Shqiptarët po mbajnë peng cilësinë e shërbimit turistik

Shqiptarët po mbajnë peng cilësinë e shërbimit turistik

Written by Irhan Jubica on Tuesday, 23 August 2016. Posted in Editorial

Kultura e turizmit do të fillojë të zhvillohet atëherë kur shërbimi dhe blerja e tij të barazojnë nivelin e cilësisë

Shqiptarët po mbajnë peng cilësinë e shërbimit turistik
Mbas 45 vjet filtrimi të vizitorëve që lejoheshin të hynin në parajsën e vetëshpallur komuniste, e gati 25 që prej ardhjes së turistëve "të parë", Shqipëria duket se ka ende të paqartë njërin prej treguesve përcaktues të ofertës së saj, po ashtu të paqartë turistike: cilësinë e shërbimit. 
Duke mos përjashtuar për asnjë moment përgjegjësinë e institucioneve qeveritare si rregullatore dhe mbikëqyrëse të tregut përmes kontrollit të zbatimit me rigorozitet të standardeve që tashmë duhej të ishin konsoliduar, pjesa e mbetur e përgjegjësisë shkon, në masën e saj më të madhe, për operatorët turistikë, por edhe për vetë klientët.
Me një sezon turistik në limitet e 90 ditëshit, Shqipëria zgjidhet më së shumti nga pushuesit shqiptarë, qofshin këta emigrantë që kthehen në vendlindje nga Perëndimi, kosovarë që besojnë se kështu kryejnë një akt patriotik ndaj "shtetit amë", e bashkë me arsyet financiare - edhe shqiptarët e Maqedonisë. Pjesa tjetër e turistëve që zgjedhin Shqipërinë për pushime, kryesisht janë familjarë e miq të emigrantëve shqiptarë, me kombësi perëndimore, të cilët herë mbas here e pranojnë ftesën për të ardhur në këtë vend. E mbas këtyre profileve, ndoshta në fund krejt për nga numri, vijnë turistët e huaj, që për çfarëdo arsyeje tjetër zgjedhin Shqipërinë për pushime.
Përballë këtyre pushuesve janë operatorët turistikë, një pjesë e mirë e të cilëve, përveç mungesës së përvojës e traditës, u hodhën në këtë biznes epidemik për arsye mbijetese ose të pastrimit të parave, e jo se kishin një platformë apo një vizion ekonomiko-financiar për të ardhmen. Si të tillë, ata u gjetën pronarë, administratorë apo edhe punëtorë të këtij sektori, në përpjekje të dëshpëruara për t'iu përshtatur dinamikës që përditë e më shumë kërkon një saktësi, të cilën mungesa e formimit bazik profesional nuk ua lejon. Me padurimin tipik për t'i marrë frytet e investimit brenda një kohe sa më të shkurtër, ata e nxorën në shitje ofertën e tyre me çmime të konkurrueshme në rajon, pa qenë të vetëdijshëm për humnerën e dallimeve mes fasadës dhe afeksionit të një strukture akomoduese në Shqipëri, me një tjetër, ndoshta më pak luksoze në dukje, kudo në rajon.
E ndoshta kjo është arsyeja pse operatorët turistikë të vendeve të rajonit jo vetëm nuk i frikësohen, por madje e marrin me të qeshur konkurrencën e Shqipërisë në industrinë e turizmit.
Nga ana tjetër, profilet e mësipërme të turistëve, e sidomos e atyre shqiptarë, të cilët zgjedhin t'i copëzojnë pushimet në disa pakditore në disa vende, karakterizohen nga mungesa e vetëdijes për të drejtën e klientit, duke përbërë kështu një kërkesë turistike pa kritere të larta për cilësinë. Ata priren të jenë tolerantë ndaj mungesës së cilësisë së shërbimit turistik, kryesisht me arsyetimin se janë për pak ditë. Si pjesë e turizmit të brendshëm, pjesa tjetër e shqiptarëve që pushojnë në plazhe të ndyta, me mungesë uji, energjie elektrike e shërbimesh tjera elementare, gjithashtu nuk reagojnë ndaj ofertës së shtrenjtë, por të pabalancuar me cilësinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pjesën familjare të turistëve nga Kosova, që kryesisht përbëhet nga të ardhur nga zonat rurale. E është pikërisht kjo mungesë e kërkesës për një ofertë më dinjitoze, ajo që me sa duket po e lë një pjesë të madhe të operatorëve turistikë në Shqipëri, pa u pjekur për nga cilësia.
Në këtë pikë, përballë - shpeshherë arrogancës së ndonjë operatori turistik ndaj kërkesës për cilësi - të vetmit që ushtrojnë presion për cilësinë e shërbimit për të cilin paguajnë, janë turistët - vërtet të huaj - ata që janë rritur në standarde të larta, e që mund ta rrisin edhe cilësinë e shërbimit turistik në Shqipëri. Prandaj duket se Tatyana Bajraktari ka plotësisht të drejtë, kur në intervistën e këtij numri të revistës "Travel", thotë se "janë ata të cilët korrektojnë, rregullojnë dhe rrisin cilësinë e këtij shërbimi."
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

2406

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.