Saranda - nimfa e bregdetit shqiptar

Written by Ilirjan Gjika on Monday, 03 September 2012. Posted in City Guide

E dashura joshese e çdo turisti, vetëm pranë detit Jon

Saranda - nimfa e bregdetit shqiptar

Saranda është qyteti me të cilin janë ‘’dashuruar’’ jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt. E vendosur në gjirin e kaltër të Jonit ajo i rri përballë Korfuzit, si një nimfë e mitologjisë antike që për çdo moment kërkon ta joshë atë. E hijeshuar nga kurorat e ullinjve dhe tarracat e agrumeve tek Saranda mishërohenë bardha e steresë, bluja e Jonit dhe e gjelbërta e vegjetacionit. Duke shkuar drejt saj gjen Butrintin e Eneas dhe Virgjilit, Ksamilin e ishujve të rrallë, të vetmin ‘’Sy të Kaltër’’, Finiqin e epirotëve, Polifoninë e jugut, Midhjen mbretëreshë të liqenit, por mbi të gjitha Jonin, detin që na josh të gjithëve… 

Saranda ndodhet në jug të Shqipërisë. Pika ekstreme e së cilës ndodhet në qyetin e Konispolit me gjerësi gjeografike prej 39o 38’. Ajo bën pjesë në qarkun e Vlorës së bashku me rrethet e Vlorës. Ndërsa në perëndim brigjet e saj lagen nga ujërat e detit Jon, që dallohet për karakterin shkëmbor, gjiret e vegjël dhe të shumtë dhe plazhet zallore. Saranda ka një reliev përgjithësisht fushor-kodrinor që nis nga niveli i detit deri në lartësinë 1883 m. Ky territor përshkohet nga lumenjtë e Kalasës, Bistricës dhe Pavllës, të cilët pasi përshkojnë fushëgropën e Delvinës derdhen në Detin Jon. Bukuritë e natyrës, resurset e saj, traditat e mikpritjes dhe niveli i lartë kulturor i banorëve, i mundëson Sarandës zhvillimin e turizmit blu dhe atij të gjelbër. Saranda është porti më i madh i Rajonit jugor të Shqipërisë. Festa tipike e këtij qyteti është ‘’Festa e Midhjes’’ me të cilën hapet çdo vit nga bashkia sezoni turistik. Kalaja e Lëkurësit ndodhet në majën e kodrës jugore që dominon mbi gjirin e Sarandës. Prej saj mund të shohësh Korfuzin, Delvinën dhe pellgun e saj, Bregdetin, Butrintin, deri tej në luginën e Pavllës . Kështjella u ndërtua në shekullin e XVII-të, për garnizonin osman që do të kishte nën kontroll skelën e Sarandës. Kjo fortesë ka një planimetri katrore e paisur me dy kulla të rrumbullakta, të cilat i ndeshim  në anën jug-perëndimore dhe atë veri-lindore. Sot kalaja është restauruar dhe e përshtatur në një lokal tradicional dhe shumë të frekuentuar, prej të cilit mund të shijosh mikpritjen dhe panoramën përreth.

Ksamili, qyteza e bukur buzë Jonit u ngrit në vitin 1966 si një qendër e prodhimit të agrumeve dhe ullirit, Ndodhet në jug të qytetit të Sarandës, në dalje të rrugës për në Butrint. Është një nga vendpushimet bregdetare më të frekuentuara, nga turistët vendas dhe të huaj. Plazhi është i vogël, me ujë të pastër dhe me ishuj të vegjël ku janë vendosur kafetë dhe pranë tyre mjediseve të pastra. Ka një numër hotelesh të vogla dhe shtëpive për mysafir, disa janë të hapura gjatë gjithë vitit, por disa hapen gjatë verës.

Borshi ndodhet përgjatë bregdetit në veri të Sarandës. Këtu ndodhet një nga plazhet më të mëdhenj të Rivierës Shqiptare me gjatësi prej 5.4 km. Qendra e Borshit të ri ndodhet në Izvor pranë detit, kurse duke u ngjitur më sipër në shpatin e malit, rruga të çon drejt kalasë së Sopotit në very të tij, ku ndodhet Borshi i vjetër dhe qyteza antike me sipërfaqe 5 ha. Një tjetër kala është edhe ajo e Badhrës e cila i përket periudhës së qytetërimit ilir. Duke udhëtuar nga Borshi drejt Sarandës përgjatë rrugës të shfaqen plazhet e Bunecit, Kakomesë dhe plantacionet me agrume të Lukovës. Pranë gjirit të bukur jonian të Kakomesë mund të vizitohet edhe manastiri bizantin i Shën Marisë, apo skela e vogël detare. Si në gjithë rivierën këtu turistët mund të merren me zhytje, peshkim, kanoe, gara me kuaj apo alpinizëm. Mishi i pjekur dhe peshku janë dy asortimentet bazë të gatimeve

