Shqipëria kërkon ura të reja bashkëpunimi me Egjiptin në fushën e turizmit - -

Written by RevistaTravel. Posted in Lajme

Shqipëria kërkon të vendosë ura të reja bashkëpunimi me Egjiptin në fushën e turizmit. Ambasadori i Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Mohamed Khalil zhvilloi një takim me Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe Flora Xhemani Baba, Drejtoreshe Ekzekutive e Travel Magazine dhe gazetare turizmi, me të cilët bisedoi rreth shkëmbimit dhe zhvillimin e përvojave të turizmit mes dy vendeve.
Takimi, sipas Kases, synonte rivendosjen e urave të bashkëpunimit për shkëmbime turistike edhe në sektorin outgoing edhe në atë incoming. “Ideja është që të fillojmë një kooperim me avion charter drejt Sharm El Sheikh.
U ra dakord që si fillim të organizojmë një info tour brenda muajt prill, i cili shpresojmë të rezultojë i suksesshëm, me qëllim që të sigurojë vazhdimësinë dhe rikthimin e këtij destiancioni”, tha Kasa në një prononcim për ATSH-në.
Egjipti është një destinacion i njohur dhe i dashur për shqiptarët të cilët e kanë vizituar dendur, përmes paketave turistike në Sharm El Sheikh por kjo linjë u ndërpre për shkak të trazirave që solli pranvera arabe.
Tani që siguria në vendin e Piramidave është kthyer, Ministria e Turizmit të Egjiptit, përmes ambasadës së saj në Shqipëri, po përpiqet të rikthejë destinacionin e dikurshëm duke e konsideruar tregun shqiptar shumë të rëndësishëm.
Por tashmë që Shqipëria ka rritjen e saj edhe në numrin e turistëve që huaj që e vizitojnë atë, kërkon një shkëmbim përvojash, me qëllim që edhe turistët egjiptianë të vizitojnë vendin tonë, duke qenë se vitet e fundit kanë shprehur mjaft interes për të kaluar pushimet në Shqipëri.