Dymijëekatërmbëdhjeta ishte viti i Shqipërisë

Dymijëekatërmbëdhjeta ishte viti i Shqipërisë

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 09 January 2015. Posted in Fokus

Shqipëria pati një bum të madh përsa i përket promocionit dhe marketingut turistik

Dymijëekatërmbëdhjeta ishte viti i Shqipërisë

E thënë kështu, në mënyrë deklamative, kjo shprehje nuk i shpëton syrit të mprehtë të skepticistëve dhe nënqeshjes ironike të pesimistëve shpotitës, që përballë optimizmit që mbulon titullin, të të tundin para fytyrës statistikat kokëforta të turzmit “outgoing”, që natyrisht e kalojnë lirshëm dhe shumë herë shifrën e turistëve që hyjnë në Shqipëri ose thënë më gjuhën e turizmit; “incoming”Por 2014-a ishte vërtet viti i Shqipërisë, së paku përsa i përket promocionit dhe marketingut turistik, duke i shtuar kësaj edhe rritjen në mënyrë progresive të turistëve të huaj që hyjnë çdo vit në Shqipëri, kryesisht përgjatë sezonit të verës. Nuk po përpiqemi fare të themi nëse kjo rritje numri i detyrohet rritjes, fjala vjen, të shërbimeve apo të kapaciteteve pritëse të Shqipërisë. Le të themi që rritja vjen prej njohjes më të madhe të Shqipërisë prej të huajve nëpërmejt shumë burimeve tashmë, që të mbledhura bashkë përbejnë të tërën, Shqipërinë, jo më edhe aq të panjohur.

 Mediat e huaja anekënd botës, ato prestigjoze dhe ato më pak të njohura, gazetarë e udhërrëfyes edhe nga përtej kontinentit, shkruan e klasifikuan lista destinacionesh ekzotike e tërheqëse nga e gjithë bota, ku Shqipëria ishte patjetër pjesë e pamunguseshme. Tim Neville, shkrimtari udhëpërshkues nga Amerika, i dashuruar me Shqipërinë siç thotë, nuk është mjaftuar me atikujt e tij të njëpasnjëshëm mbi vendin tonë në Neë York Times por e ka çuar përvojën e tij edhe në revista e media të tjera udhëtimesh, që botohen apo klikohen nga miliona njerëz.

Panairet promovuese

Agjensia Kombëtare e Turizmit e rriti ndjeshëm axhendën e pjesëmarrjes së panaireve, duke i shtuar listës së përvitshme edhe prezantime të Shqipërisë në Azinë e largët, si në Singapor apo Izrael. Duke mos u mjaftuar vetëm me panairet jashtë, një punë e madhe u bë edhe në Shqipëri, për të njohur edhe vetë shqiptarët me Shqipërinë që nuk njohin ende. Panairi i Dimrit në fundin e vitit 2013, Panairi i Pranverës në mars të këtj viti,  një sërë panairesh lëvizëse nëpër qytetet turistike të Shqipërisë, por edhe ture të shumta arkeologjie e aventure, me gazetarë shqiptarë e të huaj, tur operatorë dhe personalitete të huaj në Shqipëri, ndërmarrë nga AKT, kanë krijuar një rezonacë të ndjeshme jashtë kufijve të Shqipërisë, përkthyer kjo në artikuj, hapje të re tregjesh turistike për Shqipërinë dhe frekuentim të destinacioneve edhe jashtë pikut të sezonit të verës. Është fakt, që sitet arkeologjike si Butrinti, Shkodra, Apollonia apo qyetet e UNESCO-s Berati e Gjirokastra, presin turistë në numër të konsiderueshëm, edhe përgjstë muajve të vjeshtës, deri në prag të dimrit. Në muzeun e Krujës, grupet e fundit të turistëve, janë në dhjetor (pa folur për vizitat sporadike, që ndodhin në çdo kohë të vitit).

