Sara Santoro: E keni kthyer Amfiteatrin e Durrësit në kosh plehrash!
Drejtuesja e misionit arkeologjik italo-shqiptar, tregon problemet e qytetit me trashëgiminë.
Drejtuesja e misionit arkeologjik italo-shqiptar, vendosur në Durrës që prej vitit 2003, tregon problemet më të prekshme të qytetit me trashëgiminë. Ritmet e urbanizimit, ndërtesat e larta, shkatërrimet e mbetjeve arkeologjike, e në fund mungesa e një vetëdije qytetare për ta ruajtur këtë pasuri
E pranishme në Shqipëri që prej vitit 2003, si drejtuese e misionit arkeologjik italo-shqiptar në Durrës, prof. Sara Santoro i njeh mirë problemet e Durrësit me pasurinë e trashëguar arkeologjike. Ritmet e urbanizimit, ndërtesat e larta, shkatërrimet e mbetjeve arkeologjike, e në fund mungesa e një vetëdije qytetare për ta ruajtur këtë pasuri. Santoro, profesoreshë e historisë së artit grek dhe romak në Universitetin “Gabriele D’Annunzio”, Chieti, Pescara, duke folur me nxënës të shkollave në një takim të organizuar në kuadër të “Muajit Europian”, ka kërkuar më shumë vëmendje nga të rinjtë. Santoro, në bazë të hartës së rrezikut arkeologjik të hartuar nga ky mision, ka folur për dëmet e mëdha që janë bërë në zona të caktuara, ndërsa ka theksuar se arkitektët dhe inxhinierët shqiptarë refuzojnë të aplikojnë teknikat e reja për bashkëjetesë mes ndërtimeve të reja dhe rrënojave arkeologjike. “E mendoni të hyni në një supermarket dhe poshtë tij, përmes dritareve të xhamit të shihni rrënoja arkeologjike”, thotë ajo, duke sjellë shembuj të suksesshme nga vende të tjera. Teksa flet për amfiteatrin, ku misioni ka përqendruar punën e tij, për zbulimet, shtresëzimet e epokave, për gladiatorët, për skeletet e gjetura dhe historitë e ndërtuara deri në detaje për vdekjen e tyre, Santoro ndalet te disa pamje. Shohim një sërë kosha plehrash në buzë të një gërmimi arkeologjik. Rreth e rrotull makina të parkuara ku të munden. “Çdo ditë aty ndalojnë makinat e plehrave, të cilat më së shumti hidhen në tokë. I marrin këto mbeturina, hedhin një pluhur dezinfektues, duke lënë pas një erë që nuk mund as t’i afrohesh monumentit”, ka thënë Santoro, duke sjellë të tjera fotografi si dëshmi e një neglizhence qytetare. “Banorët e zonës e përdorin një pjesë të amfiteatrit si kalim i përditshëm. Kur ne jemi duke gërmuar, ndalojnë, na pyesin, e shmangin kalimin në të, por sapo ne largohemi, bëhet rrugë kalimi e përditshme. Ne kemi angazhuar edhe nxënësit e shkollave për pastrimin e kësaj zone arkeologjike, me qëllim sensibilizimin e tyre, por brenda këtij amfiteatri gjejmë vazhdimisht plehra të hedhura nga shtëpitë që ndodhen në një pjesë të tij. Kemi gjetur edhe lavatriçe të prishura apo objekte të tjera të hedhura mbi të”, shprehet profesoresha, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj këtyre monumenteve, si nga qeverisja vendore dhe lokale, sidomos në prag të sezonit turistik. Gazeta Shqip