“La Belle De L’Adriatique” dhe “Seven Seas Voyager” - krocerat zbukurojnë kalatat e Portit të Durrësit

“La Belle De L’Adriatique” dhe “Seven Seas Voyager” - krocerat zbukurojnë kalatat e Portit të Durrësit

on Thursday, 20 June 2019. Posted in Lajme

877 turistë nga vende të ndryshme të botës u ndalën dje në Portin e Durrësit dhe pikat turistike të Shqipërisë

“La Belle De L’Adriatique” dhe “Seven Seas Voyager” - krocerat zbukurojnë kalatat e Portit të Durrësit
Nga Elitjona Doko
 
877 turistë nga vende të ndryshme të botës u ndalën dje në Portin e Durrësit dhe pikat turistike të Shqipërisë, përmes kroçerave “La Belle De L’Adriatique” dhe “Seven Seas Voyager”.Turistët e organizuar në grupe dhe nën kujdesin e operatorëve turistikë udhëtuan më pas me autobuzë drejt qyteteve të Krujës, Beratit dhe Tiranës, ku kanë vizituar qendrat historike dhe muzeale. Një pjesë e tyre kanë preferuar të qëndrojnë në Durrës për të vizituar Muzeun Arkeologjik të qytetit si dhe Amfiteatrin antik.
 
 
Porti i Durrësit, i cili shërben si hyrje/dalje kryesore në vendin tonë po kthehet çdo ditë e më shumë në një destinacion të kroçerave. Me një pozicion gjeografik shumë të favorshëm dhe ndër portet më të mëdhenj në detin Adriatik dhe Jon, ai është një nyje shumë e rëndësishme për tregun ndërkombëtar. Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 5,6m deri në 11,2m. Mallrat kryesore që përpunohen në port janë mallrat e përgjithshme drithëra, konteinera, tragete ,minerale etj. Porti i Durrësit zhvillon aktualisht 78% të tregtisë detare në nivel kombëtar dhe është një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit nje pozicion strategjik në lidhje me Korridorin e VIII-ë, që do të lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian. Kostoja e ulët operative, grupi i motivuar menaxherial dhe shërbimet cilësore janë disa nga vlerat që karakterizojnë portin e Durrësit.
APD ka krijuar të gjitha kushtet për sigurinë edhe lëvizjen e turistëve në territorin portual. Që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit janë ankoruar 11 kroçera me 2.194 turistë gjithsej - bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD. Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shipping” mësohet gjithashtu, se kroçera “La Belle De L’Adriatique” me një gjatësi prej 110 metra mbërriti në Durrës sot paradite, pas dy ndalesave në Sarandë dhe në Vlorë, ndërsa mbrëmjen e së martës u nis për në portin e Tivarit (Mali i Zi). Me këtë kroçerë udhëtonin 154 turistë nga shtatë vende të Evropës, 135 prej të cilëve nga Zvicra. Kroçera “Seven Seas Voyager” ka një gjatësi 206 metra. Turi i saj 11-ditor përveç Durrësit përfshin disa nga portet e njohura turistike të Mesdheut, si Saint Tropez, Monte Carlo, Venecia, Sorrento, Venecia, etj. 723 udhëtarët e këtij turi erdhën nga 22 vende të ndryshme, por pjesa më e madhe ishin turistë nga SHBA, 476 vetë, dhe nga Britania e Madhe, 97 të tjerë.
Shtimi i numrit të krocerave që do të zgjidhnin Durrësin si stacion ndalese ditore, do t`i jepte shumë frymëmarrje qytetit, i cili ka nevojë pikërisht për këtë lloj fluksi të munguar, fluks i cili ka vite që e ka hijeshuar qytetin jugor të Sarandës, duke ushqyer njësitë e vogla tregtare si baret, restorantet, dyqanet e suvenireve dhe subjektet e tjera tregtare me natyre turistike por edhe do të shtonte fluksin e vizitorëve nëpër site kulturore, sidomos në Amfiteatrin gati tremijëvjeçar dhe Muzeun Arkeologjik, që për hir të së vërtetës, nuk qëndrojnë në krye të listave si sitet më të viztuara turistike në Shqipëri.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

7773

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.