3 marsi - Dita Botërore e Jetës së Egër, Shqipëria me një listë të gjatë speciesh të rrezikuara - -

Written by RevistaTravel. Posted in Lajme

3 marsi është Dita Botërore e Jetës së Egër dhe Shqipëria rezulton një vend me një listë të gjatë speciesh të rrezikuara, ndër të cilat Pelikani kaçurrel dhe Rrëqebulli i Ballkanit. Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) falë mbështetjes së projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave”, po vendos në të gjitha shkollat e zonave përreth Parqeve Kombëtare kënde informacioni, ku nxënësit mësojnë për pasuritë e mëdha natyrore të zonës dhe rëndësinë e tyre. Deri tani ky aktivitet është shtrirë në Parkun e Butrintit dhe atë të Shebenik-Jabllanicës, për ta vazhduar edhe në zonat e parqeve të tjera kombëtare. 

Kur njohim vlerën e diçkaje, atehere jemi më të prirur për t’a mbrojtur atë. Kështu, edhe për të ruajtur në mënyrë sa më të efektshme natyrën tonë, së pari duhet t’a njohim atë. Sa më herët të mësojmë për thesaret natyrore të vendit tonë, aq më të kujdesshëm do të tregohemi për t’i mbrojtur. 

 

Sot është Dita Botërore e Jetës së Egër. Me një bilanc të thjeshtë të studimeve nëpër botë nga organizata të ndryshme që kanë si qëllim mbrojtjen e botës së egër, rezultatet janë të frikshme. Në këtë pikë si fillim minimal duhet që të ndërrohen vendet e emërtimeve, sepse në të vertetë egërsirat jemi ne, që çfarë s`i kemi punuar kësaj bote, që jeton në punë të vet e që na ndihmon edhe ne të jetojmë, ndërkohë që ne vetë nuk bëjmë të njëjtën gjë. Pastaj t`i vëmë gishtin kokës e të ruajmë çfarë na ka mbetur, para se të jetë realisht shumë vonë. Shqipëria htn në ato vende të Europës që kishte dhe ende ka, një botë të egër për t`u pasur zili. Shpresojmë që secili nga ju që gjuan kafshë, vret peshk me dinamit, shkatërron dateri në Karaburun, ta kuptojë se kjo babëzi do të bëjë që nesër të mos na mbetet më asnjë pupël e asnjë luspë. Edhe ju vetë nuk do të keni më se çfarë të vrisni. Kujtojeni këtë çdo ditë.