DJALI I MALËSISË SË MADHE

DJALI I MALËSISË SË MADHE

Written by Irena Kanani on Tuesday, 06 March 2012. Posted in Around

Ishte vetëm një adoleshent kur erdhi për herë të parë në  qytetin bregdetar të Vlorës. Nuk ishte një ekskursion shkollor, as pushime verore madje  nuk kishte ardhur as me dëshirën e tij. Rrok Tafa, djali i Malësisë së Madhe kujton se ishte viti 1966. Në Vlorë erdhi  për të kryer stazhin e shkollës së mesme, të cilën e përfundoi më 25 gusht 1980. Familjen ia  internojnë në Kelmend nga gjykata ushtarake, për arsye politike. (Babait nuk i pëlqente politika e regjimit të asaj kohe, dhe për pasojë  familja duhet të edukohej me rregulla, siç u quajt arsyeja e vendosjes së fatit të saj më pas).  Rroku  na tregon se pavarëësisht dënimit, arriti të merrte një profesion, i cili ishte ndërtues. Ministria e vendos në Vlorë tek porti i qytetit, si përfaqësues të disa  ndërtesave të reja që po ndërtoheshin, ku qëndroi i izoluar për 4 muaj, për arsye politike që vetë Rroku nuk pranon t’i tregojë, (janë plagë të thella ato, duan shumë kohë të rrefehen, thotë dhe zëri fillon t’i ndryshojë intonacion, dhe duart i mbledh grusht me njëra-tjetrën). Më pas pozicioni i tij i punës ndryshoi, kjo nuk ishte gjë e re, për shkak të internimit shteti mund ta largonte nga çdo vend pune pa ndonjë arsye dhe aq më tepër ti jepnin sqarime për pezullimin. Në këto kushte puna e tij e fundit ka qenë  traktorist, deri më 1995. 

 

Po pse po i tregojmë gjithë këto gjëra?

Sot Rrok Tafa është  63 vjeç, me një trup mesatar dhe të rregullt, me flokët e thinjura, disa vija të thella i zbukurojnë  ballin, të tjera fytyrën, që duket sikur duan të tregojnë fisnikërinë e tij, duart i janë rrudhur e damarët kanë kërcyer lart. Bashkë me familjen e tij ai vazhdon të jetoë në Vlorë dhe punon si shitës ambulant.  Ka  hapur një kioskë të vogël pranë portit të qytetit, ku shet kryesisht aksesorë zbukurimi dhe punime artistike të vendit tonë. Jo në na shtyu ta takojmë Rrokun ishte punimi me guacka i banakut, që vazhdon dhe përreth lulishteve,  gati-gati një vepër arti e realizuar me dorë të lirë. Ky është një pasion i fshehur i tij, punimet artistike me guacka. Buzagaz 63- vjeçari  fillon të na rrëfejë se si e ka zanafillën arti i tij. Gjatë sezonit veror, dhe sidomos gjatë pushimeve, fillova të mblidhja guacka me forma dhe madhësi nga më të ndryshmet,- rrëfen ai -  në mendje po projektoja se cila do të ishte “vepra” që do të ndërtoja.  Asgjë nuk ishte e qartë, por ndërkohë mblidhja sa më shumë material. Pas shumë vitesh grumbullimi të guackave, (pasi koha ishte shumë e kufizuar, vetëm 2 orë në ditë,  edhe këto gjatë pushimeve  që bëja çdo verë me familjen), kur  u bënë mbi 1000 copë guacka  dhe mbi 100 copë gurë të lëmuar deti, isha gati të filloja “veprën” time. Kishte kohë që kioska i dukej e vogël dhe e vjetëruar, buzë trotuarit mezi binte në sy, kështu që Rroku vendosi ta dekorojë kioskën e tij, dhe të ishte pikërisht ky subjekti që do të punonte, e që  sot është një objekt shumë interesant që zgjon vëmendjen e të gjithë turistëve që kalojnë në rrugën e portit. Pasi filloi të ngjiste guackat e para, idetë filluan të bëheshin më të qarta, tashmë pa hezitim çdo pasdite gjatë orëve të lira, ia kushtonte banakut. Iu deshën plot 4 muaj për ta përfunduar  veprën e tij, arkitektura e saj u plotësua gradualisht, duke e parë ecurinë dhe duke bërë ndonjë ndryshim tek-tuk.

 Puna që kisha nisur kërkonte durim, - vazhdon Rroku teksa tregon me dorë kërminjtë e mëdhenj të detit - pasi punoja jashtë dhe moti shpesh kishte tekat e veta, gjatë kohës me shi, jo vetëm që nuk mund të punoja, por dhe mundohesha ta mbuloja sa më shumë banakun. Më pas ishte kureshtja e njerëzve, shumë prej të cilëve pyesnin  se çfarë ishte ajo që po bëja, të tjerë fillonin dhe jepnin idetë e tyre e, nuk më ngelej gjë tjetër veçse të vazhdoja punën pa u ngatërruar nga asnjë opinion i shprehur nga fqinjët apo kalimtarët e rastit, që ndalonin dhe më vëzhgonin tek punoja.

Sot sigurishtë është banaku më tërheqës në të gjithë Vlorën. Pushuesit e adhurojnë atë, pasi bëjnë disa foto, blejnë dhe diçka për ta marrë si kujtim. Kjo nuk është vepra e tij e vetme, ka zbukuruar edhe disa banaqe të tjera lokalesh në Vlorë. Kur e pyesim se cila do të jetë puna e radhës, Rroku përgjigjet se sigurisht që do të bëjë të tjera punë arti me guacka, vetëm se ngadalë e me durim se akoma nuk disponon materialin e duhur. Për të mbledhur guacka për një punë cfarëdo, do t’i duhen muaj, ndoshta vite...

 

3.0/5 rating (2 votes)

Hits

4361

About the Author

Irena Kanani

Gazetare, ka mbaruar studimet e larta pergazetari ne Elbasan, aktualisht gazetare ne revisten Travel

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.