Zbuluesit e natyrës

Shqipëria nuk është më aq e panjohur sa më parë. Kjo, falë edhe një vale aktivitetesh shumë të bukura e të veçanta, të gjitha në harmoni me natyrën, të bëra nga profesionistë e amatorë, që kanë filluar të grupohen vitet e fundit, duke mos qenë më aq sporadike dhe të papërfillshme, sa të mos ndikojnë në njohjen e Shqipërisë apo lëvizjen turistike të vetë shqiptarëve nëpër Shqipëri. Tashmë High Albania Mountain Club, ka kalendarin e saj vjetor të aktiviteteve sportive-kreative, me ngjitje, alpinizëm e ecje në natyrë, ku secili mund të jetë pjesë. Po kështu djemtë e grupeve aktive të të rinjve (por jo vetëm), si Klubi i Kampistave “Discover Albania” apo “My Albania Nature Explorers”, po bëjnë një punë të mirë duke zbuluar cep më cep çdo skutë natyrore, ato që nuk i sheh syri kur udhëtohet me makinë.
Nëse doni të zbuloni e të sfidoni majat e maleve të Shqipërisë, duhet të bëheni anëtar i Alpinizëm, Ski & Turizem Malor Elbasan (Federata e Alpinizmit Shqiptar) ose shkurt AST Elbasani. Shoqata e alpinistëve profesionistë të Shqipërisë, pranon në gjirin e saj çdo dashurues të natyrës, që ka dëshirë të sfidojë majat,  duke njohur njëkohësisht edhe vendet më të bukura të Shqipërisë, por edhe të rajonit rreth e qark. Majat e Korabit, të Gramozit, të Valamarës, të Jezercës,  të Dajtit, të Malit të Thatë, e thuajsë të gjitha majat e Shqipërisë, nuk fshehin më asgjë për anëtarët  e AST Elbasani, që në fakt nuk kanë pushtuar vetëm ato, por edhe shumë vende deri më sot të panjohura të Shqipërisë, duke i kthyer në destinacione të arritshme për këdo.
Ekspeditat e Albania Adventure, i kanë zbuluarnjë pjesë të mistereve të botës nënujore të Shqipërisë, me zhytjet dhe eksplorimet e Rivierës, në zonën më të bukur të saj, diku mes Dhërmiut e Himarës. Por aventurat e tyre nuk kufizohen vetëm me zhytje dhe kajak. Me Albania Adventure mund të eksploroni edhe shtigjet e Shqipërsië në çdo kohë, edhe atëhere kur mendoni se është e pamundur.

2014-a ishte edhe Viti i Rafting

E kush më shumë se Albania Rafting Group ka luftuar këtë vit për promovimin e Shqipërisë së Bukur duke e nisur këtë me Beratin e Skraparin, dy bukuri, njëra kulturore e tjetra natyrore, që të gërshetuara bashkë, bënë shumë njerëz që të shkonin atje e t’u shijonin magjinë. Pothuajse të gjitha personalitetet e lartë shqiptare duke filluar që nga kryeministri i Shqipërisë, Kryetari i Parlamentit, ambasadorë të shumtë e përfaqësuaes shoqatash e fondacionesh, ishin së paku një herë këtë vit në Osum, për të provuar adrenalinën dhe për të ndjerë nga afër magjinë e kanioneve më të bukura në Ballkan, përmes një udhëtimi të paharrueshëm me rafting, nën drejtimin e Albania rafting Group.

Mediat

Edhe mediat kanë bërë një punë të lavdërueshme, duke qenë si rrallëherë në anën e turizmit, me reportazhe, shkrime, emisione televizive, debate pozitive, e gjithçka që i shërben turizmit, duke luajtur një rol, jo më dëmtues e duke “harruar” të paktën në sezonin turistik, problemet e shumta që ende ka turizmi shqiptar.

Turistët lindorë

Të gjithë kemi qenë të ndërgjegjshëm duke e perceptuar në terren, sidomos stafi i revistës Travel, shtimin e ndjeshëm të turistëve lindorë e të vendeve slave, që tashmë rëndom kanë “pushutar” Durrësin, Sarandën e Vlorën, duke i bërë shoqëri nëpër plazhet sidomos të jugut, edhe turistëve nordikë, që janë shtuar edhe ata ndjeshëm, kahasimisht me vitet e kaluara. E kjo falë punës së palodhur me kontakte të drejtpëdrejta në vendin përkatës, të agjencive si Shkodra Travel apo In Tours Albania, për ta kthyer Shqipërinë në destinacion fundor e jo më një stacion tranzit ku shpenzohet vetëm dreka apo një biletë muzeu. Turistët e vendeve të ftohta mund ta shfrytëzojnë tashmë shumë bukur pranverën dhe vjeshtën tonë të ngrohtë.
E pra, Shqipëria jo vetëm që nuk është më aq e panjohur, por mund të thuhet me plot gojën, të paktën për nga ana e promocionit turistik, që dymijëekatërmbëdhjeta ka qenë viti i Shqipërisë. A do të jetë kështu e në vazhdë edhe viti që vjen? Le ta presim e të shohim.

 

1.0/5 rating (1 votes)

Hits

2850

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.