Kruja – mbretëresha e historisë shqiptare

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 13 June 2012. Posted in City Guide

Qyteti që ju bën të ndjeheni në një epokë tjetër

Kruja – mbretëresha e historisë shqiptare

Është e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë (miqtë tanë të bizneseve turistike kanë vazhdimisht nevojë për produkte, për shkak të fluksit të madh të turistëve), bën gjithmonë kohë e bukur. Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës, për të shkëlqyer e lëmuar oborret dhe trotuaret e metropoleve të botës. Është mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit - tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh - e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.

Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu – i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë. Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin Albanët, Pleuratët, Enkeljetë, Adrianët, Labeatët e, Arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm.
Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë. 

 

Rona Nishliu: Krenare të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion

Written by Irhan Jubica on Friday, 25 May 2012. Posted in Intervista

Këngëtarja flet për revistën Travel, para se të nisej për në Baku

 Kishte më shumë se 20 vjet që këngëtarët nga Kosova shkonin e vinin në Festival – në më të madhin festival të muzikës shqiptare - por u desh thirrja rrënqethëse e Rona Nishliut që Shqipëria ta kthente kokën nga këngëtarët “kosovarë”. Jo se ata nuk janë të pranishëm e të suksesshëm në konkurrimet e tjera muzikore, kinematografike apo të bukurisë, por se çmimet që janë dhënë për pjesmarrësit nga Kosova në këta konkurrime kanë qenë disi “për hatër” – siç ishte rasti i kurorës së bukurisë në majin e vitit të madh të Kosovës - 1999, apo edhe ndonjë tjetër çmim në Tiranë, në dhjetor të vitit 2003.  Ndërsa me festivalin e 50 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar ishte koha të ndodhte ndryshe. 

Këtë e vërtetuan duartrokitjet e gjata në Pallatin e Kongreseve natën e 29 dhjetorit 2011, vlerësimi i jurisë, por edhe vlerësimet e shumta që u dhanë për këngën nga gazetarë e studiues, jo vetëm nga bota shqiptare.

“Suus” është kënga që ka marrë mbi 1 milion klikime në disa variantet e hedhura në Youtube e në site të tjera, përfshi edhe vetë eurovision.tv. Megjithatë, varianti zyrtar i videos është ai që u realizua enkas për përfaqësimin e Shqipërisë në Baku të Azerbajxhanit, më 22 maj, dhe që personazh kreysor ka vetë këngëtaren, të ngujuar në një kub të zi brenda një ambienti ku gjithashtu dominojnë e bardha dhe e zeza – teksa dy fëmijë shoqërojnë personazhin kryesor me veprime të harmonizuara me zërin. Me tekst të vetë këngëtares dhe muzikë të Florent Boshnjakut, videoklipi i këngës “Suus” është realizuar nga Bekim Lumi, për llogari të kompanisë “Kooperativa”. Ndërsa kënga vetë është regjistruar në studion “Ocean Way”, në Holywood të Kalifornisë, SHBA. 

NË PYJET ME DËBORË (TË PUKËS) KA JETË…

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 25 May 2012. Posted in Reportazh

Një ditë dimri mes skiatorëve pukjanë

NË PYJET ME DËBORË (TË PUKËS) KA JETË…

 

Kur vendosëm që të bënim një udhëtim dimëror, fillimisht menduam se do të kishte qenë bukur të niseshim për në Dardhë ose Voskopjë të Korçës. Mirëpo në momentin e fundit ndërruam mendje dhe e lamë që udhëtimi ynë i radhës të ishte Puka. Për shumë arsye. E para sepse nuk kishim qenë asnjëherë në dimër, e dyta sepse Valbona, menaxherja e Hotel Turizëm Pukës, të cilën e kontaktuam edhe për të prenotuar, na siguroi që rruga ishte plotësisht e kalueshme edhe me makina jo të tipit 4 x 4, madje edhe pa qenë nevoja të vendoseshin zinxhirë. Pastaj ajo na dha edhe një ndihmë tjetër të madhe që na joshi veçanërisht. Na siguroi se mund të bënim ski, madje na dha edhe numrin e instruktorit të skive.  Të entuziazmuar se do të mund të na jepej rasti të futnim për herë të parë këmbët në këpucët e skive, i telefonuam shpejt e shpejt instruktorit dhe e pyetëm nëse mund të bënim ski dhe a ishte e përshtatshme koha për një gjë të tillë. “Koha është shumë e bukur, dhe ka mjaftueshëm dëborë për të bërë ski”, - na siguroi ai. “Po sa kushton kjo?” - e pyetëm ne. “Nuk kushton asgjë, argëtimi është falas”. Falas? Kjo ishte shumë e bukur. Nuk e kuptuam sensin e kësaj por nuk e vramë shumë mendjen për arsyet. E rëndësishme ishte që do të bënim ski. Më vonë do ta mernim vesh edhe arsyen se pse ushtrimi i këtij sporti ishte gratis në Pukë.

Jutta Benzenberg: "Kam 20 vjet që punoj mbi portretin e shqiptarëve"

Written by Irhan Jubica on Friday, 25 May 2012. Posted in Intervista

Intervistë me fotografen e njohur gjermane

Jutta Benzenberg:

 Në fillim u befasua nga ideja e intervistës – ndoshta duke u nisë prej idesë se këndvështrimi i saj për Shqipërinë është disi i veçantë për me u përfshi në faqet e një reviste që duhet me paraqitë anët e bukura të vendit. Megjithatë, ky moment kaloi dhe Jutta Benzenberg, gjermania që ka fiksuar tranzicionin zvarranik shqiptar në imazhe të panumërta, nis të tregojë sa e ka tronditë Shqipëria qysh se ia dëgjoi emrin, ende pa e njohur nga afër. Shqipërinë që erdhi ta jetonte këtu, Benzenberg e ka quajtur “Bukuri e rëndë”, periudhën e vështirë që kaloi vendi - “Mbijetesa shqiptare”, ndërsa shqiptarët sot, sipas imazheve të librit të tretë të fotografes, janë “Me të shkuarën, përpara”. E shkuara, që nuk është gjithmonë bardhezi. Dhe e ardhmja, që jo përherë i shfaq ngjyrat.

Shqiptarët “pushtojnë” Everestin - Ekipi i alpinistëve përmbush me sukses misionin e tij

on Friday, 25 May 2012. Posted in Lajme

Ekspedita e ndërmarrë nga Dajti Alpina Turistik, shpërblehet me fitore të plotë

Federata e alpinistëve të Shqipërisë, Dajti Alpina Turistik, njofton se  të gjithë anëtarët e ekipit shqiptar të alpinistëve kanë mbërritur në majën e Everestit sot në datë 25 maj , në orën 7 am me orën lokale. Siç është cilësuar edhe nga kompania nepaleze që shoqëronte ekipin, ky është një nga rastet e rralla kur ngjitja realizohet 100 % , pra, nga të gjithë anëtarët e ekipit.  Në ditët në vazhdim Federata do të ofrojë edhe detaje e informacione të tjera rreth gjithë ekspeditës së ekipit shqiptar në Himalaje.