Konispoli me sipërfaqe 30 km2 dhe popullsi prej 3000 banorësh është qyteti më jugor i Shqipërisë. Ai është vendosur në shpatin e juglindor të malit të Saraqinit 300 m mbi nivelin e detit. Pranë tij ndodhen edhe rrënojat e qytetit antik të Çukës së Ajtoit, e cila ngrihet mbi një kodër që ka formën e një piramide. Brenda perimetrit të mureve tashmë rrënojë arkeologët kanë gjetur, ndërtesa publike, sterna uji, etj.

 Parku i Butrintit është objekti më i rëndësishëm kulturor dhe natyror i Shqipërisë. I ndodhur 19 km në jug të qytetit të Sarandës ai ka një sipërfaqe prej 2500 km2 dhe përbëhet nga qyteti antik, pylli dhe liqeni. Parku i Butrintit u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.

Kalaja e Butrintit ka formën e një pesëkëndëshi dhe është ndërtuar në mesjetë nga Despotati bizantin i Epirit, duke pësuar më vonë rindërtime turke dhe veneciane.Kalaja është e pajisur me bedena për topa dhe armë zjarri. Përveç mureve dhe ambienteve të tjera, një vend të rëndësishëm zë edhe kulla e madhe e saj që përdorej për vëzhgim dhe artilerinë. Kalaja është ngritur mbi ish Akropolin e vjetër, i cili ndodhej në kodrën veriore të gadishullit të Butrintit. Sot këtu ndodhet edhe muzeu arkeologjik,në të cilin janë ekspozuar një pjesë e zbulimeve të vlerave arkeologjike, mbishkrime, statuja, enë qeramike, etj. Liqeni i Butrintit ose Pelodesi antik eshtë një nga liqenet tektoniko-detare më të mëdhenj të Shqipërisë me sipërfaqe 16.3 km2 dhe thellësi maksimale 24 m. Ky basen ujor dallohet për ujin e pastër, peshqit, midhjet dhe shpendët e egër. Liqeni i butrintit komunikon me detin Jon nëpërmjet kanalit të Vivarit ëdhe ky një monument natyror. 

Kalaja e Vivarit ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, përballë hyrjes për në Butrint. Ajo ka formë trekëndëshi dhe në të tria qoshet është e paisur me kulla të rrumbullakta, ku ajo e jugut është më e madhe dhe më e lartë. Kalaja mendohet të jetë ndërtuar nga anzhuinët në shekullin e XIII-të. Më vonë ajo ka kaluar në faza të ndryshme rindërtimi nga venecianët dhe Ali Pashë Tepelena. Kalaja në grykëderdhje të kanalit të Vivarit ndodhet pranë bregdetit në perëndim të Butrintit. Ajo u ndërtua në vitin1808 për tu mbrojtur nga flota franceze që ishte vendosur në bazat e saj në Korfuz dhe ishujt e Jonit. Kështjella ka formë katerkëndëshi me gjatësi 30 m dhe gjerësi prej 22 m. Ajo është paisur me katër kulla, dy prej të cilave janë të rrumbullakta dhe të vendosura përballë detit. Ndërsa dy kullat e tjera janë në formë drejtëkëndëshi. Frëngjitë e topave kishin si qëlim të ndalonin ndonjë zbarkim të mundshëm të flotave armike nëpërmjet Vivarit për të pushtuar Butrintin. Kalaja e Mahallasë ndodhet mbi një kodër pranë luginës së lumit Pavlla. E ndërtuar në vitin 1797 ajo ka formën e një trapezi katërkëndësh me kulla në secilin kënd. U ndërtua si kështjellë garnizoni për të kontrolluar arteriet e lëvizjeve që kalonin këtu.

 

 

5.0/5 rating (6 votes)

Hits

23451

About the Author

Ilirjan Gjika

Gazetar, historian, studiues. Nje nga bashkepunetoret e pare te Revistes Travel, mjaft aktiv ne shtypin e perditshem dhe botues i disa librave ne fushen e histori-arkeologjise. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.