Ferma Amalthia - bio-organikja  që na mungonte

Ferma Amalthia - bio-organikja që na mungonte

on Tuesday, 23 August 2016. Posted in Tradita

MADE IN ALBANIA: Produktet bio-organike gjithmonë e më shumë po gjejnë terren mes tokave dhe fermerëve shqiptarë.

Ferma Amalthia - bio-organikja  që na mungonte

Nuk është një pamje që haset shpesh në të përditshmen tonë një qingj ose kec që pi qumësht 
me biberon, si të ishte një bebe. Nëse keni një lidhje të afërt me fshatin, mund edhe ta keni hasur por nëse jo, atëhere duhet patjetër të merrni rrugën drejt Durrësit. Dhe jo për të parë Amfiteatrin apo për të bërë një xhiro nga Vollga po për të shkuar në fshat, e konkretisht në Katund të Ri, ose siç quhet ndryshe ajo zonë e Shkozetit, Sektori Rinia, që të shikoni se si kecat e vegjël pijnë qumësht me biberon në fermën e re Amalthia.

Kohët e fundit flitet shumë për produket bio në treg, duke vënë theksin tek ushqimi i pastër e i shëndetshëm, që toka e rrit në mënyra natyrale, pa kimikate, pa ndërhyrje hormonale dhe pa modifikime që të stimulojnë rritjen e shpejtë të tij. E abuzimi me këtë fjalë është kaq i madh, saqë është shumë e vështirë për konsumatorin të dallojë se cili është në të vërtetë produkti bio apo bio organik që ai mund të gjejë në treg. Për fat të mirë ekzistojnë tregues që të bëjnë dallimin dhe njeriu të kuptojë më në fund se çfarë është një produkt bio. Ne e hasëm njërin prej këtyre treguesve kur takuam drejtuesit e fermës së re Amalthia, që ka marrë jetë në këtë zonë rurale të Durrësit. Me të vërtetë interesante kjo fermë, në hapat e parë të së cilës është Jona, që ka vendosur të ngrejë këtë strukturë fare të veçantë e për t`i ofruar tregut një produkt që i mungon thuajse plotësisht; bylmetin e dhisë. Po, ferma Amalthia, ashtu siç mund ta kuptojë nga emri, dikush që e njeh mitologjinë greke, është një fermë dhish, ndoshta e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, që ka vendosur të rrisë e të mbarështojë dhi e keca për të pasur në tavolinë djathë natyral dhie, qumësht dhie, dhe mish keci të rritur jo vetëm natyralisht por edhe me kujdesin e duhur.
Duke dashur të dimë më shumë se çfarë nënkupton një produkt bio, Jona na shpjegon se një produkt bio edhe nëse është bimor edhe nëse është shtazor, është një ushqim që duhet të rritet në tokë natyrale, e cila mund të ushqehet vetëm me pleh organik, farat e bimëve që rriten aty të mos jetë të modifikuara por sa më autentike, në mënyrë që nëse është një kulturë, të rritet sa më natyrshëm dhe nëse është ushqim për bagëtinë, të mos ndikojë në cilësinë e mishit dhe të bylmetit që do të marrim prej saj. Por procesi nuk mbaron këtu, nuk mjafton vetëm të rrisësh një bimë apo një kafshë në mënyrë natyrale por duhet edhe ta çertifikosh atë, përmes një dokumentacioni të caktuar që e kërkon ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, apo edhe organizma të tjerë që të pajisin me këto çertikfikata që i japin vlerë produktit.
Projekti i fermës Amalthia është bazuar në përvoja që kanë ardhur duke studiuar edhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, me shpresën që nesër, kur Shqipëria të jetë anëtare e tij, të mund të bëhet pjesë e tregut global. Aspirata kryesore është që produkti final të çertifikohet si bio-organik. Deri tani thotë Jona, e kemi arritur këtë me djathin tonë të dhisë dhe duam ta arrijmë edhe me produktet e tjera, edhe mishin. Produktet tona janë natyrale dhe synojmë cilësinë, që në fakt nuk arrihet lehtë dhe kërkon një punë të madhe e të kujdesshme. Deri tani jemi në avantazh nga prodhuesit e tjerë pasi menaxhimi i ushqimit dhe kujdesi ndaj dhive, na çon në kontrollin e cilësisë së qumështit dhe nënprodukteve të tjera. E synojmë fort larminë e nënprodukteve që t’u ofrojmë konsumatorëve më të mirën. Për këtë eksperimentojmë, duke nxjerrë variante të nënprodukteve, si për shembull, kaçkavalli me arra, që është i veçantë dhe vetëm yni.
Vetvetiu të lind pyetja: Si arrihet të kontrollohet apo të dihet se çfarë duhet të konsumojnë kafshët, çfarë duhet mbjellë, cili është ushqimi që duhet përdorur, sasia e tij, si kombinohet ai, me qëllim që të merret rezultati i duhur? Qumështi që na nxorën të zotët e shtëpisë (në fakt ishte shumë e këndshme që në vend të një ëmblësire apo ndonje gote me pije, të të qerasnin me një gotë qumësht dhie të freskët) ishte shumë i mirë por ne nuk mund ta kuptojmë cilësinë e tij duke u nisur vetëm nga shija.
Pikërisht për këtë ferma bashkëpunon ngushtë me specialistët veterinarë, zooteknikë, dhe teknologë, gjithashtu edhe me të gjitha organet kopetente që konsumatori të ketë cilësinë dhe sigurinë e duhur për konsum. Këshillimet e drejtpërdrejta me laboratorin Italian “Zootecnica”, kontrollojnë çdo produkt, duke i shtuar kontrolleve të AKU-së edhe një kontroll tjetër të dytë për siguri më të lartë e cilësi të garantuar. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Ferma këshillohet me specialistët italianë edhe për mënyrën se si duhet të ushqehen kafshët, duke shmangur në minimum mundësitë e sëmundjeve apo infeksioneve të ndryshme që vijnë kryesisht prej ushqimit. Madje edhe nëse kafshët sëmuren, ato trajtohen si fëmijë, duke përdorur, vajra, lëngje, përzierje apo esenca natyrale, për të shmangur përdorimin e ilaçeve. Përveç vaksinave të detyrueshme, kafshët nuk marrin asnjë element tjertër kimik, duke ruajtur kështu natyralitetin maksimal.
Ja pra, se çfarë fshihet pas një produkti bio organik. Një punë e madhe dhe e lodhshme, jo aq e thjeshtë, por e bukur. Ne shohim keca të vegjël që trajtohen si fëmijë duke pirë qumësht me biberon por shohim edhe teknologji të lartë që siguron pastëritnë e ushqimit. Nëse për të mjelë dhitë përdoren makineritë, se shmanget era e rëndë e kafshës, që vjen nga mjelja me dorë, për të rritur barin që ajo ha, përdorim dashurinë e tokës. Dhe për të rritur kecat, përdorim dashurinë tonë.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

15385

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.