Gjirokastra siç (nuk) e njihni - ajo e piknikëve në natyrë...

Gjirokastra siç (nuk) e njihni - ajo e piknikëve në natyrë...

on Friday, 26 April 2013. Posted in Around

Rreth e qark pikave të bukura natyrore të qytetit të gurtë...

Gjirokastra siç (nuk) e njihni - ajo e piknikëve në natyrë...

 

Magdalena Margariti
Nëse është fjala për piknik, natyrisht gjirokastritët, megjithëse Gjirokastra është një qytet tejet i veçantë e i bukur, me kalanë madhështore, me qendrën e saj historike, me kurorën e gjelbër rreth kalasë dhe qytetit, do të preferonin të dilnin jashtë nga qyteti, në vende me ajër të pastër e të freskët, siç janë : Liqeni i Viroit, Parku arkeologjik i Antigonesë, Rrapi i Libohovës, Qafa e Çajupit, ose përgjatë fshatrave të Dropullit e veçanërisht në Parkun Natyror Kombëtar të Sotirës, prandaj këtë shkrim mund ta quajmë ndryshe edhe  “Gjirokastra rreth e rrotull”.

 

 Antigonea
Një vizitë të gjatë në këtë sit të mrekullueshëm antik jua ka ofruar Engjëll Serjani, “i zoti i shtëpisë”. Ne po mjaftohemi vetëm t’ju themi që edhe natyra përreth këtij siti por edhe fshatrat përqark do t’ju mahnisin me bukurinë ë tyre.
Dropulli
Përgjatë 30 km-ve të rrugës nacionale, sapo del nga Kordhoca, janë vendosur me radhë fshatrat e Dropullit, të cilat shquhen për bukurinë natyrore trashëgimine e pasur kulturore, festat e bukura që organizohen çdo vit, traditat dhe qytetarinë e tyre. Në Dropullin e Poshtëm e të Sipërm, mund të vizitoni: Manastirin e Derviçianit, Kishën e Dhuvjanit, Ravenën e Goranxisë, të ndaleni për pak në Terihat, Kishën e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, kishën e Hllomosë, por sidomos ju mund të shkoni për piknik në Parkun Kombëtar Natyror të Sotirës.
Parku natyror kombëtar i Sotirës, shquhet për bukurinë e tij të madhe, për gjelbërimin e pyjeve me bimësinë e pasur e të shumëllojshme dhe ujrat e shumta që burojnë nga malet, duke formuar ca ujvara të bukura, prandaj është vendi ideal për të apasionuarit e natyrës. Sotira, për shkak se në majat e maleve Murgane e Stugare ka ende dëborë, edhe në verë është një oaz freskie dhe qetësie.
Libohova
Përballë ose këtej Dropullit siç thuhet rëndom, ju mund të vizitoni, Rrapin e Libohovës, i përket shek. XVI, gjendet në qendër të qytetit të Libohovës, një qytet i vogël, por plot me legjenda, histori, personazhe që na duken herë reale e here mitike: Myfit Beu, princesha Shanisha, e motra e Ali Pashë Tepelenës, patrioti i dëgjuar Avni Rustemi… 
Legjenda thotë se rreth 500 vjet më parë, një berber nguli në tokë një shkop druri në forme V-je , për të mbajtur një bucelë me ujë, në atë vend ku edhe sot burojnë ujrat, në qendër të qytetit. Ky dru na qenkësh magjik, pasi më vonë lulëzoi dhe u bë një pemë gjigande me degët e tij që shkojnë deri ne 25m lartësi dhe varen duke u përdredhur drejt tokës, me diametër të trungut 2.2m, dhe me kurorë që zë një hapësirë rreth 80-85 m. Brenda kurorës së rrapit ka aq hapësirë sa të ndërtosh një shtëpizë të vogël, si në përrallë, pa e prekur fare rrapin. 
Ju mund të ndaleni për t’u çlodhur e freskuar , ashtu si edhe udhëtari i famshëm, Lordi Bajron, nën hijen e këtij rrapi të stërmadh, do të vizitoni kalanë e Libohovës, aty rrotull gjithashtu mund të vizitoni Ujin e Glinës, Gështenjën e Nepravishtës etj.
Çajupi, Zagoria
Jo pa qëllim e quajta Çajup, nuk është thjesht “mal” apo një “qafë mali” por një tërësi peisazhesh malore të mrekullueshëm: male, përrenj malore, ara në mal pyje pa fund, monumentesh bio- natyrore të zonës… Rruga e re për në Çajup, mund të shihet shumë mirë që nga kalaja e Gjirokastrës apo nga ndonjë pikë tjeter e lartë e qytetit.
Në Çajup je larg rrëmujës së qytetit, ka qetësi, gjelbërim si dhe një panoramë të mrekullueshme e gjithë qarkut të Gjirokastrës dhe luginës së Drinos, duket “Shkëmbi i Zhejit”, një nga monumentet më të bukura bio- natyrore të zonës dhe malet e larta përballë.
Jo më pak tërheqëse e të mrekullueshme janë historia, legjendat , tregimet dhe personazhet tipike, kishat dhe manastiret e krahinës së Zagorisë dhe gjithë fshatrave të saj. Zagoria është vendlindja e poetit tonë të madhë kombëtar Andon Zako Çajupi dhe e patriotit të dëgjuar Vangjel Zhapa. Tradita e kulinarisë dhe guzhinerët zagoritë janë me famë në të gjithë Shqipërinë. Uji i kësaj zone, thonë se është tepër i vençantë për nga vlerat minerale, i bën njerezit pak të “ marrë” (nga kjo zonë kanë dalë kaq shumë njerëz të dëgjuar…) shijojeni atë, produktet bio të zonës si dhe peisazhin e mrekullueshëm malor !
Viroi
Liqeni i Viroit, ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Gjirokastrës, në krah të rrugës nacionale, kur shkon për në Tepelenë. Viroi është një liqen artificial që ushqehet me ujrat që burojnë me vrull nga “Mema”, një burim shumë i thellë, me natyrë karstike, me ujë të kulluar e të pastër. Mendohet se uji i Viroit vjen nga shpella me natyrë karstike e Skotinisë, që ndodhet në fshatin Vanistër në jug të Gjirokastrës, një vend pelegrinazhi dhe njëherësh turistik. Përreth liqenit shpaloset një peizash i mrekullueshëm i kodrave të gjelbëruara përreth. Viroi është një vend për piknik, për çlodhje, për të eksploruar natyrën nga të apasionuarit e natyrës, studiuesit ose nxënësit e shkollave. Gjithashtu tashmë vizitohet edhe nga shumë turistë të huaj, që vijnë në qytet. Rreth e rrotull liqenit, ka lokale të këndshme: bare apo restorante, ku mund të shijoni gatimet tradicionale ose të reja.
Në Parkun e Viroit ka qindra bimë mjekësore kurative e aromatike rreth 257 specie bimore ujore të rralla si dhe 72 lloje shtazesh të cilat përbëjnë një vlerë të paçmuar.
 
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

6227

Comments (1)

  • Irena Zhupa Karagjozi

    Irena Zhupa Karagjozi

    25 August 2016 at 12:01 |
    Pershkrim i mbrekullueshem

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.