Liqeni i Ohrit, tashmë pjesë e listës së pasurive botërore të UNESCO-s

Liqeni i Ohrit, tashmë pjesë e listës së pasurive botërore të UNESCO-s

on Saturday, 06 July 2019. Posted in Lajme

U votua në Baku, Azerbaxhan anëtarësimi i palës shqiptare në sitin më të madh të trashëgimisë natyrore

Liqeni i Ohrit, tashmë pjesë e listës së pasurive botërore të UNESCO-s

Nga Etleva Xhajanka

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ – Pjesa shqiptare e rajonit të liqenit të Ohrit, tashmë është pjesë e listës së pasurive Botërore të UNESCO-s.

Në fund të muajit qershor në Baku, Azerbajxhan, zhvilloi punimet sesioni i 43-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore. Në këtë sesion më datë 5 korrik 2019, u miratua propozimi për shpalljen pasuri botërore të pjesës shqiptare të rajonit të liqenit të Ohrit, si zgjerim i pronës “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”, të ndodhur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të regjistruar në Listën e Pasurive Botërore që prej vitit 1979.

Komiteti përgëzoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i kërkoi të dy shteteve vijimin e angazhimit të përbashkët në funksion të ruajtjes së Vlerës së Veçantë Universale.

Përgatitja e Dosjes të zgjerimit ishte rezultat i një pune 4-vjeçare në kuadër të projektit “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit”, bashkëfinancuar nga BE dhe shteti shqiptar nën koordinimin e UNESCO-s. Ky projekt mbështeti një proces gjithëpërfshirës për menaxhimin e integruar dhe angazhoi institucionet shtetërore qendrore dhe vendore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjëse për mjedisin, trashëgiminë kulturore, planifikimin urban dhe turizmin.

Gjithashtu Komiteti ka dhënë disa rekomandime mbi vijimin e punës për monitorimin dhe nisjen e procesit të përgatitjes të planit të integruar për menaxhimin e pasurisë në funksion të ruajtjes së Vlerës së Veçantë Universale.

Dosja për përfshirjen e pjesës shqiptare të rajonit të liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s u përgatit nga grupi teknik i përbashkët i Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe tre ekspertë kombëtarë të angazhuar nga të dy ministritë.

Duke qenë se trashëgimia kulturore, ishte një pjesë e kësaj dosjeje, Ministria e Kulturës ka luajtur në vijimësi një rol aktiv të rëndësishëm dhe përmbajtësor në të gjithë procesin, si në misionet e përbashkëta të vlerësimit të IUCN/ICOMOS, komunikimin me Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe trupat këshillimore të UNESCO-s, kjo e vlerësuar veçanërisht prej këtyre të fundit.

Shumë i vlerësuar në procesin e kandidimit të dosjes ka qenë roli dhe angazhimi i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në UNESCO, dhe i zotit Ferit Hoxha, me të cilin Ministria e Kulturës ka qenë në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

13205

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.