Rritja e fluksit të turistëve në Shqipëri? Këtë vit vjen nga Rusia

Rritja e fluksit të turistëve në Shqipëri? Këtë vit vjen nga Rusia

Written by Flora Xhemani Baba on Saturday, 17 March 2018. Posted in Fokus

Tur operatorët shqiptarë po i sjellin turistët por a jemi gati t`i presim?

Rritja e fluksit të turistëve në Shqipëri? Këtë vit vjen nga Rusia
Le ta themi hapur: turizmi në Shqipëri ka ecur me hapa galopantë dhe ndonëse merr me vete edhe probleme të shumta, është një sektor i ekonomisë që ndikon ndjeshëm në prodhimin e brendshëm bruto të vendit. Zhvillimi kaotik ka lënë vërtet shumë boshllëqe, që kanë rritur ndjeshëm distancën mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit përsa i përket cilësisë së turizmit në përgjithësi por ajo që është për t`u theksuar me optimizëm në gjithë këtë histori është fakti se gjithashtu ngjarje të mëdha e të rëndësishme po ndodhin, duke u përpjekur jo vetëm të zvogëlojnë distancën dhe konkurencën me ofertën turistike në rajon, por edhe që po sjellin të ardhura të konsiderueshme në ekonomi. 

Hyrja e Shqipërisë në tregun “all inclusive”, që ushqehet përmes prurjeve me avionë çarter (ose të prenotuar) me paketa turistike të parapaguara, bëri që vëmendja e jo pak kompanive të mëdha turistike nëpër botë, të kthehet nga Shqipëria, jo vetëm si destinacion interesant dhe ende i pazbuluar i Mesdheut por edhe si një platformë e pashfrytëzuar turistike me çmime të favorshme. Por që të fillonte ky process, u desh puna e tur operatorëve shqiptarë, që në kushte thuajse të papërshtatshme e në një treg të vështirë, që konkurohet lehtësisht nga të gjitha vendet e rajonit në shumë sektorë të turizmit, që edhe Shqipëria të bëhej pjesë e kësaj harte. E pasi vendet e Europës Lindore si Polonia, Çekia dhe Sllovakia mbushën avionët e parë çarter, nën bashkëpunimet e tur operatorëve shqiptarë si Intours, me agjenci partnere të vendeve përkatëse, apo vendet skandinave që për herë të parë zbuluan bregdetin shqiptar dhe nuk e braktisën më, historia e turizmit “all inclusive” apo paketave të parapaguara vazhdoi si një proces i pandalshëm.

Sot, një tjetër gjigand i turizmit, i njohur në botë si TUI Rusia, prek Shqipërinë, përmes prurjeve të turizmit rus, në sajë të bashkëpunimit ekskluziv me Intours Albania, me të cilën do të “furnizojë” bregdetin shqiptar, me një numër të konsiderueshëm avionësh çarter, që nga qershori e deri në fund të shtatorit. Pas bashkëpunimeve të suksesshme në tregun polak por edhe me vende të tjera të Evropës Lindore e Qendrore, Intours i ka hedhur sytë në tregun e madh rus, që në fakt është një hambar i begatë për të gjitha destinacionet turistike të Europës.

Duhet theksuar se turistët rusë, njihen si turistë të kategorive të larta, që shpenzojnë për pushime luksi e që kryesisht zgjedhin Turqinë si destinacion të preferuar veror. Më shumë se 4 milion rusë pushojnë çdo vit në plazhet turke, duke i sjellë mjaft të ardhura ekonomisë së këtij vendi. Por Turqia është një vend i madh dhe ne nuk kemi nevojë për 4 milion turistë, për arsyen e thjeshte se nuk kemi strukturë pritëse për një numër kaq të madh turistësh. Prandaj do të mjaftonte puna e pak kompanive turistike që operojnë në tregun rus, për të “pushtuar” plazhet shqiptare.

Pyetja që shtrojmë, vjen nga shqetësimi kryesor, ai i mungesës së akomodimit. Nëse tregu rus kap shfrën e qindra mijërave e aq më mirë atë të milionave, ku do t`i presim? A kemi aq strukturë të përshtatshme për të pritur një turist me pretendime për standarte, siç është turisti rus? A do të jemi në gjendje që paralelisht me punën kolosale të operatorëve turistikë për të shtuar burimet e ardhjes së turistëve, të shtojmë edhe infrastukturën pritëse?

Le presim e të shpresojmë ndërkohë se rritja e fluksit nuk do të na sjellë herët a vonë drejt të keqes së pashmangshme të cilës të gjithë i druhemi; efektit bumerang.

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

13478

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.