Messe Shtutgart 2017 - Shqipëria, mbretëresha e panairit

Written by RevistaTravel. Posted in Lajme

14 Janar - 22 Janar, Panairi i Turizmit "Messe Shtutgart 2017". Si asnjëherë më parë, Shqipëria ishte vend partner në një panair turizmi me përmasa të mëdha, i dyti në Gjermani, pas Berlinit. . Me një ceremoni hapjeje mbresëlënëse Shqipëria pati vëmendjen e rreth 2000 pjesëmarrësve dhe praninë dashamirëse të ministrit gjerman të turizmi Guido Wolf, si dhe personalitete të tjera gjermane në fushën e turizmit. Ministrja Milva Ekonomi dhe drejtori i Akt, Ardit Çollaku, bënë një prezantim të detajuar të ofertës turistike dhe siteve kulturore e natyrore të Shqipërisë. Ky panair ka patur një mbështetje të madhe logjistike e financiare edhe nga partneri i përhershëm i turizmit shqiptar, GIZ, Zyra e Bashkëpunimit Teknik Gjerman por edhe nga partnerë të tjerës si AADF. Përballë një panairi turistik me kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorin, shpeshherë të painformuar, Shqipëria kishte fatin të jetë epiqendra e interesit të një populli të dashuruar me udhëtimin, e sidomos me natyrën e saj, siç ka rezultuar të jetë deri tani populli gjerman. Messe Shtutgart 2017, është panairi i dytë më i madh i turizmit në Gjermani. Si asnjëherë më parë në një panair turizmi, Shqipëria si një vend partner, realizoi një prezantim jo vetëm dinjitoz por spektakolar, me një pasuri shfaqjesh të traditave tona popullore, kulinare, historike, etnografike e turistike, siç nuk ka ndodhur asnjeherë tjetër deri më sot. Grupe të ndryshme artistike nga Shqipëria e diaspora, shpalosën artin e tyre, në skenën e madhe të panarit por edhe në stendë, që nga veriu, me Vallet e Kukësit e të Tropojës, e deri në jug, me Grupin Polifonik Karakteristik të Himarës. Gatimet në stendën shqiptare dhe në aktivitetet e shumta të panairit, ishin mbresëlënëse e plot shije të pastra. Mediat e shumta gjermane, vizive dhe të shkruara, pushtuan stendën e Shqipërisë, duke e shoqëruar gjithë periudhën e panairit më një fushatë të gjerë publicitare, që solli me vetë një publik të papërballueshëm, edhe për stendën e Shqipërisë, që ishte më e madhja e panairit. Shpresojmë që efekti i këtij panairi të jashtëzakonshëm, të duket në këtë sezon të 20127-ës dhe shpresojmë gjithashtu që menjëherë pas mbylljes së tij me 22 Janar, Ministria e Turizmit të fillojë negociatat për partneritet në Messe Shtutgart 2018.