- - La Slitta – simboli që rrëzon paragjykimet dhe lidh brezat - -

Written by RevistaTravel. Posted in Lajme

 

La Slitta – filimi me metrazh të shkurtër i regjisores Emanuela Ponzano, pas një rrugëtimi gati 18-mujor nëpër festivalet e Italisë por edhe ato botërore, mbërriti më në fund në Tiranë, në TIFF – Tirana International Film Festival. I bazuar në temën më të nxehtë që jeton sot shoqëria italiane dhe jo vetëm – atë të emigracionit dhe marrëdhënieve mes emigrantëve dhe komunitetit vendas, -  La Slitta, mëton të evidentojë këtë problematikë delikate  e me ndjeshmëri të lartë, duke e vendosur fenomenin mes pjesës më të pastër të shoqërisë tonë – fëmijëve. Dy fëmijët protagonist të këtij filmi, njëri italian e tjetri emigrant i ardhur nga Shqipëria, afrohen e miqësohen në mënyrën më të pastër e më të natyrshme që mund të ndodhë, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm fëmijët, duke shmangur çdo paragjykim rracor apo shoqëror, që fatkeqësisht është i lartë tek shumica e prindërve të tyre.  Askush nuk mund ta interpretonte më mirë këtë pjesë sesa një fëmijë emigrant dhe zgjidhja e regjizores Ponzano ka qenë e përkryer.

Ndonëse të dy djemtë janë fëmijë emigrantësh shqiptarë që jetojnë në Itali, Alban Pajolli, 13 vjeç, është “il ragazzo Albanese”, që në film shihet si emigrant i paftuar dhe përfaqësues i “gente cattiva”, që sipas babait të Alfred, djalit të vogël italian, do të vijnë t`u marrin atyre shtëpitë, tokën e në fund jetën.  Unë kam lindur në Itali, thotë Albani, në Martina Franca dhe që të jem i sinqertë nuk e kam ndjerë thuajse fare peshën e të qenit emigrant, jam rritur i lumtur me familjen time dhe e dua vendin ku kam lindur po aq sa dua edhe Shqipërinë, vendlindjen e prindërve të mi. Edhe kur jemi zënë me shokët për probleme racizmi, zënkat janë fashitur menjëherë nga lojrat dhe nuk kanë ndikuar fare në botëkuptimin tonë. Sikur të rriturit ta shihnin botën me sytë e fëmijëve, në botë nuk do të kishte rracizëm, sepse çdo formë e rracizmit, futet në shoqëri vetëm nga ajo që prindërit u mësojnë fëmijëve.”.

Fitues i së paku 15 çmimeve në thuajse të gjitha kategoritë,  La Slitta u zgjodh edhe në TIFF si pjesëmarrës në garë, mes gati 120 filmave me metrazh të shkurtër dhe u shfaq në Kinema Imperial Sheraton, në dt. 6 nëntor, gjatë ditëve të festivalit në Tiranë.