Uka Farm, agroturizmi qe lindi  nga shkenca

Uka Farm, agroturizmi qe lindi nga shkenca

on Saturday, 22 July 2017. Posted in Tradita

Historia e një profesori që u bë fermer, nga dashuria për bimësinë

Uka Farm, agroturizmi qe lindi  nga shkenca
FERMA “UKA”
Është krijuar në vitin 1996, rreth 8 km pranë Tiranës, në fshatin Laknas, nga Prof. Assoc. Dr. Rexhep Uka. Ferma është ndërtuar tërësisht mbi parimet e Prodhimit të Integruar (PI) dhe mbështetet në Praktikat e Mira Bujqësore (PMB). Aty ndërthuren, gjithashtu, prodhimi organik, biodiversiteti i lartë, permakultura, biodinamika, si edhe zbatime të kontrollit biologjik të dëmtuesve. Qëllimi dhe filozofia, që në zanafillë, është krijimi i një ferme pilot, shumëfunksionale, eksperimentale, agroturistike, por edhe qendër didaktike e kërkimore- shkencore për praktikat profesionale të studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Synohet që brenda pak vitesh të ndërtohet edhe një kopësht botanik dhe mjekësor.

Ferma ka një sipërfaqe rreth 2 ha ku kultivohen pothuajse të gjitha kulturat drufrutore dhe perimore, por edhe ato medicinale e zbukuruese, me një gamë të pasur kultivarësh të vendit dhe të huaja. Mbizotërojnë vreshti, ulliri, molla, si edhe të gjitha kulturat bërthamore (kumbull, pjeshkë, kajsi, etj,). Ferma disponon një germplazmë shumë të pasur, duke përfshirë edhe specie të rralla e në zhdukje, që tashmë janë në rrugë përmirësimi për prodhim fare, si speci i veçantë me emrin e fshatit LAKNAS, etj.
Shumë studentë, nën drejtimin e Prof. R. Ukës kanë mbrojtur diplomën me tematikë bionominë dhe entomofaunën e specieve të dëmshme e të dobishme të zonës, si edhe të atyre invazive.
Puna ka filluar me mobilimin dhe drenimin e terrenit me metoda dhe praktika tradicionale, natyrale. Për rreth 10 vjet janë mbjellë kultura që kanë synuar rritjen e pjellorisë së tokës pa përdorur herbicide, plehra azotike apo sintetike, por vetëm plehrim të gjelbër dhe organik. Ndërhyrjet me pesticide sintetike janë zëvëndësuar me ato botanike dhe minerale, të regjistruara për prodhim organik, shumë prej të cilave prodhohen në fermë. Për rjedhojë, prodhimi është i ulët në sasi, por me vlera të larta cilësore e shëndetsore.
KANTINA
Ferma ka një “bërthamë” ekonomike, kantinën dhe restorantin. Flori, njeri nga djemtë e Prof. Ukës, ka mbaruar studimet e larta në UBT për Vreshtari Enologji dhe është kualifikuar për prodhimin e verës në Udine (ITALI). Ai ndjek dhe po çon më tej zhvillimin e fermës drejt agroturizmit.
Në vitin 2005 ai ka realizuar prodhimin e parë të verës “UKA”. Qëllim kryesor është prodhimi i verërave të kuqe nga kultivarë autoktonë shqiptarë, si Kallmet, Shesh i Bardhë, Shesh i Zi, Mavrud, si edhe prodhimi i verës së bardhë nga kultivari unik Cerujë, me origjinë të hershme nga disa fshatra të rrethit të Matit. Më vonë, u pasurua me kultivarë ndërkombëtarë si Merlot dhe Cabernet Sauvignon. Vera, rreth 10.000 shishe në vit, shërbehet e gjitha në restorantin e ndërtuar brenda mjedisit të fermës.
RESTORANTI “UKA FARM”
Ka ardhur si rjedhojë e natyrshme e zhvillimit të fermës dhe ka filluar në vitin 2014 si një biznes familjar. Produktet e freskëta integrale dhe organike të prodhuara aty përbëjnë bazën e menusë për një eksperiencë të vërtetë farm-to-table. Ndërthurja e ekuilibruar e kuzhinës tradicionale shqiptare me teknikat e gatimit italian janë formula ku bazohet restoranti. Tashmë, i hapur prej 3 vitesh, është kthyer në një nga pikat më të frekuentuara të Tiranës. Suksesi i restorantit “Uka Farm” është përmendur, ndër të tjera, edhe në guidën e gazetës prestigjioze ‘The New York Times’ dhe në kanalin televiziv gjerman ‘Arte’. Për pjesën e restorantit është kujdesur djali i madh, Arbri, i cili ka studiuar Menaxhim Hotelerie në Zvicër.
Djali tjetër, Bori, është arkitekt, ai është hartuesi dhe zbatuesi i projektit të restorantit, i cili, është ndërtuar me materiale natyrale dhe estetikisht në harmoni të plotë me mjedisin, klimën dhe fizionominë e fermës. Vlera e shtuar, është filozofia ekonomike e fermës. Mbjelljet me prodhimet e tyre bëhen të gjitha në funksion të restorantit. Sot, gati 80% e tyre prodhohet në fermë dhe synohet që, brenda dy vjetësh, gjithshka që shërbehet në restorant, të jetë prodhim bio dhe integral i fermës. Për momentin, pjesa tjetër e lëndës së parë për kuzhinën sigurohet nga produkte të freskëta shqiptare të certifikuara nga zona të ndryshme të Shqipërisë, duke promovouar në këtë mënyrë prodhimet më të mira e të shëndetshme shqiptare.
2.0/5 rating (1 votes)

Hits

16677

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.