Vlora, qyteti i dy ngjyrave.

Written by Ilirjan Gjika on Thursday, 15 March 2012. Posted in City Guide

Atje ku shkrihet kaltërsia e detit me gjelbërimin e përhershëm.

Vlora, qyteti i dy ngjyrave.

Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.

Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën.  Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse  të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme. Duke zgjedhur Vlorën për pushimet tuaja, natyrisht që do të bëni një zgjedhje inteligjente por duhet të keni parasysh se Vlora është një qytet magjik që ta bën të vështirë kthimin. E ashpër në dukje, me shkrepa e natyrë të sertë mes detit të trazuar, ajo ka njëkohësisht një zemër të butë, njerëz të dlirë si dielli, ushqim të shëndetshëm e karakteristik e mbi të gjitha një lloj sugjestioni të pashpjegueshëm që të bën për vete me përmbajtjen plot shije. Natyra e rrëmbyer e lebërve, është njëkohësisht e nxehtë por edhe mikpritëse, plot dinamizëm e dëshirë për jetën, karakteristika këto me efekte ngjitëse që do t’ju rrëmbejnë edhe juve për të shijuar gjallërisht ditët plot jetë të verës vlonjate. Por mos harroni se Vlora nuk është e bukur vetëm në verë. Përveç atraksioneve të shumta kulturore dhe historike, ju mund të vizitoni në çdo stinë të vitit detin e saj të mrekullueshëm, panoramat e të cilit krijojnë momente të papërsëritshme kënaqësie dhe relaksi.

 

Ndërgjegjja e turizmit

Written by Irhan Jubica on Wednesday, 14 March 2012. Posted in Editorial

Ndërgjegjja e turizmit

Është bërë e zakonshme të thuhet ndër ambientet përkatëse se Shqipërisë i mungon, p.sh, një revistë kulturore, se i mungon një revistë politike, se i mungon një revistë e arteve, i mungon një revistë e shkencës, një revistë e natyrës, e kështu vazhdon vargu i mungesave reale në Shqipërinë e bollëkut virtual. Sa shumë gjëra i mungojnë Shqipërisë! Shqipërisë i mungojnë thuajse të gjitha gjërat që duhet t’ia bëjnë njerëzit e saj. Por këtu s’është vendi me thanë se Shqipërisë i mungojnë njerëzit.

Sikur... T'i bënim një vizitë Ismail Qemalit...

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 14 March 2012. Posted in Destinacione

Sikur...         T'i bënim një vizitë Ismail Qemalit...

Me këtë ndajfolje të gjuhës shqipe, e cila për të shprehur dëshirën tonë, vazhdon me një folje në lidhore, ne kemi vendosur qysh nga numri i kaluar e në vazhdim, t'ju propozojmë një destinacion në formën e një pelegrinazhi, për të transmetuar vlerat e atij vendi që përmendim, e për të sensibilizuar grupe të ndyshme interesi për këto vlera. E, në përgjithësi e dimë se shumicën e këtyre vendeve që propozojmë, shqiptarët i njohin pak ose aspak, diku duke i dëgjuar si shprehje gjuhësore e diku duke i përmendur për arsye krejtësisht jashtë kontekstit të turizmit pelegrin.

Tuzi – Malësia e Shqiptarëve

on Tuesday, 13 March 2012. Posted in Destinacione

Tuzi – Malësia e Shqiptarëve

Malësia e Tuzit është më e madhja dhe më e rëndësishmja krahinë shqiptare e Malit të Zi. Shqiptarët e Tuzit të sotëm e kanë origjinën nga krahinat e Hotit, Grudës, Trieshit dhe Kojës. Malësorët shqiptarë e konsiderojnë Tuzin një krahinë të rëndësishme kulturore dhe një qendër tradicionale për njerëzit e tyre. Gjithashtu, Tuzi ka qenë historikisht një qytet shqiptar, por edhe shtëpia e një grupi të vogël etnish boshnjake dhe malazeze. Në vitin 1911, për herë të parë që nga periudha e Skënderbeut, flamuri shqiptar u valëvit në majë të malit të të Deçiqit në Tuz, gjatë betejës në këtë zonë, ku Dedë Gjo Luli, udhëhoqi shqiptarët drejt fitores kundër turqve, betejë e cila shënoi edhe fillimin e pikënisjes së kthesës historike, drejt Pavarsisë më 1912-ën

Shkodra, vendi i gjenezës

Written by Irhan Jubica on Monday, 12 March 2012. Posted in City Guide

Ju josh edhe një herë bukuroshja e ujrave...

Shkodra, vendi i gjenezës

Shkodra është ndoshta, palca e kurrizit për Shqipërinë; aq genuin e i pazëvendësueshëm është kontributi i këtij qyteti në botën shqiptare, në historinë antike e moderne, në sport e kulturë, në idealizëm e civilizim. Qysh prej Teutës te Marie Kraja, prej Barletit te Fishta e Migjeni, prej Pjetër Marubit te Serafin Fanko, e prej Oso Kukës te Vojo Kushi e Arben Broci, e prej secilit burrë e grua të atij qyteti e deri te zogjtë e Shkodrës të shpërndarë në katër anët e botës, Shkodra ka përcaktuar gjithmonë drejtimet. Kaq do të ishte mjaft për ta nisë me Shkodrën paraqitjen e qyteteve shqiptare në revistën Travel. Mirëpo Shkodra është një qytet unikal në Shqipëri edhe për pozicionin gjeografik: i shtrirë mes tre lumenjve (Kir, Drin, Bunë) dhe Liqenit të vet, qyteti është gjithashtu vetëm pak kilometra nga deti Adriatik, e po ashtu, pak orë larg nga zemra e Alpeve Shqiptare, Thethi. Me një lartësi mesatare prej 10-12m mbi nivelin e detit, mbi trup të Shkodrës ngrihen kodra të buta e të gjelbëruara, që pastrojnë ia mushkëritë qytetit. Prandaj, i dashur vizitor, kur të nisesh për në Shkodër, do të të duhet kohë, sepse Shkodra s’është dashnore për një natë, por shtojzavallja që t’i merr mendtë e të shplodh në një muaj mjalti.