Kalaja e Shkodrës, dhe muzeu i saj si përgjigje për pikëpyetjet

Kalaja e Shkodrës, dhe muzeu i saj si përgjigje për pikëpyetjet

on Tuesday, 02 April 2013. Posted in Fokus

Është i pari takim me të shkuarën e këtij vendi për vizitorin që vjen nga veriu, që me madhështinë e hijeshinë e saj të zgjon kureshtjen për ta vizituar.

Kalaja e Shkodrës, dhe muzeu i saj si përgjigje për pikëpyetjet
Ndriçim Mlika

Në një udhëkryq ujor e tokësor nga duhet të kalojnë domosdoshmërisht të gjithë ata që vijnë nga Mali i Zi për në Shqipëri e anasjelltas, ndodhet kalaja e Shkodrës, ndryshe Kalaja Rozafa. Është i pari takim me të shkuarën e këtij vendi për vizitorin që vjen nga veriu, që me madhështinë e hijeshinë e saj të zgjon kureshtjen për ta vizituar. Dhe hap pas hapi që i ngjitesh kodrës së kalasë, horizonti nis e zgjerohet, sheh liqenin e përtej tij Krajën, sheh Shkodrën, Bunën, Drinin, Kirin, Nënshkodrën, Mbishkodrën, Zadrimën. Vijë e horizontit janë Alpet shqiptare dhe Taraboshi, ndërsa në jug kodrat e buta të fushës së Nënshkodrës që e bëjnë këtë të fundit të duket valë-valë. Atëherë e kupton se, pse kjo kodër shkëmbore e veçuar shërbeu si guackë e fortë, ku mbrohej qyteti kur ngushtohej nga armiku apo ujërat dhe, pse prej këtu buronte edhe pushteti politik mbi hapësirën përreth.

Si një oaz ku koha ka mbetur shekuj pas, ku e tashmja nuk ka lënë gjurmë, kalaja me shumë lehtësi e shkëput vizitorin nga realiteti i përditshëm për ta kredhur në një tjetër….. të largët e të pagojë. Përshkohesh përmes kalasë, duke kaluar tre oborret e saj, që në fakt  janë tre linjat mbrojtëse, sheh puset, kullat, kishën-xhami dhe natyrshëm lind kureshtja, kur u ndërtuan këto mure, si, kush sundoi këtu, kush u përpoq ta pushtonte dhe qysh? Për të pasqyruar këto e më tepër, në pikën më të mbrojtur të kalasë, në një ndërtesë të shekullit XV, që atëherë shërbente si seli e kont-kapitenit, qeveritarit venedikas të Shkodrës, ngrihet sot Muzeu i Kështjellës.
E para veçori e ndërtesës: për strukturën e saj, me mure të trasha mbi dy metër, temperatura e saj edhe në pisk të verës nuk i kalon 23-24°C. Kjo ndërtesë qysh në vitin 1987 është muze. Por vitin që shkoi, në 2011-ën, ekspozita e përhershme e saj është përtërirë krejtësisht duke sjellë për vizitorin një ambient të këndshëm dhe duke ia bërë të mundur një ekskursion të shpejtë në të kaluarën e vendit. Për vendin ku është, me vizitorë të rastësishëm, pa ndonjë dijeni të thellë për Shqipërinë, muzeu synon të japë informacion të shpejtë e të thjeshtë, dhe të tregojë, me anë objektesh të kuruar në mënyrë shkencore, përgjigje mbi si ishte kalaja, e lidhur ngushtë me vendbanimin qytetar poshtë saj dhe me kultura të spikatura përreth si Komani apo Drishti mesjetar.
Muzeu është konceptuar në mënyrë kronologjike, duke nisur nga neoliti e duke përfunduar me luftën ballkanike 1912-1913, dhe përfshirjen e Shkodrës në shtetin shqiptar. Në arkitekturën e saj të brendshme, ekspozita e përhershme është frymëzuar në stolitë ilire në formë spiraleje që vijnë që nga epoka e bronzit dhe hekurit dhe që simbolizojnë ciklin e jetës që përtërihet pandërprerje. Kryesorja, aty janë pasqyruar gjetjet e rëndësishme arkivore të këtyre 20 viteve të fundit duke dhënë informacion shpesh të panjohur nga publiku i gjerë. Ndër objektet, do të veçonim të vetmin mozaik të Shqipërisë së Veriut të gjetur deri tani dhe, shumë të rëndësishëm nga simbolika, flamurin e parë shqiptar që është ngritur në kala të Shkodrës, kur qyteti u mor në dorëzim nga me 19 mars 1914 nga trupat qeveritare të Princ Vidit. Kështu publiku merr përgjigje të sakta mbi pyetjet e shumta që i dalin nga vizita në kala dhe, sidomos të huajt mund të kuptojnë vendin që po vizitojnë, si ka ardhur ky vend deri në ditët tona. Kuriozitet i fundit: informacioni i dhënë është jo vetem në shqip dhe anglisht por edhe në alfabetin brail, që të bëhet i kapshëm edhe nga njerëzit që nuk shikojnë. Për ta janë prodhuar edhe kopje të objekteve përfaqësues që me anë të të prekurit të perceptohet forma e objekteve, kryesisht të arkeologjisë. Përveç kësaj ka edhe lehtësira të tjera për njerëzit me aftësi të kufizuar me qëllim që të bëhet i arritshëm edhe nga kjo kategori sociale.
Së fundmi: Ky ristukturim i muzeut është financuar me fondet e Bashkisë Shkodër dhe Niarcos Fndation (krijimi i lehtësirave për njerëzit me aftësi të kufizuara) dhe është realizuar krejtësisht nga personeli i Muzeut Historik Shkodër.
Ja pra, se si një muze, një tempull i vogël i lashtësisë do të ishte mirë të ishte aktiv e i tillë për çdo qytet shqiptar që mbart një histori të caktuar që të mund të japë bollshëm përgjigje për mjaft pikëpyetje, që mund të mbijnë në kokën e çdo vizitori për historinë dhe identitetin e një qyteti kur ai nuk mundet ta vizitojë plotësisht vetë qytetin.
Autori është përgjegjës i Muzeut të Kalasë Rozafa

3.5/5 rating (2 votes)

Hits

6314

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.