Mehdi Hafizi:

Mehdi Hafizi: "Në Muzeun e Skënderbeut hyn vizitor e del mik"

Written by Irhan Jubica on Tuesday, 12 January 2016. Posted in Intervista

Intervistë me drejtorin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës

Mehdi Hafizi:

16 vjet në krye të Muzeut unik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e 24 vjet si punonjës i këtij muzeu e kanë bërë Mehdi Hafizin nji simbol më shumë për qytetin historik të Krujës. Në këtë intervistë për revistën Travel, ai flet me modesti dhe mirënjohje për kolegët, bashkë me të cilët ia ka dalë t’i kthejnë vizitorët - që për të nuk janë të rastësishëm - në miq të Muzeut.

Hafizi është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë si atëherë kur thotë se me aftësitë e tij mund të drejtojë cilindo muze tjetër në vend, e si atëherë kur pranon se Muzeu që ai drejton nuk është në rrjetet ndërkombëtare të muzeve. E i tillë është Hafizi kur thotë se skuqet pa qenë fajtor nga vërejtjet që turistët e huaj bëjnë në Muze për ndërtimet pa kriter në qytetin e tij, apo edhe kur thotë se ndjehet si përpara ndonjë provimi të vështirë, sa herë që shoqëron vizitorë në Muze, qofshin ata personalitete të larta, apo nxënës shkollash.

