirëseardhje e respekti për miqtë. Kishte rënë nata dhe në afërsi të fshatit të vogël na dërgoi James shoferi.  Naima na tregon me dorë shtyllat e elektrikut të cilat sapo ishin vendosur e na thotë që deri në muajin shtator të këtij viti fshati i tyre do të elektrifikohej plotësisht.
Hyjmë tashmë në fshat dhe unë që i bëj dritë të gjithëve me një elektrik dore. Hyrja për në fshat bëhet nga një portë e cila është me ferra dhe shërben si mbrojtëse  nga kafshët e egra. Brenda këtij rrethimi janë 11 kasolle të vogla që shërbejnë për strehimin e njerëzve dhe disa rrethime të tjera që shërbejnë për bagëtitë. Me mbërritjen tonë e rënien e natës porta u mbyll deri të nesërmen me zbardhjen e dritës. Kasollja ku ne u strehuam ishte e ndërtuar me thupra, balte dhe plehun e njomë të bagëtive. Në majë të saj ishte i vendosur një plastmas i cili shërbente per ta izoluar atë në rastet e ditëve me shi. Hyrja e saj ishte e vogël e duhej të përkuleshe për të hyrë brenda. Pasi ecje i përkulur rreth 7-8 hapa gjendeshe brenda kasolles, e cila ishte e ndarë në dy “dhoma” e në qendër kishte një vend gatimi. Ndriçimi i saj bëhej nga një kavanoz ku flaka e fitilit të tij kishte nxirë mirë tavanin e plasmastë të kasolles. Shtrati im do të ishte një trinë druri e mbuluar me një lëkurë lope të cilës nga përdorimi i kishin rënë të  gjitha qimet. E zonja e shtëpisë pasi fshiu lehtë me dorë dy tre herë lëkurën e lopës,  la nga pas një re të lehtë pluhuri. Tuperë, e zonja e shtëpisë nisi të pastronte me një fshesë të vogël me fije të thata bimësh. Ajo gjatë gjithë kohës mbante në shpinën e saj të birin 1 vjecar. Mora vesh që deri në një moshë të caktuar nënat i mbanin në shpinë të vegjlit e tyre për ti mbrojtur nga egërsirat. Unë pasi shtrova një fanellë mbi lëkurën e lopës e si jastëk vendosa cantën e shpinës,  ashtu siç bëri dhe Bjorni, mora një tabletë valium për të stimuluar gjumin…
Mëngjes, dielli sapo lindi në Namanga e fshtarat e fshatit të vogël sapo janë zgjuar e bashkë me ta dhe ne. Pasi dalim jashtë shohim Tupere, e cila po milte lopët e në shpinën e saj flinte djali i saj 1 vjecar, Sot kam rast të shohë dhe 60 dhitë, pronë të familjes për të cilat kishim folur një natë më parë.
Ndërkohë që jemi përsëri në rrugë e po largohem nga Namanga me një peshë dhe me një experiencë të papërjetur asnjë herë më parë, kam mjaft kohë për të menduar se sa me fat jemi që kemi lindur në Shqipëri. E se sa vend i pasur jemi ne, gjë për të cilën ma kanë konstatuar të gjithë miqtë e mi të huaj, e që ua kam thënë edhe unë të tjerëve kur u ktheva në Shqipëri e që asnjëherë njerëzit nuk më kanë marrë seriozisht. Nëse dhe ju nuk më besoni atëherë ju sugjeroj të vizitoni Kenian, Afrikën…
Një bukuri e pashoqe për nga natyra, me pasuri përrallore e burime natyrore pa fund, por me një varfëri të frikshme që gjithsesi të bën ta duash më shumë jetën...
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14341

About the Author

Kastriot Faci

Kastriot Faci, ka lindur në qytetin e Shkodrës më 24.12.1967. Aktualisht punon si menaxher i organizatës jofitimprurëse "The Door" me seli në Shkodër. Pasioni i tij janë fotografia, ecjet në mal, dhe organizimi i eventeve të ndryshme social-kulturore. Disa nga aktivitetet ku ai është përfshirë dhe ka kontribuar në ngritjen e tyre janë shumë unike. Ndër to mund të përmendim: Festivali i Lojrave Popullore për të rinj, Trupa Muzikore për Persona me aftësi ndryshe, Ekipi i Futbollit për Femra, Trupa e Valles për fëmijë me origjinë egjiptiane etj. Për shkak të angazhimit pranë OJF The Door dhe të hobeve të tij, ai udhëton shumë dhe aparati fotografik është prezent bashkë me të në çdo moment. Shumë nga fotot dhe disa nga shkrimet e tij ai i ka publikuar profilin e tij në FaceBook si dhe në revistën “Travel”. Ai është angazhuar si bashkëpuntor i revistës “Travel” që në numrat e parë të saj e në vazhdim. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.