Tri ditë fshatare rreth Liqenit të Dritës

Tri ditë fshatare rreth Liqenit të Dritës

Written by Irhan Jubica on Sunday, 17 September 2017. Posted in Reportazh

Nga Tushemishti në Voskopojë e Moravë e nga Republika e Vevçanit në Elshanin e gomarëve

Tri ditë fshatare rreth Liqenit të Dritës
Në Voskopojën e Shenjtë
Mëngjesi i 18 Shkurtit na gjeti buzë liqenit më të vjetër të Europës, e ndonëse dita ishte e kthjellët, reflektimi i diellit në dëborën e maleve përreth nuk arrinte të kthehej në ngrohtësi, por vetëm në dritë, në shumë dritë.
Ishte një nga 300 ditët me diell të Liqenit të Dritës.
Tymi i druve të zjarrit nga oxhaqet e shumtë thoshte se qyteti qe zgjuar herët, por vetëm 4-5 veta dukeshin në bulevardin buzë shtatoreve të Lasgushit e Mitrushit, ku gjuhët e dallgëve ende zgjateshin përtej bregut ranor. Është vetëm gjysma e një grupi gazetarësh që Partners Albania ka ftuar për të vëzhguar nga afër potencialin e turizmit alternativ në juglindje të Shqipërisë dhe në jugperëndim të Maqedonisë. Pjesa tjetër e ka marrë me nge kafenë e mikpritjes pogradecare.
Presim maqedonasit, por Jonida Alite, drejtuesja e grupit njofton se kolegët nga Lindja do të na bashkohen në Voskopojë. Mbërrijmë dhe sistemohemi në shtëpitë pritëse të ish-kryeqytetit kulturor të Mesjetës, por miqtë vijnë në orët e vona të drekës.
Pak përpara se dielli ta marrë ditën me vete, të dy grupet nisen për të vizituar atë çfarë ka mbetur pas 3 shkatërrimesh të shekullit XVIII dhe XX: kishën e Shën Kollit të pikturuar nga David Selenica dhe vëllezërit Zoografi, e ndonjë tjetër që diktaturës ateiste i shërbeu si magazinë. Prifti i mirë papa Thoma, i cili pranon se i ka hyrë rrugës së Zotit në fillim të viteve ’90, nuk është në gjendje t’u thotë miqve maqedonas se mrekullia më e madhe e asaj kishe, më fort se me emrin e shenjtit Nikollë, ka lidhje me faktin se ajo i mbijetoi delirit komunist të pas 1967-s, që në Shqipëri rrënoi mbi 2 mijë objekte kulti - gjë e pakonceptueshme për vendin që - siç thoshte Don Simon Jubani - e dënoi Zotin me vdekje.
Banorët e Voskopojës tregojnë gjëra që duhet t’i ballafaqosh në një kafe me kryetarin e komunës, i cili e sheh veten të suksesshëm, por fshatin të rrezikuar nga Reforma Territoriale-Administrative. Sidomos nëse kryetari i madh i Korçës, që do të dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit, nuk do ta shohë me prioritet Njësinë e re Vendore të Voskopojës, e cila në fakt, do të përfshijë në vetvete edhe disa komuna aktuale.
Vjen koha e darkës dhe mblidhemi sërish te Aliu, djali i pafjalë i të cilit, student ekonomiku, na ka shërbyer që paradreke si nuset e qëmotit, me një përzierje mes përulësisë dhe krenarisë. Ushqimet janë të shumëllojshme, por të zotit të shtëpisë i pëlqen të flasë sidomos për patatet bio, tashmë të certifikuara - që e shoqja i ka pjekur në furrë. Ky është një nga bizneset e vogla të Voskopojës, e cila mëton të rimëkëmbet falë turizmit familjar, një alternativë që sipas vendasve, është përkrahur nga organizata joqeveritare, por jo nga shteti shqiptar. Megjithatë, nga ana tjetër, edhe shteti ende punon vetëm me një sy e vesh për mbledhjen e taksave nga këto biznese - nëse vërtet mund të quhen të tilla për aq kohë sa janë në varësi të beharit të shkurtër, sepse vizitorët e rrallë të dimrit - tiranasit - vijnë veç fundjavave.
