Kjo revistë e shtegtimit

Kjo revistë e shtegtimit

on Thursday, 01 March 2012. Posted in Editorial

Irhan Jubica

Kështu merr udhë kjo revistë e shtegtimit

Qysh kur turistët e parë nisën me shkelë vende të reja në kërkim të aventurës apo të shpëtimit prej monotonisë e deri më tani, shqiptarët në Ballkan nuk kanë parë kurrë kaq të huaj të hyjnë e të dalin nëpër trojet e tyre, që të mos jenë pushtues. Shqiptarët vetë gjithashtu nuk kanë qenë kurrë kaq të kompletuar për me shëtitë nëpër botën që i ka pasë mbi vete qysh se ka nisë rrotullimin.

Dhe po shëtisin.

Mirëpo ashtu si të huajt, që përpara se me mbrritë brigjet më perëndimore të gadishullit tonë i kanë shëtitë mirë e mirë vendet e tyre, edhe shqiptarët do të duhej të bënin njësoj: të njihnin veten. Duke mos dashur të interpretojmë pafundësinë e leximeve që mund t’i bëhen motos së Delfit, po kundrojmë vetëm anën që sheh nga ne.

Turizmi apo shtegtimi patriotik i ka ditët e pakta, jo vetëm se po konsumohet prej më shumë se një dekade, por edhe sepse ai nuk mund të vazhdojë të jetë kaq i njëanshëm. Turizmi brendashqiptar do të duhej të ishte angazhimi i madh për të fituar edhe vëmendjen e emigrantëve, që ndonëse kthehen për vizitë në familje, në statistikat zyrtare parakalojnë si turistë të adhur nga perëndimi. Kështu, turizmi i tyre, që në të vërtetë rrallëherë deljashtë zonës së banimit, mund të jetë i kufizuar edhe nga mungesa e njohjes së mundësive turistike që ka hapësira shqiptare. Problemi ndoshta flë te vendasit, të cilët - duke mos e ditë as vetë se mund të shkohet në bjeshkët e Rugovës, bie fjala, në Luginën e Valbonës, në plazhin e lirë të Velipojës, në pistat e skive në Brezovicë, në Ladorisht, në Vuno, Plavë e Guci, në Dardhë e në sa e sa vende të tjera “sekrete” - nuk i ofrojnë alternativa kontigjentit të emigrantëve që i shpenzojnë kursimet e punës së tyre vjetore për të blerë pushime të njëjta nga hera në herë. Ose për mos me marrë shërbimin që e paguajnë më shtrenjtë se në perëndim.

Ky është momenti për të hyrë në skenë revista “Travel”, me hulumtimin dhe publikimin e destinacioneve të shumta turistike.

“…kur Ballkani konsiderohej si një destinacion udhëtimesh “vetëm për të fortit”, vetëm “më të fortit e të fortëve” kthenin në Shqipëri.” – përcakton “Lonely Planet” në paraqitjen e Shqipërisë në krye të 10 destinacioneve turistike për vitin 2011. E shndërruar për kontekstin mediatik dhe e vendosur në panoramën e mësipërme të turizmit, kjo fjali do të ishte pak a shumë: kur “të krisurit” investonin për median në Shqipëri, vetëm “më të çmendurit” guxuan të investonin në një revistë turistike. Kjo vetëdije vjen më së shumti nga mungesa e një fryme të bashkëpunimit konkret ndërshqiptar përtej retorikës, si dhe pa dyshim, nga problemet e shumta që paraqet turizmi shqiptar sot, probleme të cilat sigurisht që nuk do t’i zgjidhë revista “Travel”.

Sepse kjo revistë e shtegtimit ka me qenë një pasqyrë ku turizmi shqiptar do të shohë veten. Si të jetë ky turizëm, ashtu do të jetë edhe kjo revistë.

Edhe pse ne, të gjithë bashkë, do të përpiqemi shumë që të bëjmë sadopak magji.

3.6/5 rating (8 votes)

Hits

4258

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.