Shiroka, aty ku shkrihen historia, natyra dhe gastronomia
Vendi ku mali takon bregun dhe peshku takon tavën!
Në bregun jugperëndimor të Liqenit të Shkodrës është një fshat i vogël por me pasuri të madhe. I hershëm në dokumente që dhjetë shekuj më parë, ky fshat është vendi ku shumëçka nga pasuria për të cilën shquhet Shkodra mund të kundrohet në më pak se një orë.
Për banorët e parë të Shirokës nuk flitet shumë, por një gojdhënë thotë se Shala, Shoshi dhe Mirdita vijnë nga ai vend buzë liqenit. Me këtë çështje është marrë Át Donat Kurti në librin “Zakone e Doke Shqiptare” (Zakone e Doke Shqiptare, Át Donat Kurti, O.F.M., “Botime Françeskane”, Shkodër, 2010, fq. 23)
Të gjithë sa jemi Shalë, Shosh e Mirditë kemi dalë prej detit, dikur motit si gjindje e egër. Atij ma të parit t’onë mandej i kanë pasë thën: Murr Deri, të birit të tij Njer Murri e të nipit Dit Njeri. Ky Dita pat tre djelm: Mirin, Zogun e Markun. Na kemi xanë vend në Shirokë, derisa janë da vëllazent nder vedi. Mirdita thotë “Jemi da në Peshtrik të Hasit”; por na, si e dijm prej të Parëve, jemi da në Shirokë.
Shiroka dhe Taraboshi, foto nga Marubi
Sipas kësaj gojëdhëne, banorët e Dukagjinit e kanë prejardhjen nga deti e pastaj janë vendosur në Shirokë ku janë ndarë tre vëllezërit.
Nga trevat e përmendura më lart në gojëdhënë, ka rënë në Shkodër shprehja “fryn shirok” çka do të thotë se fryn një erë e lagësht nga jugu e cila shoqërohet, herë pas here me shi. Duke qenë se Shiroka i talon jugut dhe kur ka nisur të përdoret, banorët e Dukagjinit nuk e kishin të qartë sensin e orinetimit, përdoret termi “shirok” duke ia atribuar erën fshatit Shirokë.
Albanologu Nopça e shpjegon këtë term në librin e tij “Nga Shala dhe Kelmendi” duke thënë se emri i erës së jugut, pra shiroku, duhet kërkuar në emërtimet greke. Sipas tij, ky term lidhet me fjalën “thalas”.
Duke iu afruar mesjetës, shohim se Pjetër Budi, në një letër që daton më 15 Shtator 1621 shkruan për bregun e Liqenit të Shkodrës duke e quajtur Siroksi. Sipas Injac Zamputit, ky emërtim lidhet pikërisht me Shirokën e sotshme.
Në periudhën e pushtimit turk, Shiroka shërbeu si pikë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe aty u ndërtua edhe një doganë e cila vazhdoi të funksiononte edhe pas ikjes së Pernadorisë Osmane.
Ushtare turq duke u lare ne Shiroke
Shiroka ka nxjerrë disa njerëz të shquar ku më i madhi është Át Anton Harapi, shkrimtar, publicist, filozof, teolog dhe politikan. Ai e përmend gjithnjë vendlindjen e tij, veçanërisht në librin “Valë mbi Valë” për të cilin Át Zef Pllumi thotë se e ka daktilografuar duke e botuar në një numër të vogël kopjesh. Me nismën e Ana Lukës, ai u ribotua në Romë në vitin 1994.
Në periudhën e monarkisë, Shiroka mori një rëndësi të veçantë, pasi aty u ndërtua Vila e Zogut, një ndër vilat e shumta që duhet të shërbenin për pushimet e Mbretit por që nuk u frekuentua asnjëherë prej tij. Atë vilë, komunizmi e ktheu në vendin ku organizohej “Kampi i Pionierëve” me nxënësit më të dalluar të qytetit.
Vila e Zogut
Gjatë sistemit komunist kjo zonë u promovua. Me punë vullnetare, një pjesë e mirë e bregut u pastrua dhe u ndërtuan shkallë për t’u ulur poshtë në breg të liqenit. Zona u kthye kësisoj në pikën kryesore turistike të Shkodrës dhe në një prej më të pëlqyerave nga pushuesit shqiptarë gjatë verës.
Bri Shirkoës, Taraboshi mban mbi kurrizore rrezet e tepërta të diellit duke sjellë gjithmonë një puhizë të këndshme. Liqeni që lag fshatin është vendi i përkryer për t’u larë e për peshkim.
Falë Shirokës, nuk ka shkodran që të paktën një herë në javë nuk ha peshk. Në Liqenin që lag këtë fshat ku si aktivitet kryesor është peshkimi, jeton krapi i famshëm për të cilin Shiroka dhe Shkodra në përgjithësi shquhet. Tava e krapit është pjata tradicionale e kësaj zone, pjata që kërkon çdokush që viziton të paktën një herë qytetin, pasi prej Shkodrës në Shirokë distanca është veç katër kilometra.
Tava e krapit
As gjatë dimrit, Shiroka nuk e humbet hijeshinë. Poeti i madh shkodran Frederik Rreshpja ka shkruar edhe një poezi me titull “Shiroka në dimër”.
Shiroka në dimër
Nuk ka më zogj. Fluturimet u fshinë
Asgjë veç grunti primitiv i shiut.
Bregu mendohet tek këmbët e ujërave
Duke ëndërruar verën që shkoi.
Në rërën e harresës unë mbledh
Qeramikën e portretit tënd.
Sa e shkurtër kjo verë, o Zot!
Një grusht rërë dhe një grusht diell.
Tërë kalendari i verës vetëm me një të shtunë
Dhe tërë e shtuna vetëm me një puthje!
Me pak fjalë, në Shirokë gojëdhëna takon historinë, mali takon bregun dhe peshku takon tavën!
Burimi: www.shkoder.info