Top Destinacionet Shqiptare 2013
Blue Agency dhe Revista Travel ju ofrojnë zgjedhjet e tyre, për një sezon shqiptar mbresëlënës!
Trendi i mediave të huaja për të propozuar Shqipërinë si destinacion të vitit, tashmë është bërë një lajm i zakonshëm ndër shqiptarët, e, mendohet më në fund si një dukuri që na përligj në ato vlera që kemi si destinacion turistik shumëplanësh. Më i fundit në radhë ishte Huffington Post, që nëpërmjet gazetares Leyla Giray, rreshtoi njëra pas tjetrës dhjetë arsye të shëndosha se pse duhet zgjedhur Shqipëria si destinacion turistik për vitin 2013. E nuk na përkëdhelet vetëm sedra për këto arsye por na rritet edhe dëshira për të përforcuar më tej atë që të huajt e bëjnë shpesh me aq dëshirë për ne, pra ta ofrojmë vendin tonë në njëmijë mënyra si destinacion i mundshëm për të gjithë llojet e turizmit që realisht ai ofron. Blue Agency është një kompani që po mbush afërsisht një dekadë në promovimin e turizmit shqiptar, duke shkelur shtigje e duke vizituar vende që shpeshherë nuk i njohin as vetë shqiptarët. Ndoshta edhe prej përvojës së saj të gjatë, tashmë media të ndryshme kanë dëshirë t’i referohen kësaj përvoje për të nxjerrë një përfundim, se ku mund të shkohet për turizëm dhe cilat destinacione shqiptare do të ishin të përshtatshme për t’u vizituar në fillim të çdo viti. Nëse Huffington Post, rendit dhjetë arsye se pse duhet të vizitohet një vend si Shqipëria, duke lënë dorë të lirë në zgjedhjen e shtigjeve, Blue Agency, në një prononcim për sondazhet e shumta që bën Radio Travel, rendit dhjetë itinerare ose dhjetë vendet që ajo rekomandon për vitin 2013, duke u kujdesur që kjo listë të përfshijë të gjitha natyrat e destinacioneve, prej turizmit masiv të detit, e deri tek destinacionet me synim njohjen e traditave shqiptare. Pa dyshim këto nuk janë të vetmet vende të bukura që ka Shqipëria por vetëm dhjetë perla prej gjerdanit të çmuar të pikave turistike që ju presin në çdo cep të Shqipërisë. E meqë janë propozuar prej një agjencie që e njeh mirë Shqipërinë, të jeni të sigurt se asnjë prej këtyre zgjedhjeve nuk do t’ju zhgënjejë!