Shanset e turizmit kulturor në Shqipëri

Shanset e turizmit kulturor në Shqipëri

on Tuesday, 06 October 2015. Posted in Fokus

Si qëndrojnë marrëdhëniet tona midis albanologjisë dhe turizmit?

Shanset e turizmit kulturor në Shqipëri

Stefan Pinguli

Në kohën kur mediat më të mëdha dhe më prestigjioze të botës, bashkë me testues të certifikuar, po e listojnë Shqipërinë si një destinacion turistik që nuk duhet humbur, si duhet të reagojmë? Duhet që t’ia lëmë turizmin shpërndarjes okazionale që ofron tregu i çrregullt, duhet që të huajve t’u rrëfejmë detin dhe malet, mishin e pjekur apo peshkun e skuqur? Këto janë destinacionet më atraktive që Shqipëria duhet të ofrojë? A është koha të mendojmë se specifika më e mundshme për sukses në turizmin shqiptar është pikërisht vënia e kulturës materiale e shpirtërore të popullit shqiptar edhe si një aset themeltar për prezantimin, promovimin dhe marketingun e kombit tonë në sezonet tona turistike?
Njihen tanimë brenda dhe jashtë arsyet historike, se kombi shqiptar nuk është matur dhe nuk mund të matet me fuqi sasiore, siç është numri i popullsisë apo i hapësirës territoriale, burimet ekonomike apo strategjike, sikundër nuk mund të matet as me vlera e kapacitete të larta konkurruese, teknologjike e industriale. Ndofta në të ardhmen edhe në këto fusha do kemi me se të mburremi. Por, për momentin tonë, ne nuk jemi në gjendjen objektive që të marketojmë aspekte sasiore e teknologjike konkuruese bashkëkohore. Në të vërtetë, kombi shqiptar ka fuqi, vlera dhe kapacitete konkurruese në aspektin e kulturës së tij të lashtë e të re albanologjike, që përfshijnë trashëgiminë më të mirë materiale e shpirtërore të ardhur me sukses deri në ditët tona. Si Shqipëri e shqiptarë në rajon nuk kemi hapësirat territoriale shumëkontinentalëshe të Rusisë, por kemi thellësitë vertikale të lashtësisë. Ne nuk kemi larminë e florës e faunës së Safarit të Afrikës, por kemi diversitetin tonë kulturor. Ne nuk kemi mrekullinë natyrore të Niagarës, por kemi sfidën triperandorake të Butrintit. Ne nuk kemi piramidat e faraonëve, por kemi mrekullinë e një mbi një dritareve të Beratit. Ne nuk kemi gjerësinë e Amazonës, por kemi dyqind fortesat nga jugperëndimi deri në verilindje, më të bukurat në Europë. Ne nuk kemi papiruset e lashta, por kemi gjuhën indoeuropiane që është gjuha e perëndive. Ne nuk kemi ajër të veçantë, por mikpritjen shqiptare. Ne nuk kemi dete të veçanta, por kuzhinën tonë të shijshme. Ne nuk kemi natyre unike, por kemi njerëz unikë në traditat e bujarisë së tyre të papërsëritshme; Ne nuk kemi shqipen e Andeve, por kemi shqipen me dy krerë. Ne nuk prodhojmë Samsung, por kemi artizanatin e drurit, gurit, hekurit, leshit, lirit, mëndafshit, që rrallë e sheh syri në botë. Pra, ne nuk kemi shumë gjëra që ka bota moderne, por kemi mjaft gjëra që botës së madhe moderne mund t’ia ofrojmë në mënyrë unike dhe të papërsëritshme.
Në këtë botë të hapur e globaliste shumëkush mendon se koha e kombeve ka ikur. Ky është gabim i madh dhe, si i tillë, është antishkencor. Në tërë shkencat politike e ndërkombëtare bashkëkohore, po konsolidohet gjithnjë e më shumë mendimi shkencor se globalizmi nuk është fundi i kombeve. Por, globalizmi është vetëm hapja e kombeve dhe konkurrimi i drejtpërdrejtë i tyre në tregjet globale.
Me se do konkurrojmë ne shqiptarët në këtë botë të hapur?
Pa dyshim vlera jonë më e madhe, më unike, më konkurruese është albanologjia, pra trashëgimia materiale e shpirtërore e popullit shqiptar dhe e dijetarëve e krijuesve më të ndritur të tij, e ngritur dhe e përsosur nëpër mijëra vite, që na sjell sot të dallueshmen dhe të admirueshmen në tregun kulturor e turistik botëror.
Për prezantimin dhe promovimin e vlerave tona albanologjike, neve na vjen shumë në ndihmë turizmi. Kjo fushë po merr përparësi të madhe në Shqipëri. Por, nëse turizmi ka marrë përparësi zhvillimore, profili i tij është i paqartë. Pra, nuk mund të themi që turizmi shqiptar ka gjetur rrugën e vet të zhvillimit. Turizmi ynë nuk mund të bëhet as si në Antalia, me resorte moderne elitare e masive, nuk mund të bëhet as si turizën ekzotik e romantik si i Greqisë, nuk mund të bëhet as turizëm ekzaltues – modernist si i Spanjës, nuk mund të bëhet as turizëm artistik, arkitekturor e kulinar si i Italisë. Turizmi shqiptar ka mundësinë më të madhe dhe shanset më konkurruese e më të shumta nëse zhvillohet si turizëm kulturor. Turizmi kulturor duhet të jetë një nga profilet kryesore të turizmit shqiptar. Madje, specifikisht ai duhet të marketohet si turizëm i vlerave të trashëgimisë materiale e shpirtërore albanologjike. Në këto vlera ne jemi unikë, jemi të papërsëritshëm e, për pasojë, të pakonkurrueshëm. Në këto aspekte, ne jemi autentikë. Pra, në këto fusha bëhemi atraktivë dhe shumë interesantë për mbarë botën.
Si qëndrojnë marrëdhëniet tona midis albanologjisë dhe turizmit?
Mendoj se kemi disa tradita të mira, por ato janë të ngurtësuara, nuk janë zhvilluar e modernizuar paralelisht me kohën. Turizmi ka ecur kryesisht si fushë shërbimesh e tregtie. Kurse albanologjia është ngurtësuar dhe është e margjinalizuar ndaj tregut. Ka një asimetri midis zhvillimit turistik dhe ngurtësimit albanologjik. Nëse nuk e rregullojmë këtë asimetri, mendoj se turizmi ynë do të mbetet i rëndomtë, pa profil, pa unikalitetin e vet, pa vlerat konkurruese dhe, për rrjedhojë, pa atraktivitetin e duhur dhe në rritje.
Pikërisht diskutimi rreth asimetrisë midis dinamikave në rritje të industrisë sonë turistike dhe ngurtësimit të vlerave albanologjike materiale e shpirtërore ndaj këtij tregu turistik përbën një nga fushat më të rëndësishme të debatit politik, ekonomik, turistik, kulturor e shkencor në vendin tonë. Ai synon që t’i përafrojë këto dy fusha së bashku: turizmin dhe albanologjinë. Albanologjia është patenta jonë kombëtare. Turizmi është tregu ynë më i mirë për ta marketuar këtë patentë brilante të kombit dhe popullit tonë në mbarë botën.
 
*) President i fondacionit albanologjik “Illyricum Sacrum”
Marrë nga Gazeta Panorama
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

2906

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.