Albanopolisi i panjohur -atje ku zë fill emri ndërkombëtar i shqiptarëve

Albanopolisi i panjohur -atje ku zë fill emri ndërkombëtar i shqiptarëve

Written by Dritan Zaimi on Friday, 01 February 2013. Posted in Fokus

Një vështrim mbi origjinën tonë të hershme, që e kemi harruar mes ferrave...

Albanopolisi i panjohur -atje ku zë fill emri ndërkombëtar i shqiptarëve
 Nga: Dritan ZAIMI
 “Të dish apo të kesh?”, një pyetje që e hasim shpesh dhe sipas mënyrës tonë i përgjigjemi duke kënaqur rrethana të caktuara, por “të kesh dhe të mos e dish” kjo do të ishte sa ironike aq edhe e dhimbshme. Kur bëhet fjalë për destinacione turistike, shtete të tëra sot në botë, mundohen të jenë sa më shumë atraktivë në sytë e turistëve. Secili duke u bazuar në burimet e veta, përcakton tiparet dalluese dhe zhvillon avantazhin konkurues për të thithur sa më shumë vizitorë. Edhe nëse nuk i  kanë vlera të caktuara, i krijojnë ato. Po kështu çdo rajon brenda një vendi, dhe çdo qytet brenda çdo rajoni, thërret gjithë atraksionet e veta për të realizuar një paketë sa më të plotë, intriguese dhe interesante për turistët duke pasuruar jo vetëm eksperiencën e turistëve por edhe jetën dhe mirëqënien social-ekonomike të komunitetit të tij. E padyshim, në këtë mori vlerash të ofruara, ato më të lashtat, kanë privilegjin të vizitohen më shpesh dhe të vlerësohen më shumë. 

 

