Ali Pasha i Greqisë dhe jo Ali Pasha i Tepelenës

on Monday, 04 February 2013. Posted in Fokus

Kalaja e Tepelenës është shëmbëlltyra më e mirë e injorancës shqiptare, e harresë së trashëgimisë kombëtare, e barbarisë dhe indiferencës shtetërore.

Ali Pasha i Greqisë dhe jo Ali Pasha i Tepelenës

Auron Tare

Kujtdo që i ka rënë rruga për në Janinë është habitur me ruajtjen dhe respektin që janinjotët i kanë bërë kalasë së Aliut. Për Greqinë dhe grekët, Veziri i famshëm i Tepelenës nuk është hero. Përkundrazi e kanë nëmur jo pak në folklorin dhe gojëdhënat e tyre. E kanë përçmuar madhështinë e tij, e kanë sulmuar famën e tij, e kanë baltosur jetën e tij, por çuditërisht grekët ia kanë ruajtur trashëgiminë. Kalaja e sotme e Janinës është dhe mbetet vepër madhështore e fuqisë së tepelenasit, që fama i kishte mbërritur në sallonet e aristokracisë europiane. Mirëpo grekët janë komb i qytetëruar, kanë edhe kryeministra që në mos e duan, të paktën e respektojnë trashëgiminë kulturore. 

 

Jo më larg se një orë me makinë është një tjetër kryevepër e Ali Pashës. Kalaja e Tepelenës është shëmbëlltyra më e mirë e injorancës shqiptare, e harresë së trashëgimisë kombëtare, e barbarisë dhe indiferencës shtetërore. Ministra e burra të rëndë nga ky qytet kanë ardhur e kanë ikur nga qeveritë shqiptare në këto 20 vjet dhe askush nuk vuri një gur mbi muret e rrënuara, nuk hoqi një dorë plehrash nga udhët e kalasë. E braktisur pafundësisht, e dhunuar barbarisht vetëm ashtu siç dinë të dhunojnë shqiptarët, Kalaja e Tepelenës pret qetësisht për t’u rrënuar përgjithmonë duke iu rënë në kokë të gjithë atyre që kanë pasur në dorë të bëjnë diçka dhe nuk e kanë bërë. 

E si për ta tallur përfundimisht emrin e Aliut të Madh, Vezirit me Dy Tuje, heroit të veprave të iluministeve francezë, kryeministri i lavdishëm Sali Berisha hodhi shashkën tymuese për sjelljen e kokës së tij në Tepelenë. 
Por pa u shuar akoma jehona e piskajës së tij, shkova për të parë se çfarë po bënte ministria e tij e Kulturës me Kalanë e Vezirit. 
Pamja që më doli para syve nuk ka fotograf që mund ta japë realisht, megjithëse u mundova të kapja të paktën shtrimin e hyrjes së portës kryesore të Kalasë. Pasi kishin gërmuar me ekskavator hyrjen e kishin shtruar me çimento dhe gur me gunga sikur të ishte parking fshati. Firma që përdor taksat e shqiptarëve të dhëna nga MTKRS pasi kishte shqepur kalldrëmet origjinale, që çuditërisht i kishin rezistuar kohës, kishte hedhur çimento të trashë dhe me një shpejtësi që vetëm firmat që vjedhin mund ta bëjnë e kishin mbyllur “restaurimin” alla MTKRS të këtij monumenti të rëndësishëm. 
Ky restaurim i trashëgimisë së Vezirit është prova më e mirë se sa seriozisht e ka nacionalizmin Berisha ynë, i cili si gjithmonë para turmave përbetohet për çështjen shqiptare. Përpos që tallet me shqiptarët duke shpërfytyruar deri edhe flamurin kombëtar, tashmë me lekët e qeverisë prish edhe ato pak gjëra që i kanë mbetur kësaj trashëgimie.g.sh

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

2807

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.