As vera e ëmbël që derdhet si në “Rubairat” e Omar Khajamit e as zjarri i stufës nuk e shpërndan dot mjegullën e akullt mes dy tavolinave tona, ndërsa prezantimi i secilit prej gazetarëve ndiqet me më shumë interes. Maqedonasit dokumentojnë vazhdimisht: shkruajnë, regjistrojnë, xhirojnë. Thuajse të gjithë kanë dyfishin e moshës së gazetarëve shqiptarë, e ndoshta kjo i bën të duken më seriozë edhe kur pinë.
Bëhet vonë dhe të gjithë shpërndahen nëpër 3 shtëpitë e pritjes, me zjarre bubulakë në oxhaqet që përveç salloneve, ngrohin kaloriferët e çdo dhome. Edhe pse me mobilim modest, dhomat pasqyrojnë traditën e famshme të juglindjes për pastërti e rregull. Në fund, përsëri ndonjë gotë verë me të zotët e shtëpive të cilët do të kujdesen gjithë natën për zjarrin e mysafirëve - dhe gjumë.
Mbrëmja tjetër do të na gjejë në “Republikën e Vevçanit” të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Dita tjetër
Pas një mëngjesi tradicional e më të bollshëm se darka, mikrobusi ynë me Xhevon e kujdesshëm në krye niset drejt Akademisë, ndërsa maqedonasit ndryshojnë përsëri plan: zbresin në Korçë, prej nga, të gjithë do të duhej të bashkohemi për t’u ngjitur në Moravë.
Kohët moderne kanë koston e tyre, e Kulla Panoramike e Korçës i ngjan celularëve të parë - kaba - por të përdorshëm nga njerëzit. Megjithatë kjo s’do të thotë se struktura e betontë do të bëhet më elegante me kalimin e viteve; thjesht njerëzve do t’u mësohet syri me të.
Mes shakave të pafundme prej atyre që puna i ka njohur më parë me njëri-tjetrin, mbërrijmë përsëri të parët te njëri prej restoranteve më të vjetër në Moravë, që mikpritësi bujar e buzagaz ka zgjedhur ta pagëzojë me emër italian. E ndërsa shtrohet dreka, maqedonasit vijnë, e ne u urojmë zyrtarisht mirëseardhjen - 24 orë me vonesë - duke theksuar se shpresojmë që kjo vizitë e përbashkët do të jetë një mundësi e mirë për integrim jo vetëm mes organizatave të kushtëzuara nga Bashkimi Europian për të bashkëpunuar në të dyja anët e kufirit, por edhe mes mediumeve që përfaqësonim, e sigurisht edhe mes popujve tanë fqinjë.
Përsëri gosti. Gatimi tradicional i mishit, brumërave e sallatave, por edhe vera e rakia sipas qejfit, të jep mundësinë t’i krahasosh me gatimet e ngjashme në Voskopojë, ku në të vërtetë, gjithçka ishte më autentike. Ndërkohë, dikush shfrytëzon rastin për t’u fotografuar pranë kryqit të kishës së Shën Ilias, e dikush tjetër merr shënime apo intervista në oborrin e stërmadh të kompleksit luksoz që ende vazhdon të zgjerohet në majë të Moravës.
Sipas programit, koha e kthimit nga Korça për në Pogradec, përkon me takimin me kryetarin e komunës së Vevçanit, Cvetomir Ugrinoski, por ky nuk ishte ndryshimi i vetëm: një kafe e gjatë në Drilon do të zhvendoste edhe vizitën në Tushemishtin dy hapa larg, ndërsa të nesërmen, maqedonasit do të shkurtonin thuajse gjysmën e agjendës.
“Republika e Vevçanit”