Si është të drejtosh njërin ndër muzetë më të frekuentuar në Shqipëri, madje në konkurrencë me Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës?
Kam mëse 16 vjet që drejtoj Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Kombëtar Etnografik Krujë. Çdo mëngjes kur marr rrugën drejt kalasë së lashtë ndjej përgjegjësinë dhe kënaqësinë e fillimit të një dite të re. Në këto vite së bashku me ekipin që drejtoj, jam munduar të tregoj kujdesin maksimal për vlerësimin dhe mirëmbajtjen e këtyre dy muzeve të veçantë në llojet e tyre. Të përkushtuar dhe për të mirëpritur çdo vizitor, e ndjej çdo ditë kënaqësinë e komunikimit me vizitorët e shumtë që na nderojnë. E kam ndjerë sinqerisht gjithmonë veten si përpara një provimi shumë të vështirë kur më është dashur të shoqëroj personalitete të larta politiko-shtetërore, presidentë, kryeministra, parlamentarë, kardinalë, gjeneralë, shkencëtarë, artistë, shkrimtarë, studentë e deri tek nxënësit e shumtë të të gjitha moshave, pasi më është dashur gjithmonë të gjej fjalët e zgjedhura për të zbuluar para tyre historinë e popullit tim.
A ia dedikoni suksesin punës suaj, apo veçantisë së muzeut? A do të ishit po kaq i suksesshëm po të drejtonit një muze tjetër në një rreth tjetër të vendit?
Të dy muzetë e Krujës janë shumë specifikë në llojin e tyre. Përsa i takon Muzeut kushtuar Heroit tonë kombëtar, si çdo shqiptar kam zbuluar “magjinë” e fuqisë së ndikimit të figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut drejt ëndrrës shekullore të shqiptarëve dhe njerëzimit - fitores ndaj robërisë, ëndrrën e lirisë. Ndoshta ky mund të jetë një ndër sekretet që fluksi i vizitorëve në Muzeun-Memorial sa vjen dhe rritet. Sigurisht besoj që imazhi i figurës së Skënderbeut nuk i takon vetëm shqiptarëve si simbol i Heroit, Mitit të luftëtarit të pamposhtur, Mbrojtës të Krishtërimit dhe Europës së shekullit XV, kur Osmanët po trokisnin në portat e saj, por mbarë njerëzimit. Në fakt Muzeu nuk ka shumë objekte origjinale të kohës, por jam ndjerë sinqerisht mirë kur në fund të vizitë, para largimit nga Muzeu, gjithkush ndahet me ndjenjën e nderimit, mirënjohjes dhe respektit për Skënderbeun dhe Shqipërinë. Ndoshta ky është sekreti i stafit tim modest që nuk ndjen lodhje edhe pse muzeu ka fluks të madh vizitorësh. Muzeu Etnografik është cilësuar si më i miri në Ballkan në llojin e tij. Ndërtesa është e vitit 1764, objektet janë të gjitha origjinale nga 50-350 vjeçare. Unë së bashku me kolektivin e Muzeve asnjëherë nuk i kemi parë vizitorët si të rastësishëm në Muze. Gatishmërinë që kemi treguar për t`i pritur vizitorët me kulturë dhe duke i shoqëruar në mënyrë profesionale në ambientet e Muzeve e kemi parë si çelësin e suksesit në punën tonë. Ne e dimë shumë mirë që do të kemi vizitorë sot, sepse kemi punuar shumë mirë dje. Unë e them me bindje se tashmë është krijuar grupi i dashamirësve (miqve) të Muzeve të Krujës, të cilët na bëjnë reklamë. Neve na mbetet si detyrë të përmirësohemi gjithë kohën dhe të mos i zhgënjejmë. Unë kam filluar punë në të dy Muzetë në Shkurt të vitit 1991 si Lektor dhe nga muaji Maj 1999 jam Drejtor i të dy Muzeve të Krujës. Mendoj dhe besoj se e kam eksperiencën e duhur për të drejtuar një muze në një rreth tjetër të vendit.
A ka rritje të qëndrueshme të numrit të vizitorëve të Muzeumeve të Krujës mbas 100-vjetorit të Pavarësisë?
Muzetë e Krujës kanë rritje të qëndrueshme të vizitorëve, e cila i kalon 5 mijë vizitorë në vit (si rritje ).
Cili është raporti mes vizitorëve të huaj dhe atyre shqiptarë (pavarësisht nga vijnë) në Muzeumet e Krujës?
Numri më i madh i vizitorëve janë shqiptarë duke pasur parasysh edhe nxënësit e shkollave të niveleve të ndryshme si brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.
Cili eksponat është atraksioni më i madh i Muzeumeve të Krujës?
Në të dy Muzetë kemi me dhjetra objekte shumë të rëndësishme për të cilat vizitorët tregojnë një interesim të vecantë.
Çfarë reagimesh ka nga turistët kur shohin ndërtimet pa kriter në qytetin e Krujës? A mendoni se kjo gjë e prish imazhin historik të qytetit?
 Turistët, pothuajse pa përjashtim reagojnë kur shohin ndërtimet pa kriter në qytetin e Krujës dhe në shumë raste ato - verejtjet - i bëjnë në Muze dhe ne skuqemi në fytyrë pa qenë fajtorë. Mendojmë se kjo gjë e prish imazhin historik të qytetit.
A ekziston mundësia për pasurimin në vazhdimësi të muzeut, e sidomos të Muzeut Skënderbeu, me eksponate të reja?
 Meqenëse Muzeu i Skënderbeut është i konceptuar në trajtë memoriali ku rol kryesor luan fjala, është përmirësuar në vazhdimësi në përmbajtje, por edhe me eksponate të reja.
A bëni pjesë në rrjetet ndërkombëtare të Muzeve, duke nisur nga ai ballkanik e më gjerë?
 Nuk bëjmë pjesë në rrjetet ndërkombëtare të Muzeve, por shpresojmë në të ardhmen.
A i plotëson Muzeu standardet bashkëkohore të muzeve botërorë?
Në një përqindje shumë të lartë Muzetë e Krujës i plotësojnë standartet bashkëkohore të Muzeve botërorë.
Rritja e numrit të turistëve çon në rritjen e të ardhurave, por edhe shtron nevojën e investimeve të mirëmbajtjes së Muzeut të ndërtuar që në vitin 1982. Cilat janë investimet më të rëndësishme në këtë muze?
Përsa i takon mirëmbajtjes së të dy Muzeve, gjendja e tyre është shumë e mirë si brenda dhe jashtë. Jemi përmirësuar shumë në vazhdimësi, si edhe kemi patur gjithnjë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. 
3.5/5 rating (2 votes)

Hits

16474

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Comments (1)

  • Florika Rodakaj

    Florika Rodakaj

    10 March 2016 at 15:30 |
    Person fantastik, z.Mehdi Hafizi, profesional, i pregatitur dhe shume shoqeror. Jemi gjithmone te kenaqur qe cojme turistet e agjensise tone atje dhe ndihemi shume te mirepritur nga ai. I uroj qe ta kemi aty sa me shume te jete e mundur.

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.