Kishte më shumë se 20 vjet që këngëtarët nga Kosova shkonin e vinin në Festival – në më të madhin festival të muzikës shqiptare - por u desh thirrja rrënqethëse e Rona Nishliut që Shqipëria ta kthente kokën nga këngëtarët “kosovarë”. Jo se ata nuk janë të pranishëm e të suksesshëm në konkurrimet e tjera muzikore, kinematografike apo të bukurisë, por se çmimet që janë dhënë për pjesmarrësit nga Kosova në këta konkurrime kanë qenë disi “për hatër” – siç ishte rasti i kurorës së bukurisë në majin e vitit të madh të Kosovës - 1999, apo edhe ndonjë tjetër çmim në Tiranë, në dhjetor të vitit 2003. Ndërsa me festivalin e 50 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar ishte koha të ndodhte ndryshe.
Këtë e vërtetuan duartrokitjet e gjata në Pallatin e Kongreseve natën e 29 dhjetorit 2011, vlerësimi i jurisë, por edhe vlerësimet e shumta që u dhanë për këngën nga gazetarë e studiues, jo vetëm nga bota shqiptare.
“Suus” është kënga që ka marrë mbi 1 milion klikime në disa variantet e hedhura në Youtube e në site të tjera, përfshi edhe vetë eurovision.tv. Megjithatë, varianti zyrtar i videos është ai që u realizua enkas për përfaqësimin e Shqipërisë në Baku të Azerbajxhanit, më 22 maj, dhe që personazh kreysor ka vetë këngëtaren, të ngujuar në një kub të zi brenda një ambienti ku gjithashtu dominojnë e bardha dhe e zeza – teksa dy fëmijë shoqërojnë personazhin kryesor me veprime të harmonizuara me zërin. Me tekst të vetë këngëtares dhe muzikë të Florent Boshnjakut, videoklipi i këngës “Suus” është realizuar nga Bekim Lumi, për llogari të kompanisë “Kooperativa”. Ndërsa kënga vetë është regjistruar në studion “Ocean Way”, në Holywood të Kalifornisë, SHBA.