Sinjali i fortë i kompanive celulare që operojnë në Shqipëri, por edhe hapësira e liqenit, mundëson biseda telefonike me të afërm e kolegë deri në thellësi të Maqedonisë. Lëmë pas Ohrin dhe Strugën, për t’iu ngjitur anës tjetër të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, në një fshat malor të denjë për Guinnes, rreth 180 km në jugperëndim të Shkupit. Vevçani është komuna më e vogël e Maqedonisë dhe është e vetmja komunë që përbëhet nga vetëm një qendër e banuar: fshati Vevçan. Si një shtet brenda shtetit, “Republika e Vevçanit” kufizohet nga të gjitha anët vetëm nga Komuna e Strugës. Përveç kësaj, fshati me diçka më shumë se 2 mijë banorë që në vitin 2013 hoqi njëanshëm çdo tabelë në gjuhën shqipe, ka targat e veta të makinave, liçnikët - kartëmonedhat e karnavaleve, e qysh prej vitit 2000 edhe pasaportat e veta - të dytat, jo të vlefshme, por shprehje e një karakteri me të cilin mburrej në darkën e mirëseardhjes edhe pronari i restorantit thellësisht tradicional, “Kutmicevica”. Por kjo puna e pasaportave nuk ka qenë gjithmonë siç është tani - një truk për të tërhequr turistët: në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, më 19 Shtator 1991, vetëm 11 ditë pas shpalljes së Republikës së Maqedonisë, banorët e këtij fshati prej 22.8 km², duke u thirrur, sipas tyre, në të drejtën e popujve të Ballkanit për vetëvendosje, vetëshpallën Republikën e Pavarur të Vevçanit deri më 8 Prill 1993 kur hyri në juridiksionin e Komunës shqiptare të Strugës, për t’u shkëputur si komunë më vete në vitin 2002.
Të nesërmen në mëngjes, teksa ktheheshim nga burimet e Vevçanit, drejtuesja e grupit të maqedonasve, Gonce Jakovleska nga Fondacioni MEDF, e arsyetoi mungesën e gazetarëve shqiptarë në përbërjen e grupit nga Maqedonia, me situatën e rëndë politike prej aferës së përgjimeve, edhe pse “bomba” e Zoran Zaev’it ka angazhuar njëlloj të gjithë median e këtij vendi.
Imazhi, marketingu, guida
Ndoshta përvoja e gjatë në turizëm e republikave të ish-Jugosllavisë së Paangazhuar që kanë pritur prej dekadash në brigjet e Adriatikut yjet e kinemasë e liderët e politikës botërore, standardi ekonomik i trashëguar, por edhe financimet prej gati 3 milionë eurosh të manifestimeve vjetore maqedonase në Ohër, Strugë, Manaki etj., janë tregues të pamohueshëm të arsyes pse Maqedonia gëzon vëmendje - në këtë rast, turistike. Ata dinë të kujdesen në detaje për imazhin, të cilin pastaj përpiqen ta shesin për më të madh nga ç’është në të vërtetë. Kjo u dëshmua jo vetëm në shtrimin e ushqimit tradicional e krejt të zakontë të darkës së fundit, por edhe gjatë vizitës në Elshan, pak kilometra në jug të qytetit të Ohrit dhe Parkut Kombëtar Galiçica. Krejt ndryshe nga Vevçani, fshati Elshan nuk dëshmon ndonjë unitet tradite në arkitekturë, pasi shtëpitë - të reja apo të vjetra - përveç betonit nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën. Mirëpo, në kuadër të programit për promovimin e turizmit alternativ, vizita jonë ishte ecje malore në këmbë dhe me kafshë, si dhe shijim i traditës - që më shumë se i ushqimit - ishte i mënyrës së shërbimit të tij. Guida, pronar i një agjencie turistike në Ohër, ishte tepër i shkathët për të treguar histori, për të joshur gazetarët që t’u hipnin gomarëve të shoqëruar nga gratë vendase, për të shërbyer me ceremoni dhe solemnitet në një dërrasë mbi shpatull bukën e