Ndërgjegjja e turizmit

Ndërgjegjja e turizmit

Written by Irhan Jubica on Wednesday, 14 March 2012. Posted in Editorial

Ndërgjegjja e turizmit

Është bërë e zakonshme të thuhet ndër ambientet përkatëse se Shqipërisë i mungon, p.sh, një revistë kulturore, se i mungon një revistë politike, se i mungon një revistë e arteve, i mungon një revistë e shkencës, një revistë e natyrës, e kështu vazhdon vargu i mungesave reale në Shqipërinë e bollëkut virtual. Sa shumë gjëra i mungojnë Shqipërisë! Shqipërisë i mungojnë thuajse të gjitha gjërat që duhet t’ia bëjnë njerëzit e saj. Por këtu s’është vendi me thanë se Shqipërisë i mungojnë njerëzit.

Prej kohësh është thënë se Shqipërisë i mungon edhe një revistë e turizmit, sidomos duke konsideruar pretendimin e madh të Shqipërisë në turizëm, pretendim i cili zyrtarisht është shprehë prej qeverisë, e faktikisht prej industrisë së re të turizmit shqiptar.  E tani, Shqipëria e ka revistën e vet të turizmit. Dhe jo vetëm Shqipëria, sepse revista Travel synon t’i shërbejë turizmit shqiptar në çdo cep të Ballkanit ku jetojnë e administrojnë shqiptarët: Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Por ky asht një mision i vështirë, e gati-gati i pamundur.Po flasim për një media, e cila arsye kryesore të ekzistencës ka informimin e publikut. Por si mundet të kryhet ky informim, kur gazetarët e kësaj reviste nuk kanë qasje në informatat zyrtare, sepse zyrat e shtetit janë bërë hermetike, jo prej frikës së nxjerrjes së ndonjë sekreti shtetëror, por prej paaftësisë së mjaft njerëzve që i popullojnë këto institucione. Bashkëpunimi pra, asht një tabu që shqiptarët duhet ta thyejnë në këtë fillim mijëvjeçari. Sektori privat e dha shembullin e vet të bashkëpunimit me pjesëmarrjen në debatin e këtij numri, ndërsa sektori publik ende pret kalorësit të kthehen prej betejash të humbta.  

Ndërsa duke kaluar në një plan tjetër, duhet thënë se është i njohur fakti që në shumë vende të botës, revistat turistike janë një traditë gati 100-vjeçare. Madje botimet turistike kanë shkuar drejt profilizimit, ashtu si vetë llojet gjithnjë e në rritje të turizmit që aplikon bota sot. Mirëpo kjo vonesë e Shqipërisë për të hyrë në tregun turistik botëror, dikton ndoshta edhe formatin e mediumit që do ta pasqyrojë këtë realitet. Kështu, më shumë se një paradë bulevardeske, Shqipërisë i duhet një revistë që të jetë ndërgjegjja e turizmit shqiptar. Që askush të mos fshihet mbas tagrit që s’ia jep ligji, që askush të mos fshihet mbas yjeve që nuk i ka në biznesin e tij, që askush të mos fshihet mbas patriotizmit, që askush të mos fshihet mbas etiketave false, sikurse askush nuk mundet me iu fshehë ndërgjegjes së vet.

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

14756

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.