Dajti: Sa pranë e kemi argëtimin!

Dajti: Sa pranë e kemi argëtimin!

Written by Irena Kanani on Tuesday, 06 March 2012. Posted in Around

Një udhëtim me teleferik për panoramë të paharrueshme

Dajti: Sa pranë e kemi argëtimin!

Duhet të udhëtosh vetëm 26 km në lindje të Tiranës, për t’u gjendur në mes të bardhësisë së  dëborës e cila është e preferuar jo vetëm nga të rinjtë  aventurierë të sporteve dimërore, por edhe nga familjarë të cilët duan të kalojnë një ditë ndryshe nga rrëmuja e smogu i  Tiranës. Malii Dajtit, është quajtur me plot meritë “ballkoni i Tiranës”, për  argëtimet e shumta që të ofron në çdo stinë të vitit. Kënaqësisë së dëborës nuk mund ti bëjë rezistencë askush, të rinjtë, fëmijët dhe gjyshërit. 

Kështu muaji dhjetor ishte më i përshtatshmi për  të shijuar dekorin e bardhësisë. Në këtë stinë të vitit rruga  automobilistike  është përkeqësuar shumë nga  ngrica, akulli e vështirëson ngjitjen, dhe mund të sjellë surpriza të pakëndshme. Për të mos rrezikuar në udhëtimin me makinë, është më komode t’i drejtohesh teleferikut. Ky udhëtim zgjat vetëm 15 minuta dhe kushton 700 lekë. Kënaqësia fillon sapo vendos këmbën brenda në kabinë, e cila është një “gondolë” e vogël dhe e ngrohtë. Që në ato momente ndihet emocioni i rrugës: sapo  gjendesh në hapësirën e kabinës, menjëherë fillon të shohësh  gjurmët  e lëna nga shumë e shumë  vizitorë e turistë, që  kanë qenë më përpara, shënimet e shumta të lëna prej tyre janë  emra njerëzish apo dedikime dashurie të fiksuara mbi xhamat e trashë. Si pa e kuptuar gjendesh në një lartësi dhe në ato momente nuk dëgjon as  zhurmën më të vogël e të duket sikur diku ke ngecur apo sikur do të biesh. Pasi sigurohesh që çdo gjë është në rregull, atëherë rehatohesh për të shijuar  pamjen e mrekullueshme që na ofron  vendi. Nga lart mund të shohësh  pemët gjysëm të mbuluara me borë, njerëz që edhe pse duken shumë të vegjël, arrin ti dallosh kur të përshëndesin, ndonjë lëndinë, reliev të thyer, shkurre të ndryshkura pa harruar dhe  liqenin e vogël, që në këtë të ftohtë ka  marrë një ngjyrë blu të theksuar. Nga panorama u hutova të nxjerr aparatin dhe në çast e marr dhe filloj të bëj shkrepjet e para. Në këto momente diçka ndodh, më zuri paniku, heshta dhe u kapa fort pas sediljes së kabinës. U  mundova të kuptoj se çfarë ishte, por pa i rënë në sy bashkëudhëtarëve. Sytë vështrojnë menjëherë lart dhe po në ato çaste paniku kuptova se zhurma e çuditshme ishte shkaktuar nga kushinetat e gondolës, pasi udhëtimi vazhdon në një  lartësi më të madhe.(Uffa u  lehtësova dhe fillova të shkrep). Gjatë udhëtimit shkëmbehesh me gondola të tjera duke u përshëndetur, madje mund t`u bësh edhe atyre ndonjë foto. Po mbërrijmë në stacionin e zbritjes, ku vizitorët janë të shumtë. Dalim nga kabina e teleferikut dhe zbresim në sheshin e parkut të Dajtit. Takimi ynë i parë me dëborën. Këmbët bëjnë “zhup-zhup”…mbi qilimin e bardhë, fort të shkelur por edhe diku-diku të paprekur. “Kujdes se do rrëshqasësh!...paralajmëroi njëri nga djemtë, por ishte vonë. Bora ishte shumë ndjellëse për të mos e shijuar edhe rrëzueshëm. “Ha ha ha… u vrave?”, qeshën të gjithë. Isha vrarë? Nuk e di. Këtë do ta shikoja më vonë. Nëpërhë, kisha tjetër merak, t’i gëzohesha borës. Madje tani që edhe u rrëzova, s’ka pse të ruhem se mos bëhem pis….mund të zhytem e tëra në të….

Shumë zëra njerëzish, të vegjël e të mëdhenj, thërrasin gëzueshëm, teksa shkëmbejnë me forcë topat e borës. Të shumtë janë ata të cilët sfidojnë kushtet atmosferike dhe ndalen anës rrugës. Luajnë me borë dhe fiksojnë në aparat momentet e këndshme dhe tepër gazmore. Në buzë të rrugës që kalon pranë sheshit, dy kuaj presin duke shkrofëtitur e nxjerrë avull nga hundët e nga goja. Ai që u mban frerët, thërret: “Hajde mirësevini, bëni një xhiro me kalë, dymijë lekë, dymijë lekë”. Kishte shumë të tjerë që po mbathnin skitë.

Ne zgjodhëm të merrnim për nga pylli. Andej shumë pak këmbë kishin shkelur dhe bardhësia ishte mbresëlënëse.

Vazhduam shëtitjen nëpër pyll, ku dhe u çuditëm pasi një familje po bënte  barbeky në mes të dëborës, kishin marrë me vete të gjitha pajisjet dhe mes këngës dhe argëtimit po shijonin këtë ditë dimri. E pas argëtimit me borë nuk largohemi pa shijuar drekën në  një ndër restorantet e shumta në Parkun Kombëtar të Dajtit përballë panoramës së këndshme të malit të bardhë. Pas gjithë lojës së bukur, tani i vinte radha ngrohjes së përgjithshme të organizmit, në atmosferën mikpritëse të “Ballkonit të Dajtit”, ku ambientet e kuqërreme prej druri, ta ndillnin vetvetiu dëshirën e zjarrit, verës, mishit të pjekur, tingujve miqësorë të muzikës dhe shijimit të ecejakeve të kamerierëve të shumtë, që vejevinin nëpër ambientet e “Ballkonit”

Në kthim, ku gjithë kënaqësia ishte konsumuar mrekullueshëm, teksa qetësia olimpike e “gondolës”, po më kthente në Tiranë, mendova: “E çfarë duhet për një fundjavë të bukur? Argëtimin e kemi kaq pranë…”!

3.3/5 rating (3 votes)

Hits

5706

About the Author

Irena Kanani

Gazetare, ka mbaruar studimet e larta pergazetari ne Elbasan, aktualisht gazetare ne revisten Travel

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.