sapopjekur në furrën aty pranë, e madje edhe për të përshëndetur deri te mikrobusi, njërën prej plakave të fshatit, që bartte kostum kombëtar maqedonas. Për fat të keq, pikërisht një guidë si ai burrë mungoi gjatë turit tonë në Voskopojë, Tushemisht e Moravë, fshatra që gjithashtu janë pjesë e të njëjtit projekt të përbashkët “Drejt një turizmi alternativ” të nisur në Maj të 2013-s mes Partners Albania dhe Fondacionit Maqedonas për Zhvillimin e Ndërmarrjeve (MEDF), me financim nga projekti IPA i Bashkimit Europian për zhvillimin e turizmit në Qarkun e Korçës në Shqipëri, si dhe në zonën kufitare të Strugës, Ohrit, Debarças e Vevçanit në Maqedoni. Në një njoftim të shpërndarë për median, organizatorët thonë se kanë trajnuar pronarët dhe punonjësit e bizneseve të vogla që funksionojnë si turizëm familjar për shërbimin dhe kujdesin për klientin, komunikimin efektiv, menaxhimin e binzesit, hartimin r strategjisë dhe planit të biznesit, promovimin dhe marketingun, trajnim që po jepte rezultatet e para. Megjithatë, duhet edhe angazhimi i organizatave të tjera me programe të veçanta për trajnimin profesional të guidave, prania e të cilëve bëhet gjithnjë e më e domosdoshme në shoqërimin e grupeve turistike jo vetëm në zonat ku shtrihet projekti i lartpërmendur i Partners Albania, por në të gjithë Shqipërinë.
Shkesi Niko Peleshi
Për shkak të besimit të tij fetar, Nevzati, shoferi shkupjan dhe i vetmi shqiptar në grupin e maqedonasve, le që s’e provoi vetë verën e ëmbël e as rakinë e fortë të voskopojarëve, por s’ishte dakord që djemtë, e sidomos vajzat gazetare të pinin alkool. Ai dukej se shfrytëzonte çdo vizitë për të gjetur nuse për djemtë e tij, njëri prej të cilëve, shofer i një prej 5-6 autobusëve e mikrobusëve në pronësi të të atit. Teksa me shumë edukatë kërkonte leje për të fotografuar vajzat shqiptare, ai i tha Helenës së Korçës se do t’i sillte shkesin për t’i kërkuar dorën. “Çoji Niko Peleshin, se është korçar e nuk ta kthen”, - e këshilluam me humor, e Nevzati - që me sa duket nuk e njihte zëvendëskryeministrin e Shqipërisë - e bëri fakt të kryer. “Por unë nuk kam vajza për nuse në Shqipëri” - tha.  
Agimi shqiptar
Për pak kohë, grupit të gazetarëve i është bashkuar Agim Poshka, i njohur më së shumti për zërin dhe interpretimin e ngrohtë të muzikës së zgjedhur shqiptare, e jo dhe aq si profesor i Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë. Me fytyrën përherë të qeshur, njohësi i 6 gjuhëve miqësohet lehtë me të gjithë. E megjithatë nuk këndoi - por gjatë një bisede pas ndarjes nga ekipi maqedonas në Ohër, Poshka tregoi se si ia kishte mësuar perfekt gjuhën shqipe gruas së tij me prejardhje shqiptare: duke i shkruar përditë mesazhe celulari në shqipen letrare. Madje ajo vetë, që pranoi se përpara 5 vitesh nuk dinte thuajse asnjë fjalë, e kishte gjuhën shqipe - të mësuar nga i shoqi - një krenari.
Agimi zbret në Struga, ndërsa ne vazhdojmë rrugën e kthimit drejt Qafë Thanës. Edhe sonte nata do të flejë e qetë mbi liqen, por mëngjesin tjetër, pikërisht nga ky vend, Shqipërisë do t’i lindë një ndër agimet më me dritë të Europës.
5.0/5 rating (1 votes)

Hits

13729

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.