 M’u desh të kuturisja në këtë mënyrë, për tu ndalur posaçërisht në jetën e banorëve të një qyteti të vogël, ku jeta gëlon me halle dhe papunësi si në shumë të tjerë në Shqipëri, pikërisht në Fushë-Krujë. Atje,  ku çdo vit kalojnë me autobus me mijëra turistë të drejtuar drejt Krujës dhe që rrallë ndalen në Fushë-Krujë dhe rrethinat e saj.  Ate ku fle në heshtje një ndër thesaret më të çmuara që lidhet thellë me identitetin tonë, dhe që për çudi njihet shumë pak edhe nga vetë banorët e Fushë-Krujës, dhe, edhe më pak vizitohet prej tyre.
Qyteti antik Albanopolis ose Zgërdheshi i sotëm[i] gjendet ndërmjet qytetit të Fushë- Krujës dhe atij të Krujës, vetëm 10 km larg Aeroportit  “Nënë Tereza”. Megjithëse ende i pazbuluar dhe studjuar mirë, tani atje duken qartë muret rrethues dhe disa objekte të tjerë karakteristikë. Të dhënat e para të shkruara për këtë qytet gjenden në veprën e Ptolemeut “Gjeografia”, në shekullin e dytë të erës tonë. Mendohet që qyteti ka qenë kryeqendra e fisit ilir të Albanëve, nga të cilët rrjedh edhe emri ynë në botë, gjeneza e pasaportës tonë ndërkombëtare. Çdo banor i Fushë-Krujës duhet të ishte orator i palodhur, të fliste vazhdimisht e me mburrje, madje deri në egoizëm, për këtë vlerë të zonës së tij, madje të tërhiqte pas krahu çdo vizitor duke mos e lëshuar pa i treguar këtë kala të lashtë, dhe sigurisht në këtë mënyre të ishte pjesëmarrës aktiv në zhvillimin e turizmit dhe të nxirrte përfitimet e tij ekonomike nëpërmjet kontributit të tij. Fatkeqësisht, asnjëra dhe as tjetra nuk ndodh.
 Sipas studimeve të dijetarit të shquar shqiptar Prof. Selim Islami, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit të IV deri në shekullin e I para erës së re. Ai u ndërtua fillimisht mbi bazën e një vendbanimi të fortifikuar të fiseve ilire të këtyre trevave gjatë periudhës protourbane. Studime e gërmime të pjesshme që njihen, janë bërë në këtë qytet që në mesin e shekullit të XIX nga shumë dijetarë të huaj ndër të cilët austriaku Georg Hahn. Rilevimi i parë topografik i zonës së qytetit është bërë në qershor të vitit 1919 nga arkeologët austriake Praschniker e Schober. Veçanërisht ata bëne rilevimin e sistemit të fortifikimit dhe studjuan muret karakteristikë rrethues të ndërtuar me blloqe gurësh kuadratikë shumë të mëdhenj.
Është provuar që në kohën e lulëzimit të tij, Albanopoli ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Ilirisë dhe që kishte marrëdhënie të fuqishme tregtare me qytete dhe treva të tjera. Gjatë gërmimeve atje janë zbuluar gjetje të shumta ndër të cilat shumë monedha të prera në Dyrrah, Apolloni, Lisus, Korkyrë, Maqedoni etj.
Me kalimin e shekujve, për shkak edhe të luftrave e lëvizjeve të mëdha në Ballkan e në tërë Europën, Albanopoli e humbi rëndësinë e tij si qytet por ka lënë pas gjurmët e një qytetërimi të lashtë që dëshmojnë historinë e lavdishme të shqiptarëve. Të vizitosh Albanopolin do të thotë të kesh mundësi të lexosh pak nga historia e Shqipërisë. Duke u nisur nga fakti  se në libra, emri Zgërdhesh përmendet shumë pak, të krijohet ideja se kemi të bëjmë me një histori e cila nuk ka lënë shumë gjurmë, ose maksimumi një pirg të izoluar me gurë të çrregullt, dhe ndërsa e viziton këtë vend të lashtë dhe njihesh me përmasat, shtrirjen përgjatë faqes së një kodre të tërë, kur sheh fragmentet e mureve që qëndrojnë ende, pozicionin strategjik, kur shijon pamjen mjaft piktoreske dhe njihesh me historinë e lashtë, mbetesh i magjepsur dhe fajtor që nuk e ke njohur më parë, që e ke injoruar këtë vlerë të madhe deri tani, dhe madje kritikon në faj edhe persona të tjerë që ndoshta e kanë ditur dhe nuk të kanë treguar. Si ka mundësi, ky vend që duhet të vizitohet nga çdo shqiptar, që ndodhet kaq afër kryeqytetit, që na ka dhënë emrin Albania dhe Alban, të jetë kaq i panjohur?! E çuditshme gjithashtu që rruga megjithëse jo shumë e gjatë nga Fushë-Kruja deri në Zgërdhesh, nuk është shtruar akoma, që nuk gjen një ciceron dhe madje informohesh që nuk ka madje as roje. E çuditshme që nuk gjen asnjë foto, tabelë apo tjetër mjet informativ nëse je në vendndhodhje dhe interesohesh të mësosh më shumë. E çuditshme që ndërsa rruga për në Zgërdhesh devijon nga rruga automobilistike, nuk të kap syri asnjë shenjë apo tabelë dinjitoze për këtë vend të rrallë. E çuditshme që atje rrallë gjen turistë, megjithëse autobuzët e mbushur plot kalojnë gjithmonë rrugës për në Krujë, dhe sërish e çuditshme që askush nga agjencitë turistike në Fushë-Krujë apo Krujë nuk e ka futur në itinerarin e vet.
Kruja, në vetvete ka një histori të lavdishme, por është më e vonë se ajo e qytetit antik Albanopolis, e megjithatë, të dyja këto qytete (Fushë-Krujën dhe Krujën e sotme) i bashkon një simbolikë madhore në kontributin që ato kanë dhënë në identitetin tonë kombëtar. Kruja si qëndresa e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, dhe qyteti antik Albanopolis si origjina e pasaportës sonë ndërkombëtare, dy fakte mjaft tërheqës për çdo historian apo vizitor të thjeshtë, dhe kaq pranë njëri-tjetrit këto vende, kaq pranë Aeroportit Ndërkombëtar, dhe Tiranës, kaq afër portit të Durrësit. A nuk do të ishte plot me vlerë një itinerar që do të gërshetonte të gjitha këto site si Amfiteatrin e Durrësit, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Prezës, Kalanë e Zgërdheshit dhe Kalanë e Krujës, në një tur mbresëlenës midis antikitetit dhe mesjetës shqiptare? Besoj se asnjë vizitor nuk do të mbetej i zhgënjyer. [i] Informacioni nga Shoqata “Albanopolis”

 

4.0/5 rating (1 votes)

Hits

3980

About the Author

Dritan Zaimi

Pedagog turizmi

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.